Aretha Franklin dhe gjurma e saj në pejzazhin muzikor

Muzikë

Aretha Franklin dhe gjurma e saj në pejzazhin muzikor

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 22:35
Legjenda e muzikës, Aretha Franklin

Legjenda e muzikës, Aretha Franklin, e njohur si Mbretëresha e Muzikës Soul nga miliona adhurues, u nda nga jeta të enjten në moshën 76-vjeçare. Aretha konsiderohej një nga artistet më të mëdha amerikane. Gjatë karrierës së saj të gjatë ajo ka shitur miliona disqe, ka marrë vlerësime të panumërta, ndër to 18 Çmime Grammy dhe ka gëzuar admirimin e disa brezave artdashës si brenda, edhe jashtë vendit.

Në 1967, me interpretimin e këngës "Respect" Aretha Franklin u bë e njohur në të gjithë vendin dhe siguroi çmimin e parë Grammy, nderimi më i lartë për një artist në lëminë muzikore.

Kënga u bë një himn i fuqizimit të gruas.

“Të gjithë duan respekt, nga më i vogli tek më i madhi, tek ai në mes. Burrë, grua, të gjithë duam respekt, të gjithë duam të jemi të vlerësuar. Për mua kjo këngë ka të njëjtin kuptim tani si atëherë kur e këndova për herë të parë,” thoshte Aretha.

Dhe për 60 vjet në karrierë, artistja arriti të sigurojë pikërisht atë që donte, respekt…

…si nga artistë të tjerë, ashtu edhe nga figura publike, presidentë e miliona adhurues në mbarë botën.

Në rrugëtimin e saj artistik ajo shënoi suksese të shumta.

Kur mbushi 52 vjeç ajo u bë personaliteti në moshë më të re që nderohej me Çmimin prestigjoz të Qendrës Kennedy. Ajo ishte një ndër 14 amerikanë të shquar që në 2005 mori Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Aretha ishte një artiste energjike që ka interpretuar në koncerte të panumërta, përfshirë edhe në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit Barak Obama.

Ata që e njihnin thonin se ajo ishte po aq impresionuese në kontaktet personale, sa edhe në skenë.

“Muzika është shpirti im, është pjesë e vetvetes sime. I jam dhënë muzikës për gjithë jetën. Do të më dëgjoni deri në fund duke kënduar… 'What you want? Baby I got it.' ”, shprehej Aretha.

Mbretëresha e Muzikës Soul mund të jetë ndarë nga ne fizikisht, por ne do të ruajmë përjetësisht thesarin muzikor që ka lënë për brezat.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat