Këtë vit do të jem edhe më i pranishëm para publikut - Bota Sot
Këtë vit do të jem edhe më i pranishëm para publikut

Muzikë

E martë, 16 tetor 2018

Këtë vit do të jem edhe më i pranishëm para publikut

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 23 janar 2018 Në ora: 21:21
Florent Abrashi

Këngëtari Florent Abrashi, e konsideron si të suksesshëm përpunimin e këngës së vjetër qytetare “Kush niset me bo sevda”. Ai gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, thotë se ka në plan që t`i publikojë dy këngë gjatë këtij viti. Po ashtu, në këtë intervistë mund të mësoni për planet e mëtejshme të Florentit, albumin e ri si dhe jetën private.

“Bota sot”: Kënga juaj e fundit është ‘Kush niset me bo sevda’, i cila është një ripërpunim. Nga ju erdhi ideja për  këtë ripërpunim?

Florent Abrashi: Ideja e përpunimit të kësaj kënge erdhi nga dëshira dhe nevoja që këtë këngë ta bënim me ritmike, pasi që e kishim pjesë të repertoarit, dhe e pamë që publiku kishte nevojë për diçka më shumë se origjinali.

“Bota sot”: Pse pikërisht për këngën ‘Kush niset me bo sevda’?

Florent Abrashi: Jam rritur me ketë këngë, si dhe është shume e veçantë sa i përket aspektit teknik muzikor, si dhe paraqet një fenomen kur qyteti i Gjakovës e ka adaptuar ketë kënge në repertoarin e tij, edhe pse dihet që është kënge e Shqipërisë.

“Bota sot”: Po punon Florenti me ndonjë këngë të re?

Florent Abrashi: Po punoj në disa gjëra të reja në të njëjtën kohë, i’a kam vendosur vetës një synim shumë të guximshëm, që këtë vit të publikoj dy këngë. Jam shumë i ngazëllyer për komplet procesin kreativ që do fillojë.

“Bota sot”: Gjatë intervistave të mëparshme keni deklaruar se medoemos do të bëni një album, a keni filluar të punoni rreth tij?

Florent Abrashi: Dëshira për një album qëndron ende, por fatkeqësisht ende nuk kam filluar punën për këtë projekt. Është proces shume i lodhshëm, dhe nuk është shume punë e vlefshme, por kur të bëhet, do e bëj për vete, që të jem me i përmbushur si artist.

“Bota sot”: Ju keni marrë pjesë në shumë festivale, por në këtë vit a do të jeni pjesë e ndonjërit nga festivalet që do të zhvillohen?

Florent Abrashi: Po, e kam parashikuar një pjesëmarrje në një prej festivaleve të këngës, por do jetë një pjesëmarrje me ndryshe, me synime jo të fitores, por të paraqitjes sa me të denje; thjesht dua ta shijoj më shumë skenën.

“Bota sot”: A keni menduar të bëni një koncert recital me orkestër të plotë?

Florent Abrashi: Ky koncert lidhet ngushte me albumin që kam parashikuar, pra jam duke e menduar konceptin se si do të duket dhe si do të tingëllojë ky lloj koncerti, si dhe materialin që do përmbajë.

“Bota sot”: A do të ishte me lehtë të bëhej një gjë e tillë në Tiranë a po në Prishtinë, pasi që atje edhe keni marrë disa hapa të rëndësishëm në karrierë duke përfshirë këtu pjesëmarrjen tuaj në The Voice of Albania 3?

Florent Abrashi: Ky koncert do të përfshije tri ose katër qytetet më të mëdha shqiptare në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, pasi që gjatë paraqitjeve të mia në këto vende, kam kuptuar që kemi përcjellës dhe dëgjues të muzikës sonë, kështu që do ishte padrejtësi që të mos paraqitemi atje.

“Bota sot”: A e ndjeni vetën fatlum pasi ju keni pasur ngritje në karrierën tuaj pas “The Voice of Albania 3”, pasi që disa nga pjesëmarrësit në këtë të fundit në një mënyrë apo tjetrën karriera e tyre ka filluar dhe përfunduar aty?

Florent Abrashi: Aq sa e ndjej vetën fatlum, më duhet të jem realist, që shumica e “suksesit” pas “the Voice”, i atribuohet punës që unë dhe grupi kemi bërë. Është si pasojë e investimit tonë, si dhe paraqitjes sa më të madhe në media nga më të ndryshmet. E paralajmëroj publikun që ketë vit do të jem edhe me i pranishëm para tyre.

“Bota sot”: Ju  jeni vazhdimisht aktivë nëpër mbrëmje dhe këndoni live, cilat janë vështirësitë e të kënduarit live?

Florent Abrashi: Ndër vështirësitë më të mëdha që kam hasur në mbrëmje është konsumimi ilegal i duhanit brenda hapësirave të mbyllura, tymi i të cilit shkon direkt në mushkëritë e këngëtarit dhe ndikon tejskajshmërisht keq. Një tjetër vështirësi është edhe aspekti teknik, apo zërimi që përdoret nëpër lokale i cili jo gjithmonë është adekuat, por si gjithmonë, në duhet të jemi të përshtatshëm me rrethanat.

“Bota sot”: Cila është kënaqësia e të kënduarit live?

Florent Abrashi: Një numër i konsiderueshëm i kolegëve tuaj këndojnë nëpër mbrëmje dhe koncerte playback, a keni menduar të bëni edhe ju të njëjtën gjë?

-Faktikisht edhe e kam provuar atë metode të performimit, por nuk kam arritur kurrë që ta mësoj gojën edhe trupin që të gënjej para publikut. Është shume më e lodhshme por përfundimisht është më e vlefshme dhe me e pastër, bile edhe publiku e vëren dhe e vlerëson me shume.

“Bota sot”: Flasim pakëz për jetën tuaj jashtë skenës së muzikës, si është një ditë normale e Florentit?

Florent Abrashi: Kohen më së shumti e kaloj duke pushuar mendjen me muzikë, si dhe me vallëzim latin, por nuk mungojnë kafet e zakonshme me shoqëri në lokalet e Prishtinës.

“Bota sot”: Ku i kalon ditët  kur  nuk keni mbrëmje apo koncerte?

Florent Abrashi: Ditët i kaloj në Prishtine me familje apo shoqëri, por ndodhe edhe që udhëtojmë nëpër qytete të ndryshme shqiptare, për të vizituar shokët dhe koleget e rinj që i kemi njoftuar nëpër paraqitjet tona.

“Bota sot”: Kohë me parë keni deklaruar që  jeni në lidhje dashurore, kur do ta njeh publiku partneren tuaj?

Florent Abrashi: Zakonisht jetën private mundohem qe t’a mbaj sa më të fshehur, dhe do të mbetet kështu edhe në të ardhmen.

“Bota sot”: A keni në plan fejesën , pse jo edhe martesën?

Është ende shumë herët për të deklaruar diçka të tillë, karriera po me merr shumë kohë dhe energji, kështu që më duhet që të pres pak deri sa të gjej një qetësi shpirtërore dhe fizike, për të marrë këtë hap kaq të madh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test