Topi: Dhimbje e thellë për humbjen e pazëvendësueshme të Zhegës

Ngushëllime

Topi: Dhimbje e thellë për humbjen e pazëvendësueshme të Zhegës

Më: 13 qershor 2012 Në ora: 15:20

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një mesazhi të bërë publik të mërkurën, shprehu ngushëllimet dhe dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të shquar dhe trajnerit të Kombëtares shqiptare, Mehdin Zhega.

"Dje u nda nga jeta futbollisti i talentuar dhe trajneri i përkushtuar e i nderuar, i cili ia kushtoi gjithë jetën me devotshmëri e profesionalizëm sportit dhe edukimit e drejtimit të brezave të rinj të futbollistëve, duke mbetur i gdhendur përjetë në kujtesën tonë për vlerat e tij të rralla njerëzore e qytetare, si dhe për talentin mjeshtëror dhe dijet e vlefshme sportive, me të cilat drejtoi me dinjitet e krenari Kombëtaren tonë të futbollit", thuhet në mesazhin e Topit.

"I bindur se jeta e vepra e tij do të mbeten gjithnjë mes nesh dhe se mirënjohja e respekti për të nuk do të shuhen kurrë duke e vlerësuar jo vetëm si një futbollist virtuoz, si një njeri zemërgjerë dhe shembull për të gjithë ne që kemi pasur fatin ta njohim nga afër e të përjetojmë me të momente të veçanta e mbresëlënëse, duke duartrokitur e vlerësuar dhuntitë dhe vlerat e tij njerëzore dhe sportive, edhe një herë më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme!", përfundon mesazhi i Presidentit, drejtuar familjarëve të futbollistit të madh.

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare Mehdin Zhega ndërroi jetë të martën pasdite, në moshën 66-vjeçare. Ai pësoi një aksident në mjediset e familjes para një viti në Kanada, ndërkohë që më pas u soll për trajtim të mëtejshëm në Tiranë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat