Rrahja spektakolare në Rinas, zbulohet arsyeja pse francezja goditi shoqen shqiptare

Ndryshe

Rrahja spektakolare në Rinas, zbulohet arsyeja pse francezja goditi shoqen shqiptare

Më: 5 shtator 2016 Në ora: 09:00
ilustrim

Një incident i pazakontë ndodhi pasditen e së shtunës në terminalin e Aeroportit të Rinasit. Dy vajza, njëra franceze dhe tjetra shqiptare, u përfshinë në një konflikt fizik, duke u goditur me grushte dhe duke u kapur prej flokësh.
 

Burime nga Policia thanë se u desh ndërhyrja e efektivëve të Policisë Kufitare që dy vajzat, njëra 19 e tjetra 20 vjeçe, të lëshonin njëra-tjetrën. Ndërsa pas këtij momenti, vajza shqiptare, e cila ishte edhe e dëmtuara në këtë histori, nuk deshi ta linte me kaq.

Ajo u drejtua për në Komisariatin e Rinasit, ku bëri kallëzim për vajzën franceze, e cila në fakt ishte shoqja dhe mysafirja e saj në Shqipëri. Policia e Shtetit tha dje se vajzat që u përfshinë në këtë konflikt fizik janë 19-vjeçarja nga Franca, me iniciale H.D. dhe 20- vjeçarja shqiptare banuese në Tiranë, me iniciale K.D, raporton “Panorama”

Kjo e fundit ka denoncuar për dëmtime të tjera me dashje shtetasen e huaj, ndaj së cilës mësohet se ka nisur procedim penal nga Komisariati i Kufirit dhe Migracionit të Rinasit. Ndërsa materialet në ngarkim të saj janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, edhe për akuzën e prishjes së qetësisë publike.

Ngjarja ka shkaktuar jo pak rrëmujë në terminalin e Aeroportit “Nënë Tereza”, pasi në atë moment aty ndodheshin dhjetëra pasagjerë që prisnin të udhëtonin, te tjerë që vinin në Shqipëri dhe të afërm të tyre.

Kanë qenë pikërisht dëshmitarët e shumtë, që nuk kanë arritur t’i ndajnë vetë dy vajzat që ziheshin e për këtë arsye kanë lajmëruar policinë. Pas incidentit të ndodhur në terminalin e Aeroportit “Nënë Tereza”, të dyja vajzat, e dëmtuara dhe autorja, janë shoqëruar për të dhënë deklarimet e tyre në Komisariatin e Rinasit.

Burimet thanë se dy vajza janë shoqe me njëra-tjetrën. Ato janë të dyja studente në Francë, ku edhe janë njohur. Prej disa ditësh, francezja H.D. kishte ardhur në Shqipëri me ftesë të shoqes së saj nga Tirana, K.D., e cila e kishte mirëpritur në shtëpinë e saj.

Madje, prej disa ditësh ishte bërë edhe guida e saj turistike, duke i treguar disa vende të Shqipërisë. Por ditën e shtunë, kur vajza shqiptare po përcillte për në aeroport mikeshën e saj nga Franca, duket se është krisur edhe miqësia e tyre.

Disa minuta vonesë ka bërë që vajza e huaj të humbasë fluturimin, pasi avioni me të cilën ajo do të udhëtonte ishte ngritur në ajër. Për këtë arsye, ajo ka fajësuar shoqen e saj, të cilën e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte e duke e kapur nga flokët./panorama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat