Këngëtari i Malësisë Nikollë Nikprelaj, burim i pashtershëm dhe përçues i vlerave të mëdha artistike

Muzikë

Këngëtari i Malësisë Nikollë Nikprelaj, burim i pashtershëm dhe përçues i vlerave të mëdha artistike

Nga: Ramazan Çeka Më: 1 shtator 2021 Në ora: 19:39
Nikollë Nikprelaj

Një rajon me vlera të mëdha etnokulturore dhe historike është edhe krahina e Malësisë së Madhe, e shtrirë në Veri të qytetit të Shkodrës, deri thellë në luginat dhe majat e thepisura të Alpeve, por që fatkeqësisht e cunguar nga padrejtësitë e historisë. Kjo krahinë andej dhe këndej kufirit edhe pse e ndarë gjeografikisht ka trashëguar vlerat e saj në të gjitha fushat e në mënyrë të veçantë në trashëgimin kulturore. Ajo ka nxjerrë poetë, këngëtarë e rapsodë që në çdo kohë kanë përçuar vlera të mëdha artistike, duke u bërë kështu një burim i pashtershëm për trashëgiminë kulturore të zonës në hapsirat e kulturës kombëtare, por dhe një promotor për ta përcjellur atë tek brezat e ri. 

Për të pasqyruar me vërtetësi kontributin e artistëve malësorë në kulturën shqiptare, mund të përmendim: të paharrueshmin, Artistin e Merituar Sali Mani, si rapsod i papërsëritshëm, poetin Dodë Kaçaj, rapsodin Jonuz Delaj, virtuozin Lukë Kaçaj, por dhe artistët e përmasave kombëtare Angjelin Përlocaj, Shaban Bercaj, Rrok Gjelaj, Arben Delaj, Violeta Deda, Hanë Nikprelaj, Gjyste Vulaj etj, etj. Ata janë shumë dhe secili prej tyre meriton vlerësimin më të madh, por në këtë shkrim unë do të ndalem më gjatë për këngëtarin e mirënjohur tuzian Nikollë Nikprelaj. 

Në afirmimin, pasurimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, vlerave universale të popullit shqiptar, të kulturës tonë kombëtare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe këngëtari i mirënjohur Nikollë Nikprelaj. 

Nikollë Nikprelaj është një nga këngëtarët më të pëlqyer në të gjitha trojet shqiptare. Ai njihet për zërin e tij të mrekullueshëm dhe repertorin me këngët e tij të shumta, si një ndër ikonat e muzikës dhe këngës popullore shqiptare. I ka kënduar maleve, Kreshnikëve të Malësisë, historisë së lavdishme të popullit të kësaj treve, heronjve kombëtarë dhe të zonës së Malsisë, jetës së Malsisë në përgjithsi, Kosovës, bukurisë natyrore, bukurisë njerëzore, intelektualëve dhe vlerave të tyre të veçanta në mrrëdhënie me Malësinë. U ka kënduar mërgimtarëve, rinisë, shpresës, bëmave të Çun Mulës, etj. Ka marrë pjesë edhe në ngjarjet familjare, gëzimet, fejesat, dasmat, por edhe në koncerte të ndryshme që janë organizuar jo vetëm në vendlindje, por edhe në Shqipëri e Kosovë. 

Unë udhëtova drejt Tuzit me shumë dëshirë e përgjegjësi për të realizuar një shkrim për qytetarin dhe këngëtarin kaq të dashur e të mirënjohur të këtij qyteti, për Nikollë Nikprelën, të cilit, përveç të tjerave, i mora edhe një intervistë për ta botuar në gazetë. 

Z. Nikollë ju jeni pjesmarrës në disa festivale kombëtare, ku suksesin e keni arritur që në festivalin e parë "Akordet e Kosovës" në vitin '85 në Prishtinë, ku edhe jeni nderuar me dy çmime të para, me çmimin e "Jurisë" të asaj kohe dhe me çmimin e "Publikut". Mund të na tregoni diçka rreth vazhdimësisë së pjesmarrjes suaj në festivale?    

Po, mund të përmend Festivalin Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare të organizuar në Tiranë nga RTSH, me një këngë të kompozitorit të njohur Edmond Zhulali dhe një këngë me tekst të cilin e kam shkruar vetë. Për herë të parë mora pjesë në një festival të tillë ku pata  emocione të papërshkruara, duke u ndjerë shumë i nderuar në këtë festival, pasi përfaqësoja Malin e Zi. 

Në vazhdim të bisedës që bëmë me Nikollën, ndër të tjera ai më tregon se kënga shqiptare e ka motivuar shumë, pasi edhe aktivitetet bëhen të përbashkëta, duke u trajtuar si i barabartë me një shkodran, apo nga ndonjë qytet tjetër i Shqipërisë. "Fatmirësisht, thotë Nikolla, po unifikohen arti dhe kultura në përgjthësi, çka është në të mirën e artit dhe të Kombit". 

Ju jeni bërë pjesë e televizioneve në Shqipëri e Kosovë. Keni organizuar disa koncerte të ndryshme, jeni i pranishëm, i dashur, i thjeshtë, virtuoz, jeni vetvetja. Më shumë se kushdo tjetër i keni dhënë jetë, shpresë dhe gjallëri vendlindjes tuaj, duke u bërë kështu një vlerë e Kombit tonë. Çmund të na thoni rreth karrierës suaj artistike? 

Tani më u bënë shumë vite karrierë! Ne shqiptarët jashtë trojeve etnike nuk e kemi patur fatin e njëjtë me ata brenda trojeve përsa i përket artit. Arti në Shqipëri zhvillohej brenda institucioneve dhe talentët zbuloheshin dhe përkraheshin. Ne jashtë ishim në mëshiren e fatit. Me amatorët talentë nuk merrej askush. Këndonim këngë të kolegëve tanë nga Shqipëria. Pra nuk kishim krijimtari tonën origjinale. Shumë prej nesh nisëm të krijojmë këngë për veten të shtyrë nga halli dhe shumë prej nesh edhe ja arritëm të bejmë krijimtari origjinale, bile me sukses. Ja për shembull unë i kam bërë pothuajse të gjitha këngët e mia vetë! Bëhet fjalë për vitet e kaluara se tanimë u hapen kufijt dhe u bëmë një përsa i përket artit dhe kulturës. Për karrierën time artistike ka shumë komente, pasi ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e suksesshme. Në çdo event në skenë dhe televizion përpiqem që të këndoj live. 

Sukseset janë evidente si në drejtim të cilësisë muzikore po ashtu edhe të nivelit të teksteve, duke i pasqyruar kështu këto vlera në interpretimin brilant në çdo skenë ku ju keni debutuar. A mund të na tregoni ku keni përformuar për herë të parë?    

Për herë të parë kam përformuar në aktivitetet e shkollës fillore, por fillim të karrierës e quaj shkuarjen time në Kosovë në vitin 1983. Hapat e parë në Kosovë i mora në shoqaten e studentëve "Ramiz Sadiku" ku u njoha edhe me legjenden e muzikes Qamilin e Vogël, i cili me angazhoi dhe përkrahu gjatë viteve të para të karrierës. 

Kështu filloi për ju rruga artistike ku me interpretimet brilante morët famë jo vetëm në Mal të Zi e Kosovë, por edhe në të gjitha trevat shqiptare, duke u bërë kështu i dëshirueshëm edhe nëpër Europë e më gjërë, ku jetojnë shqiptarë. Përveç trevave shqiptare ku keni përformuar më tej?    

Po, kam përformuar në të gjitha vendet e Europës, si në Gjermani, Francë, Zvicër, Belgjikë etj, si dhe në vendet skandinave Norvegji, Danimarkë e Suedi, deri në Amerikë dhe Australi.    

Çfarë ka qenë diçka interesante në karrieren tuaj?    

 Interesante dhe e paharruar në karrieren time ka qenë kur mora ftesën të shkoj në Australi me Radio-Televizionin e Kosovës dhe kërkova leje nga Akademia ku studjoja, por mora përgjigje negative. Mirëpo Australia nuk refuzohej dhe vendosa të shkoj. Kur u ktheva me shpëtoi profesori im Rexhep Ferri nga përjashtimi nga Akademia. 

Aktiviteti juaj është shumë i larmishëm. Repertori i këngëve tuaja ka bërë që ata të jenë gjthmonë pjesë e gëzimeve familjare, aktiviteteve rinore, diskove prestigjoze dhe televizioneve më në zë që kanë në progamacionin e tyre muzikën e bukur shqiptare. Kryesisht në sezonin e verës ku jeni më i angazhuar? 

 Gjatë sezonit veror jam i angazhuar pothuajse nëpër të gjitha trojet shqiptare, përjashtuar Jugun e Shqipërisë. Pandemia na privoi nga të gjitha aktivitetet muzikore. Për fat të mirë unë kam një studio në shtëpi dhe kam punuar pa pushim. Kam dhënë shumë intervista nga shtëpia përmes skype. Në sezonin e verës në dasma ftohem rregullisht në të gjtha qytetet e Kosovës si dhe në Shqipëri. Gjithashtu edhe në Ulqin, Tuz, Preshev, Bujanovc, Tetov, Gostivar, Kumanov, etj. 

Po në festat e fundvitit a ju ka qëlluar që të jeni i pranishëm në familjen tuaj? 

Që në fillimet e mia, pavarësisht nga dëshira e mirë, nuk kam pasur rastin të festoj dhe të përformoj së paku një natë të ndërrimit të viteve në Tuz, pra Vitin e Ri, sepse bashkëatdhetarët e mi që jetojnë jashtë, e kishin më të domosdoshme që unë të isha pranë tyre si këngëtar, por me statusin e vëllait që feston mes vëllezërish. 

Përveç talentit, i cili është dhe starti i këtij rrugëtimi artistik, një ndër elementët e suksesit është edhe bashkëpunimi me kompozitorë të shquar shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria. A mund të na thoni diçka rreth bashkëpunimeve tuaja? 

Bashkëpunimet e shumta kanë filluar shumë vonë pasi që krijoja vetë për vehten. Po përmendi vetëm disa, pasi numri është i shumtë. Prej këngëtarëve: Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Shaqir Cervadiku, Mahmut Ferati etj. Kompozitorët: Edmond Zhulali, Valton Beqiri, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Ilir Berani etj. Tekstshkruesit: Gjokë Beci, Agim Doçi, Faruk Tasholli Ramazan Çeka, Gjovalin Lumaj, etj. 

Në evenimentet kulturore e artistike që televizionet organizojnë herë pas here a jeni vlerësuar me çmime?    

Po, jam vlerësuar shumë herë, por unë zakonisht veçoj Festivalin "Akordet e Kosovës"  në vitin 1985 ku u vlerësova me dy shpërblimet e para, atë të jurisë profesionale, kryetare e së cilës ishte Nexhmije Pagarusha si dhe shpërblimi i parë i publikut! Vlen të theksohet se në këtë festival merrnin pjesë këngetarët më në zë të Kosovës! Atë vit isha i vetmi këngetar i pa afirmuar dhe po ashtu i vetmi ku për mua ishte eksperienca e parë që të performoj me formacion të madh të orkestrës. Kjo fitore imja bëri bujë në Kosovë edhe për faktin që festivalin e fitoi një këngetar i panjohur, pasi që deri në këtë festival paraqitjet e mia nëpër skena ishin vetëm me instrumenta folklorike.    

E veçanta juaj është se, përveçse përformoni live, njëkohësisht jeni i njohur edhe si instrumentist i talentuar, pasi jeni një artist që pothuajse i zotëroni të gjithë instrumentët muzikorë, si lahutën, fyellin, çiftelinë etj, duke mos anashkaluar edhe tekstet që ju shpesh herë i bëni vetë, çka përbën një veçori shumë pozitive, në raport me këngëtarë të tjerë, Ç'mund të na thoni më konkretisht? 

Siç e thash edhe më parë pothuajse të gjitha tekstet dhe muzikën e këngëve të mia ndër vite i kam bërë vetë. Tani kohen e fundit kam kërkuar ndihmë përsa u perket teksteve, nga ju Ramazan e jo vetëm. Të këndosh live është meritë, pasi nxjerr në pah talentin e vërtetë. Nga ana tjetër, tingëllimi e orkestrës kur është perfekt. Për tekstet mund të them një mendim të saktë se ka edhe vështirësi nëse nuk i ke lexuar si poezi më vete, por kjo gjë tek unë ka qenë një kërkesë për arritjen e suksesit, pasi në disa raste tekstet e këngëve të mia, ashtu siç e thatë edhe ju, i kam bërë vetë. Përsa i përket krijimtarisë muzikore, pra kompozimeve, vazhdimisht kanë qenë në nivelin e duhur. Pra kam arritur më së miri që të përshtas vokalin tim me krijimtarinë muzikore dhe letrare. 

Nikolla gjithmonë ka pasur pasion për këngën. Ai filloi të këndojë që në shkollën fillore në klasën e gjashtë, por si profesionist në vitet e vonshme të rinisë. Nikolla po ashtu ka qenë pjesmarrës i grupit folkloristik "Besa Trieshit" dhe më vonë ka drejtuar grupin artistik "Malësia", duke fituar disa herë vendin e parë në koncerte dhe festivale, si në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri. 

Ai ka fituar një popullaritet të gjërë, i cili shquhet për individualitetin artistik, që e bën të dallueshëm prej të tjerëve. Fama dhe vlerat e këtij këngëtari, mori trajtën e një bilbili, që me zërin e tij të bukur nuk njeh kufinj, sepse kënga e Nikollë Nikprelës ka vite që është e pranishme në të gjitha trevat shqiptare. Ai me galerinë e këngëve të tij ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm të pasurisë së madhe artistike dhe shpirtërore të Trevës së Malësisë, si dhe për ta përjetësuar madhështinë e kësaj vlere shpirtërore. 

 Cili është kontributi juaj në ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm për vlerat artistike dhe kulturore?    

Mund të them se kam qëndruar pranë shqiptarëve me zemër e mendje dhe me këngën time kam nxjerrë në dritë figurat e shquara të Malsisë së Madhe, Tuzit, Rrethinave dhe qytetit të Shkodrës me një histori të lashtë dhe legjendare, për të cilat kurrë nuk jam kursyer. 

 Në krijimtarinë e repertorit tuaj si këngëtar shumë planesh, cilat janë këngët më të njohura?    

Në repertorin e këngëve të mia, ndër këngët më të njohura mund të përmend: "Oj lulja e Malsisë", hiti i parë, si dhe "Jem Ilira jem Teuta", "Pse jem toskë e pse jem gegë", "Kaçurrelja", "Jam nji djalë fukara", etj. 

Cila është kënga më e re që keni realizuar?    

Në rrjedhën e krijimtarisë sime të re kam realizuar edhe një këngë titulluar "O tupan" me tekstin tuaj dhe muzikën e ka bërë kompzitori Edmond Zhulali "Mjeshtër i Madh", por në projektet e mia për të ardhmen kam disa ide. Kam edhe tre këngë të cilave do ua bëj vedeoklipet. Nuk do doja që të zbuloj diçka më shumë rreth këtyre këngëve, sepse mendoj se është më mirë të ruhet kureshtja e adhuruesëve të mi. 

Në të vërtetë puna e Nikollë Nikprelës si këngëtar i shquar ka shkëlqyer për afro 40 vjet në festa e dasma në Tuz, Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe në kurbet në Amerikën dhe Australinë e largët, duke qenë motivi, krenaria dhe frymëzimi i Nikollës, Atdheu dhe Kombi. E them me bindje se Nikolla ka kontribuar për Kombin tonë e në veçanti për Trevat Veriore të Atdheut, duke treguar fuqishëm mirënjohje e respekt për këngën dhe artin shqiptar.

Këtë ai e manifestoi edhe këtë fundvere me dy koncerte madhështore që u ndoqën nga mijëra spektatorë në venlindjen e tij në Tuz, ku kishin ardhur nga gjithë trevat shqiptare, nga Europa, Amerika e Australia, dashamirë e fansa të tij që i mbyllën në mënyrë kaq të bukur pushimet e tyre në Atdhe.

Krahas performancës së këtij këngëtari virtuoz, në skenë u ngjit edhe këngëtari nga Prishtina Gold AG, i cili u prit me ovacione nga spektatorët e pranishëm. Performanca e orkestrës që shoqëronte këngëtarin Nikollë Nikprelaj ishte në nivelin më të lartë artistik dhe ekzekutiv, pasi instrumentistët Samir Beqaj, Indrit Kodraliu, Arsid Çeka dhe Albin Nikprelaj janë vetë muzikantë të talentuar dhe virtuoz.

Unë pata fatin t'i ndiqja nga afër këto dy koncerte, të njihesha edhe më gjërë veprimtarinë artistike të Nikollë Nikprelës.

Si qershia mbi tortë u paraqit para spektatorëve Albini, djali i Nikollës, i cili performoi si këngëtar dhe instrumentist, duke premtuar se do të ndjek rrugën e të atit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat