Simbolika e ballkoneve

Ndryshe

Simbolika e ballkoneve

Më: 19 prill 2020 Në ora: 13:52
Foto Ilustrim

Federico Sirianni, këngëtar dhe tekstshkrues nga qyteti italian Turin, zakonisht ka bërë minikoncerte në lagjen e tij. Por kur së fundi i bashkoi forcat me shoqen e tij muzikante, Federica Magliano, për ta mbajtur një koncert drejtpërdrejt në ballkonet e banesave të tyre të karantinuara, ndjesia ishte krejtësisht ndryshe.

“Mund ta ndjeje përnjëmend habinë e njerëzve teksa na shikonin nga ballkonet e tyre”, ka thënë Sirianni. “Shumë njerëz na falënderuan, pasi që i bëmë të ndiheshim më pak të vetmuar”, ka shtuar ai.

Sikurse miliona italianë, Sirianni është ngujuar në shtëpinë e tij që prej momentit kur Italia u vendos në karantinë të përgjithshme më 9 mars, me qëllim të ngadalësimit të përhapjes së koronavirusit.

Dhe njëjtë si dhe miliona njerëz në kryeqendra urbane nëpër botë, ku qeveritë kanë zbatuar masa të ngjashme, Sirianni e ka rizbuluar ballkonin e tij si një lloj lidhjeje me botën e jashtme dhe si burim të shpresës dhe ndërlidhjes në kohë të izolimit të detyrueshëm.

Muajin e kaluar italianët e karantinuar dolën nëpër ballkonet e tyre për ta kënduar himnin kombëtar, për të ndezur fishekzjarrë, për të kënduar vepra operistike dhe për t’u duartrokitur punëtorëve shëndetësorë në përpjekje për ta ngritur moralin kolektiv përbrenda shtetit. Shumica e këtyre praktikave publike janë shpërndarë hovshëm nëpër botë.

Tani, meqë më shumë se gjysma e popullsisë së botës është vënë nën ndonjë formë të masave të imponuara shtetërore të distancimit social, ballkonet nga Madridi në Dubaj, nga Chicago në Zhejiang dhe nga Hamburgu në Aleksandri përnjëherë janë vënë në epiqendër dhe ua kanë rikujtuar njerëzve rëndësinë e të shikuarit jashtë dhe lidhjes me diçka më të madhe se vetvetja.

Ballkoni si hapësirë e njerëzve me pushtet

Me gjithë rëndësinë e ritheksuar kulturore të ballkoneve, këto platforma antike prej kohësh janë përdorur për rrëmbimin e vëmendjes, për bashkim dhe frymëzim të masave.

Mbi të gjitha, njëra prej skenave më të famshme dhe romantike të letërsisë perëndimore, nga Romeo e Zhulieta e Shekspirit, zhvillohet në ballkon. Pikërisht nga një ballkon në Cape Town, Nelson Mandela i sapoliruar nga burgu kishte shikuar drejt masave dhe kishte premtuar një kapitull të ri në historinë e Afrikës së Jugut. Dhe pikërisht nga ballkoni në Vatikan, Papa akoma i bekon me miliona besimtarë çdo të diele.

Ballkonet kanë qenë forma arkitekturore për mijëra vite me radhë, ndërsa rolet e tyre u janë përshtatur kulturave e zakoneve lokale të komuniteteve të ndryshme ndër shekuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat