Banesat karakteristike, magjia e qytetit të një mbi një dritareve

Ndryshe

Banesat karakteristike, magjia e qytetit të një mbi një dritareve

Më: 30 mars 2019 Në ora: 11:22
Banesat karakteristike, magjia e qytetit të një mbi një dritareve

Banesat karakteristike të qytetit të Beratit janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik.

Këto banesa reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.

Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate, me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”

Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. “Mangalemi” është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë, është emblema e Beratit.

Ndërsa lagjja e Goricës, e zhvilluar që prej shekullit të 16-të është e vendosur përgjatë lumit dhe deri në kohët e fundit lidhej me Beratin vetëm nga një urë. Shumica e shtëpive kanë kopshte të gjera që i japin një karakter më rural.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. /ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat