A ka një parajsë për kafshët shtëpiake? Pronarët e tyre mendojnë se po

Ndryshe

A ka një parajsë për kafshët shtëpiake? Pronarët e tyre mendojnë se po

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 17:49
Foto ilustrim

Koncepti i kafshëve shtëpiake që shijojnë një jetë të përtejme, u bë popullor që nga shekulli i XX-të. Pronarët e kafshëve shtëpiake në atë kohë i donin shumë miqtë e tyre me gëzof. Por pronarët e sotëm të kafshëve shtëpiake, ka më shumë të ngjarë të besojnë në një jetë të përtejme, ku ata do t’i shohin sërish kafshët e tyre të ndjera.

Marrëdhëniet kuptimplota midis njerëzve dhe kafshëve – deri në vdekje dhe më gjerë – kanë ekzistuar prej mijëra vjetësh. Varret njerëzore që datojnë në Epokën e Gurit dhe atë Paleolitike mbajnë qen që mund të kenë qenë kafshë shtëpiake.

Në vitin 1881 në Londër, u hap varreza e parë publike kushtuar tërësisht kafshëve shtëpiake. Tani, të përhapura në të gjithë botën, varrezat e kafshëve shtëpiake përkujtojnë lidhjen emocionale që njerëzit ndiejnë për kafshët e tyre të dashura.

Një arkeolog pyeste veten, nëse mbishkrimet mbi gurët e varrit, mund të zbulojnë se si kanë ndryshuar marrëdhëniet e njerëzve me kafshët e tyre në më shumë se një shekull.

Ai zbuloi se mbishkrimet nga shekulli XX e këtej, gjithnjë e më shumë u referoheshin kafshëve si anëtarë të familjes, dhe jo thjesht si kafshë shtëpiake.

Me kalimin e kohës, gurët e varreve gjithashtu përfshinin më shpesh simbole të krishtera, që shprehnin bindjen se kafshët shtëpiake kishin shpirtra të pavdekshëm dhe me siguri do të ribashkoheshin me pronarët e tyre pas vdekjes.

“Varrezat e njerëzve dhe kafshëve, u zbulojnë shumë arkeologëve dhe historianëve rreth strukturës shoqërore dhe praktikave të kaluara, thotë autori i studimit Erik Turigni, lektor

në arkeologjinë historike në Universitetin britanik të Njukasëllit.

Për studimin, ai analizoi 1.169 gurë në 4 varreza kafshësh në Britani, në varre që datojnë në vitet 1881-1993. Shumica e varrimeve ishin për qen, edhe pse ka një përqindje në rritje macesh gjatë shekullit XX. Turigni zbuloi se pas Luftës së Dytë Botërore, shumë pronarë të pikëlluar të kafshëve shtëpiake i referoheshin vetes si “mami” ose “babi” në gurët e varreve.

Shpesh pronarët shtonin një mbiemër pas emrit të kafshës shtëpiake, duke treguar kështu se ato shiheshin si anëtarë të familjes, thotë studiuesi. Ndërsa epoka viktoriane po zbehej dhe shoqëria britanike u bë më laike, pati më pak ngurrim për të shprehur publikisht besimin tek shpirtrat e kafshëve, ribashkimin në jetën e përtejme, dhe cilësimin e kafshës si një anëtar të familjes.

Ky ndryshim shoqëror, ndryshoi edhe mesazhet që shkruhen mbi varrin e kafshëve shtëpiake. Për shembull, një memorial për qenin “Grit”i vitit 1900, ishte i pasigurt për perspektivën e një ribashkimi në jetën e përtejme, duke vajtuar me keqardhje:”Sikur të mendoja se do të takohemi përsëri, kjo do të lehtësonte gjysmën e dhimbjes time”.

Për krahasim, në një lapidar të vitit 1952 për “Denny” – e përshkruar si “një mace e vogël e guximshme” – deklarohej me besim:”Zoti të bekoftë derisa të takohemi sërish!”. Në përgjithësi, referencat për ribashkim në gurët e varreve janë 4-fishuar midis viteve 1940 dhe 1950, dhe u shtuan akoma më shumë gjatë viteve 1960. Dhe ndërsa madhësia dhe zbukurimi i gurëve në varrezat e njerëzve u zvogëlua pas Luftës së Parë Botërore, monumentet kushtuar kafshëve shtëpiake,bëhen herë pas here më të mëdha dhe më të fokusuara tek detajet nga mesi i shekullit XX, shkruan më tej Turigni.

Shprehja e emocioneve të forta për vdekjen e një kafshe shtëpiake, cilësohet sot si më e pranueshme nga shoqëria se sa gjatë shekullit XIX-të. Gjithsesi, njerëzit mund të ndihen ende në siklet apo të turpëruar për ndarjen publike të ndjenjave të tyre të trishtimit,dhe varrezat e kafshëve shtëpiake u ofrojnë pronarëve të pikëlluar, një hapësirë ​​për të shprehur pa u paragjykuar ndjenjat e tyre.

Në fakt, shprehja e dashurisë së ruajtur për kafshën e dashur që nuk është më, mund të jetë një burim ngushëllimi për këdo që zotëron dhe do një qen, mace apo një kafshë tjetër shtëpiake, shtoi studiuesi.

Gjatë studimit tim kam hasur shpesh njerëz që ecnin rastësisht midis varreve për t’i kushtuar pak kohë kafshëve që nuk i takuan kurrë. Më bëri përshtypje fakti, që varrezat e kafshëve shtëpiake janë hapësira emocionale, jo vetëm për ata që i varrosën aty shumë kohë më parë, por edhe për ata që aktualisht ia kushtojnë kohën e tyre kafshëve shtëpiake”- theksoi Turigni. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat