Eja, eja Luleborë

Muzikë

Eja, eja Luleborë

Nga: Ramazan Çeka Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 13:23
Ilustrim

Përsëri ky fund tetori, i pikturuar si asnjëherë nga penelatat e kësaj vjeshte të ngrohtë e të butë, përcolli atmosferën e vet në skenën e Teatrit "Migjeni", këtij tempulli të artit shkodran dhe mbarëkombëtar, duke grishur qytetarët artdashës të Shkodrës në edicionin e tretë të këngës qytetare "Luleborë"

Ky festival e ka zanafillën e tij rreth tridhjetë vite më parë, por për arsye të ndryshme, kryesisht të tranzicionit u desh të vinte viti 2016, kur ai do të formatohej e rikonceptohej përsëri dhe nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me Teatrin "Migjeni" dhe do të vinte me shumë sukses në edicionin e parë para artdashësve që e dashurojnë kaq shumë këtë këngë. Ai do të vinte me krijimtari të reja dhe me interpretime të reja dhe në çdo edicion do të vihej re pjesëmarrja e artistëve të rinj përkrah atyreve më të vjetër.

Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës Qytetare "Luleborë" edhe këtë vit erdhi i freskët ashtu si lulet e oborreve shkodrane me 17 këngë, krijime dhe interpretime të reja.

Skenaristja Ermira Alia ishte kujdesur që në startin e këtij koncerti të mrekullueshëm, të revokonte historikun se si lindi kjo këngë e mrekullueshme që është kënduar dhe këndohet edhe sot me dashuri në të gjitha trevat shqiptare.

Kënga "Luleborë" lindi si një dashuri e pastër rinore, kur kompozitori i shquar Simon Gjoni, atëherë një mësues i ri, dashuronte një vajzë gjimnaziste. Ishte viti 1946. Kjo vajzë e bukur në një ditë me borë, kur luante me shokët në oborrin e shkollës, i ngjante këtij artisti të madh, që më vonë do të bëhej bashkëshorti, si një lule topçe, e bardhë si bora, ashtu si lulebora në oborret shkodrane.

Poeti Zef Pali bëri tekstin, kompozitori Simon Gjoni muzikën dhe që atëherë kënga "Luleborë" u bë hit i muzikës lirike shqiptare.

E paraqaitur përmes një inserti, kjo histori u prit me nderim nga spektatorët shkodranë që ishin ngritur në këmbë me respekt dhe u duartrokit gjatë.

Kështu startoi festivali që do të zgjaste dy netë më radhë. Hapja e siparit u prit me admirim, sepse përpara publikut u shpalos një dekor i gjallë, i gëzuar e i ndritshëm ku spikasnin tre monitorë gjigandë që ilustronin përmbajtjen e këngës së radhës. Skenografi Adnan Kastrati kishte hedhur atje shpirtin e tij si një artist shkodran.

Dalja në skenë për të prezantuar festivalin e moderatores Rudina Dembaci, nuk qe një surprizë për publikun, pasi kjo vajzë e talentuar është e njohur në Shkodër ku ka studiuar, por edhe punuar si gazetare, por surprizuese u bë aftësia e saj profesionale që me gjallëri e humor mbajti të lidhuar atë urë të padukshme komunikimi që lidh skenën me publikun.

Festivali u hap me këngën "Gzimi jem" të kompozitorit Enis Mullaj, për të vazhduar me ritëm e duartrokitje 17 këngët konkuruese.

Organizatorët e Festivalit e në mënyrë të veçantë Drejtoresha e Teatrit "Migjeni", njëkohësisht edhe regjisore e këtij festivali të mrekullueshëm Rita Gjeka, kishin menduar që orkestra në ekzekutimet e saj të këngëve të drejtohej nga tre dirigjentë të shquar të skenës shqiptare. Kështu para publikut u paraqitën Jetmir Barbullushi, Kujtim Alia "Mjeshtër i Madh" dhe Ilir Zoga, i cili së bashku me maestro Roland Gulin ishin edhe udhëheqës artistikë të festivalit.

Këngët u kënduan live dhe u shoqëruan nga orkestra e mrekullueshme e Teatrit "Migjeni".

Në mes të sallës, në një tavolinë nderi të mbushur me lule të freskëta kishte zënë vend juria e festivalit, një juri me personalitete të nderuar që fillimet e karrierës së tyre artistike i kanë pasur në Shkodër, aty ku kanë lindur dhe kanë hedhur hapat e parë të jetës dhe të artit.

Në këtë juri merrte pjesë Mjeshtria e Madhe e skenës Roza Anagnosti (Xhuxha), "Nderi i Kombit", kompozitori Robert Radoja, sopranoja e teatrit të operas e baletit Sabahet Vishnja, këngëtari shumëdimensional Bashkim Alibali dhe kompozitori i mirënjohur Markeljan Kapedani.

Një  e papritur e këndshme për publikun, një surprizë e paharrueshme do të mbetet në kujtesën e të gjithëve, një tufë me lule të freskëta që aktorja Rita Gjeka, në emër të të gjithë shkodranëve i dhuroi artistes së madhe Roza Anagnosti me rastin e ditëlindjes së saj, të cilën ajo më 27 tetor po e festonte në një mënyrë krejt të veçantë, mes një publiku që nuk pushonte duartrokitjet dhe urimet, ashtu si vetë ajo kur u ngjit në skenë për të falenderuar Shkodrën e saj.

Pranë Jurisë kishte zënë vend edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës znj. Voltana Ademi, që natyrisht ka të gjitha meritat për rikthimin dhe organizimin e këtij Festivali, që ashtu siç është shprehur edhe herë të tjera do të bëhet një traditë për brezat që vijnë, si një fidanishte e pashterrshme e këngëve dhe e luleve.

Këtu nuk do të ndalemi tek analizat e krijimtarisë dhe interpretimit, por vlen të theksohet se këngët që u paraqitën në konkurim ishin njëra më e bukur se tjetra. Ishin ndërthurur motivet popullore me muzikën e kultivuar, me serenatat e bukura shkodrane e pse jo edhe me elemente të muzikës së lehtë. Diçka e veçantë ishte edhe muzikimi i veprave të poetëve të mëdhënj si Filip Shiroka, Migjeni, Qemal Draçini e Fadil Kraja. Një gjë e tillë natyrisht tregonte edhe seriozitetin e përgatitjes për të ardhur deri këtu.

Festivali zgjati dy netë. Ishin dy netë feste për jetën kulturore artistike të qytetit. Në përfundim të tij Juria shpalli tre çmimet fituese.

Me çmim të parë dhe me kupën e festivalit u nderua kënga: "Shko dallndysh", teksti: Filip Shiroka, kompozimi e orkestrimi: Tonin Tarnaku, kënduar nga Rezarta Smaja.

Me çmim të dytë u nderua kënga "Ka dal' syni", teksti Jorgo Papingji "Mjeshtër i Madh", muzika: Luan Dagistani, orkestruar nga Edmond Zhulali "Mjeshtër i Madh", kënduar nga Mukades Çanga "Mjeshtre e Madhe".

Çmimi i tretë iu dha këngës "Mall për Shkodren", teksti: Fadil Kraja "Mjeshtër i Madh", kompozuar nga Edmond Zhulali "Mjeshtër i Madh", kënduar nga Luiz dhe Laorjan Ejlli.

Festivali u regjistrua nga të gjitha televizionet lokale, si dhe Televizioni Publik Shqiptar.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat