Jep dorëheqje shefi i kompanisë “Boeing”, Dennis Muilenburg

Ndryshe

Jep dorëheqje shefi i kompanisë “Boeing”, Dennis Muilenburg

Më: 23 dhjetor 2019 Në ora: 15:56
Dennis Muilenburg

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Boeing”, Dennis Muilenburg, të hënën dha dorëheqje nga pozita e tij në kohën kur prodhimi i modelit famëkeq “737 Max” po përcillet me shumë kundërthënie.

Dorëheqja e Muilenburg-ut nga pozitat e shefit ekzekutiv dhe drejtorit të bordit ka efekt të menjëherëshëm. Prodhuesi gjigant i aeroplanëve civilë njoftoi se në postin e shefit ekzekutiv nga 13 janari do të jetë David Calhoun.

Ndërkohë shefi financiar i kompanisë, Greg Smith, do të shërbejë si ushtrues detyre i kësaj pozite të lartë gjatë periudhës kalimtare.

Prodhuesi amerikan tha se ndryshimet në udhëheqësinë e kompanisë kanë për qëllim të sjellin zotim të ri për transparencë dhe komunikim më të mirë me rregullatorët ajrorë dhe konsumatorët për kthimin në përdorim të modelit “737 Max”.

Disa ditë më parë, kompania mori vendim për ndërprerjen e prodhimit të këtyre aeroplanëve pasi Federata e Aviacionit Civil në Shtetet e Bashkuara nuk e miratuan kthimin e këtij modeli në përdorim gjatë këtij viti.

Aeroplanët e këtij modeli u larguan nga qarkullimi në mbarë botën pas dy aksidenteve fatale që ndodhën në mars të këtij viti dhe në tetor të vitit 2018. Në këto dy fatkeqësi ajrore vdiqën 346 persona, shkruan “Fox News”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat