22 vjet shitës i gazetave në plazhe

Ndryshe

22 vjet shitës i gazetave në plazhe

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 17:03
Shitësi i gazetave në plazhe

Me kapele në kokë dhe gazetat në dorë, Isai, 54-vjeçari nga Dushku i Lushnjes, shet gazeta për pushuesit në zonën e Plepave në Durrës.

Isai, që të gjithë e njohin me emrin Noçja, nofkë që i ka mbetur për shkak të një personazhi të Big Brother, ka mënyrën e tij të të dhënit të lajmeve.

Për t’i bërë interesante, komenton me zë të lartë zhvillimet, ndërsa shëtit mes çadrave të pushuesve, duke i joshur të blejnë gazetat me të cilat siguron të ardhura, edhe pse të pakta.

Ka 22 vjet që shet gazeta dhe stina e verës është e preferuara e tij.

Shpesh i duhet edhe të emigrojë drejt Greqisë për të punuar, por thotë se e do vendin e vet, ndaj kthehet përsëri: “Shtegtoj në Greqi, por kam edhe ullinj në Dushk”.

Edhe pse shumë pushues i lexojnë lajmet në internet dhe shumë gazeta kanë kaluar “online”, Noçja thotë se nuk e njeh krizën. Në fund të ditës, çanta e tij mbetet bosh, por edhe kur kjo nuk ndodh, kriza është e lexuesve. Jo e tij.

Një pushues thotë: “Gazetat i lexojmë nga pak. Marrim opinionin e tyre mbi ngjarje të politikës e të ditës. Noçja na tërheq vëmendjen. I ka atraktive. Natyrisht i blejmë”.

E tani që verës po i vjen fundi dhe më 10 shtator pushuesit e fundit largohen nga plazhet e shtëpive të pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, Isai nuk udhëton më nga Dushku në Durrës. Ndërpret shitjen e gazetave, por jo punën. Ullinjtë dhe përpunimi i tyre e presin në Dushk të Lushnjës, po ashtu edhe puna sezonale në Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat