Polifonia shqipe para publikut të Lubjanës

Muzikë

Polifonia shqipe para publikut të Lubjanës

Nga: Skënder Zogaj Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 19:35
Interpretim i mrekullueshëm i këngës arbëreshe “Kopile” nga 11 vashat e talentuara

Pavarësisht nga mungesat e shumta të Kosovës, sidomos rreth liberalizimit të vizave, që po e privon dëshirën e qytetarëve të  Kosovës për të qenë pjesë e botës së lirë dhe e proceseve civilizuese të  saj, shqiptaret e Kosovës, bijtë dhe bijat e saj, edhe brenda kushteve tejet modeste, me shumë sukses po arrijnë  të shprehin vlerat më të mira të traditës sonë të lashtë, duke dëshmuar se kemi vlera të mira, që u konkurrojnë denjësisht edhe arritjeve më të larta bashkëkohore të popujve të vendeve më të zhvilluara. Viti 2018 do të shënohet me shkronja të arta për sukseset e jashtëzakonshme në arenat ndërkombëtare, sidomos në sport e në muzikë, që pasqyruan madhështinë e shpirtit krijues të shqiptarëve. Në fund vitin 2018, padyshim që të janë të shumtë emrat e krijuesve kosovarëve që do të veçohen dhe lavdërohen. Në këtë vistër, padyshim që e ka vendin edhe krijuesja kosovare, Alma Bejtulahu, e cila, në Slloveni, me shume sukses, tash e 10 vjet, është duke e afirmuar këngën polifonike shqiptare, bashkë me vlerat e zgjedhura muzikore të Sllovenisë dhe Gjeorgjisë.

Për punën e mrekullueshme krijuese të Alma Bejtullahut u bindëm në koncertin e Ansamblit vokal “Kvali” të shfaqur në Lubjanë, që ishe një ngjarje vërtetë emocionuese, që kënaqi auditorin slloven me përmbajtjen e pasur të koncertit që përbëhej me këngë të zgjedhura të gjeorgjianë, sllovene dhe këngë shqipe të dominuan si sasi dhe cilësi, dhe që impresionuan publikun, i cili me duartrokitje, lule dhe përqafime të ngrohta  falënderoi Almën dhe 10 shoqet e saja:  Adelina Grad, Barbara Svetek, Barbara Dovjak, Jasna Klinc, Marina Anzhiç, Nevenka Çrnko, Petra Trobec, Sabina Vodlan, Yulia Roschina dhe Ursha Shivic.

Këto 11 vokaliste të mrekullueshme, janë bashkuar në vitin 2008 dhe kanë themeluar Ansamblin vokal “Kvali” në Lubjanë, dhe qe 10 vjet bëjnë punë shumë të vlershme krijuese, në kultivimin dhe afirmimin e vlerave muzikore edhe interpretuese, të shkollave dhe kulturave të ndryshme kombëtare. Orvatja e këtyre vashave është shumë e veçantë sepse, ka qëllim ndërlidhjen e krijuesve dhe ndër komunikimin e vlerave muzikore të popujve të ndryshëm. Mbi këtë kriter ishte formuluar edhe koncertit që ndoqëm në Lubjanë, që përbëhej nga këngët e zgjedhura sllovene, gjeorgjiane dhe shqipe, me këtë përmbajtje:  religjiozet - “Rachuli alilo”, “Kriste asdga”, “Megruli alilo”, “Tsmindao”; ritualet popullore - “Nanina”, “Gonja”, “Nanila”, “Kviria”; kënga e vajtimit – “Dedamogikovdesa”; këngët e punës - “Elesa” dhe “Khertlis naduri”; kënga kalorësiake -“Aralo”; vallet - “Tashi bicho” dhe “Jilveloy”; si dhe këngët shqipe: “Kopile” (arbëreshe), “Ballët me sedefe”, “Hapi sytë”, “Ç’të ndrijnë leshrat moj Esma”(vlonjate), “Perëndia ka premtu” dhe kënga e mirënjohur gjithë popullore “Si dukati i vogël je”.

Ndonëse kishim të bënim me krijime popujsh të ndryshëm, koncerti shprehu unitet sublim të forcës artistike, që tregon se arti i mirëfilltë nuk njeh kufij popujsh, por është i kushtëzuar nga vlera artistike dhe performanca e nivelit të interpretimit. Në rastin konkret, 11 artistet e talentuara, impresionuan publikun me vokalet e tyre solistike dhe korale, që ishin të një profesionalizmi të lakmueshëm. Ansambli në tërësi funksionoi në mënyrë ekselente, duke zotëruar shkëlqyeshëm edhe pjesët e krijimeve të huaja muzikore, duke i asgjësuar shkëlqyeshëm vështirësitë e fonetikave gjuhësore, por të specifikave muzikore, sidomos, kur është fjala për këngët shqipe, me përbërje tingullore qe nuk i kanë gjuhët e tjera, siç janë shkronjat: y, dh, th. Por, kjo barrierë nuk u vërejt fare-fare, aq sa Ansamblit vokal “Kvali” në këtë drejtim, këndoi pastër shqip, aq sa duhet t’ia kenë lakmi edhe ansamblet simotra në trevat shqiptare.

Vlerë e veçantë e koncertit ishin 6 këngët shqipe, që e pasqyruan vlerën artistike të polifonisë shqipe, e cila u inkorporua bukur në tërësinë artistike të koncertit. Alma Bejtullahu, brenda frymës kolektive, korale, u shqua me tisin personal interpretues. Në zërin e saj kishte kolorit muzikor, koncentrim të vokalit të saj, theksim të saktë fraze me nuanca dhe variacione fikse tingullore, që Alma i shprehu me përjetim të duhur, duke shprehur talentin e saj te mirëfilltë e të plotë kuptimtë interpretues të këngës polifonike.

Ansambli Vokal “Kvali”, ka organizuar dhe ka performuar në dhjetëra koncerte me muzikë sllovene, shqiptare dhe gjeorgjiane anembanë Sllovenisë. Ka vizituar edhe Prishtinën, Gjakovën dhe Prekazin, mirëpo, themi se, ky ansambël duhet të jetë shumë më I pranishëm në skenat muzikore të Kosovës sepse, është ansambël nga i cili që artistet kosovarë kanë shumë për të mësuar.

Në fund nuk mund të mos e themi se, Alma Bejtullahu e meriton falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për punën e vlershme artistike dhe angazhimin vetëmohues për afirmimin e muzikës shqipe në Slloveni.

Image
Alma Bejtullahu dhe kënga “Si dukati i vogël je” mori duartrokitje frenetike
Image
 
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat