Londër, dy të dënuar arratisen nga burgu falë…dronit

Ndryshe

Londër, dy të dënuar arratisen nga burgu falë…dronit

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 12:23
Matthew Barker (majtas) dhe James Whitlock, dy të arratisur nga burgu londinez

Dy kriminelë të rrezikshëm kanë organizuar një arratisje moderne nga burgu i Pentonville në Londër, në zemër të kryeqytetit britanik, duke marrë një mjet prerës nga aparati fluturues, me të cilin prenë hekurat e qelisë.

Ashtu si në një film. Ashtu si në filmin e kohëve moderne “Arratisje nga Alkatrazi”.  Por kjo ka ndodhur në zemër të Londrës. Dy të burgosur të rrezikshëm, arritën të shpëtojnë nga burgu i Pentonville, një nga burgjet më famëkeqe të kryeqytetit, i vendosur në Caledonian Road, një rrugë në afërsi të stacionit hekurudhor dhe rrugës metropolitane “Kryqi i Mbretit” dhe ngjitur me “St Pancras Station”. Pra, një nga zonat më të ngarkuara të qytetit, në mes të lagjeve të modës Camden dhe Islington. Nuk është vetëm vendi ku ndodhej burgu ajo që ka befasuar, por edhe plani i pabesueshëm dhe i teknologjisë së lartë të përdorur nga dy të burgosurit për të shpëtuar.

Matthew Barker, 28 vjeç, i dënuar për tentativë vrasjeje, dhe James Whitlock, 31, i cili ishte duke vuajtur një dënim për vjedhje, sa për të cituar dy akuzat e fundit të një serie të gjatë të krimeve, u arratisën në natën në mes të dielës dhe të hënës. Disa ditë më parë, në bazë të rindërtimit të ngjarjes sipas shtypit, një dron kishte lëshuar një mjet të mprehtë që shërbente për prerjen e diamanteve në oborrin e burgut gjatë orës së ajrimit.. Një nga dy të burgosurit, ose një bashkëpunëtor, e kapi dhe e fshehu atë në qelinë e përbashkët të Matthew dhe James në katin e pestë. Duke përfituar nga rrethanat e jashtme për të mbuluar zhurmën, të dy kanë prerë shufrat e dritares së qelisë, pastaj duke i kanë lënë më pas ato në vend deri sa përmbushën misionin e tyre.

Natën e arratisjes, mbështollën dhe lidhën me njëri-tjetrin një çarçaf për të formuar një litar të fortë e të mjaftueshëm dhe fshehën rrobat e tyre nën krevat për të dhënë përshtypjen e të qenit në gjumë. Duke dalë nga dritarja, ata kanë përdorur një tub të jashtëm që i ka çuar pranë një parvazi të një dritareje dhe më pas kanë ecur pak mbi të para se të hidheshin në çatinë e ndërtesës së burgut. Në këtë pikë, duhej të ishte ora rreth 23:00 e natës, ata kaluan murin e jashtëm më shumë se tre metra të lartë, pasi kishin lidhur litarin të përgatitur me çarçafë në fletët e një oxhaku. Një plan i mirëmenduar, që kërkonte bashkëpunëtorë jashtë burgut: jashtë ishte sigurisht dikush që i priste me një makinë për t’i larguar prej andej.

Por edhe kjo për momentin është një hipotezë. Policia britanike ka shpërndarë identikitin e dy të arratisurve, duke paralajmëruar popullatën që bëhet fjalë për dy individë të rrezikshëm dhe këshilluan që t’i shmangin. Në zonën e banuar pranë burgut, ekziston një frikë që të arratisurit janë fshehur në ndonjë vend aty pranë për të kërkuar të qëndrojnë deri sa të sigurohen që nuk ndiqen nga policia. Para dy netësh në Pentonville, prindër të ndryshëm kanë ftuar fëmijët e tyre të rikthehen në shtëpi më shpejt se zakonisht, duke siguruar mirë kyçjen e dyerve.

Ndërkohë forcat e rendit kanë nisur kërkimin për Barker dhe Whitlock, dy të dënuarit të arratisur nga një burg në qendër të Londrës sikur të ishte ishulli i Alkatrazit. Duke prerë hekurat me një limë të ardhur nga qielli… nga një dron. Arratisja e parë e këtij lloji në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat