Elbenita Kajtazi, sopranoja që dërgoi Kosovën në finale të "BBC Cardiff Singer of the World"

Muzikë

Elbenita Kajtazi, sopranoja që dërgoi Kosovën në finale të "BBC Cardiff Singer of the World"

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 23:01
Elbenita Kajtazi

Sopranoja, Elbenita Kajtazi, gjatë muajit qershor u bë këngëtarja e parë nga Kosova që morri pjesë në garën e operës dhe të këngës “BBC Cardiff Singer of the World”.

araqitja e saj në këtë garë në Britani, me një program prej 15 pjesëve në tetë gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe gjuhën shqipe, bëri jehonë të madhe.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, sopranoja Kajtazi, thotë se pjesëmarrja në këtë garë ku arriti deri në finale, ishte ndër synimet e saj prej një kohe të gjatë.

“Cardif singer of the World e njoh si garë që prej dhjetë vjetësh dhe gjithmonë e kam pasur synim, por gjithmonë kam hezituar duke thënë se është shumë vështirë dhe nuk mund t’ia dal. Por kësaj here meqë pata më shumë kohë vendosa të marrë pjesë dhe aplikacioni im u përzgjedh, kanë kaluar tri faza derisa janë përzgjedhur 16 persona të shkojnë atje sepse ka pasur diku rreth 600 aplikacione”, thotë ajo.

“BBC Cardiff Singer of the World” mbahet çdo të dytin vit. Për shkak të pandemisë COVID-19, edicioni i këtij viti u mbajt pa publik.

“Kjo ka qenë pjesa më e dhimbshme e këtij konkursi sepse ka qenë vetëm përmes televizionit dhe ne kemi kënduar me një orkestër të tërë për kameramanët e BBC-së. Nuk është ndjenjë e mirë, unë e kam provuar këtë edhe në disa produksione të tjera gjatë pandemisë dhe krejt çfarë ke mundur të bësh është t’u këndosh kamerave e si këngëtare operistike nuk është ndjenjë e mirë sepse ti dëshiron të lidhesh drejtëpërdrejtë me publikun dhe të japësh emocion”, thotë zonja Kajtazi.

Sopranoja, Elbenita Kajtazi, është rritur në qytetin e Mitrovicës në Kosovë. Studimet për këndim i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka tetë vite që jeton në Hamburg të Gjermanisë. Kosova, siç thotë vetë ajo, ishte vend i vogël për ëndërrat e saj të mëdha.

“Kam punuar në filharmoninë e Kosovës për katër vite por kjo nuk më ka mjaftuar sepse kam dashur patjetër të performoj në shtëpi operistike dhe kjo fatkeqësisht, nuk ka intervistë që nuk e them, se Kosova ende nuk ka shtëpi operistike. E kuptoj që jemi shtet i dalur nga lufta dhe nevojitet kohë për zhvillim por besoj që ka ardhur koha të bëhet diçka në këtë drejtim”, thotë ajo.

Rrjedhimisht, thotë ajo, të rinjtë që zgjedhin këtë drejtim në Kosovë, duhet të kenë shumë durim.

“Unë e di që në një vend si Kosova është shumë lehtë të zhgënjehesh, edhe unë kam pasur momente të vështira, të rënda, depresive ku kam thënë se do ta ndryshoj drejtimin fare sepse nuk shkon. Por sërish sikur kam pasur diçka këtu te veshi që më ka thënë jo, nuk duhet të dorëzohesh. Prandaj uroj që edhe ata të rinj që kanë talent këtu të kenë diçka që u thotë të mos dorëzohen sepse ka zgjidhje për gjithçka. Bota operistike, sidomos në Gjermani, ka vend për të gjithë. Atje çdo fshatë ka shtëpi operistike, lëre më qytetet e mëdha. Prandaj uroj që te ne çështja e vizave të zgjidhet ashtu që këta të rinj të kenë mundësinë të udhëtojnë për të bërë audicione”, thotë zonja Kajtazi.

Për shkak të pandemisë COVID-19, i gjithë programi i Elbenita Kajtazit për vitin 2020 ishte anuluar. Por me përmirësimin e situatës, së shpejti ajo do të ketë paraqitje në skena të ndryshme operistike botërore. Në planet e saj është edhe paraqitja e parë pas shumë vjetësh në Kosovë, në muajin shtator në kuadër të festivalit Remusica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat