Politikanë, njerëz të artit, këngëtarë dhe personazhe të njohura nga bota e spektaklit vlerësuan figurën e mbretëreshës së muzikës soul, Aretha Franklin, e cila vdiq dje në moshën 73-vjeçare, në Detroit.
Më poshtë vijojnë disa nga vlerësimet e këtyre figurave:
Barack dhe Michelle Obama: Në zërin e saj ne ndjejmë historinë tonë… fuqinë dhe dhimbjen tonë, errësirën dhe dritën tonë.
NAACP: Mbretëresha e përjetshme e soulit, Aretha Franklin është simbol ikonë e krenarisë së njerëzve me ngjyrë, muzika e së cilës preku kaq zemra dhe shpirtra.
Donald Trump: Ishte një grua e madhe, me një dhuratë të mrekullueshme nga Zoti, zërin e saj. Do të na mungojë!
Paul McCartney: Franklin na frymëzoi për kaq e kaq vite. Ajo do të na mungojë, por kujtimi i madhështisë së saj si muzikante dhe qenie e mrekullueshme njerëzore do të jetojë përjetë me ne.
Barbra Streisand: E vështirë të konceptosh botën pa të.
Hillary Clinton: Ajo meriton jo vetëm respektin tonë, por edhe falenderimin tonë pasi na hapi sytë, veshët dhe zemrat.
Elton John: Kam qenë me fat që kam kaluar shumë kohë me të dhe që isha i pranishëm në koncertin e saj të fundit. Artistja më e madhe e muzikës soul e të gjitha kohërave.
Carole King: Çfarë jete. Çfarë trashëgimie. Kaq shumë dashuri, respekt dhe mirënjohje.
Hugh Jackman: Një nga këngëtaret më të mira të të gjitha kohërave.
John Legend: Përshëndetje mbretëreshës. Vokalistja më e madhe që kam njohur.
Kate Hudson: Një frymëzim i vërtetë. Faleminderit Aretha.
Ricky Martin: Humbëm një nga më të mëdhatë.
Shania Twain: Një grua dhe një zë i pabesueshëm.
Lenny Kravitz: Ishim të bekuar të dëgjonim më të mirën që Zoti kishte ofruar te zëri i saj.