Kryetari LDK-së Mustafa ngushëllon familjen Podrimja dhe popullin e Kosovës

Ngushëllime

Kryetari LDK-së Mustafa ngushëllon familjen Podrimja dhe popullin e Kosovës

Më: 21 korrik 2012 Në ora: 17:29

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të LDK-së për ndarjen nga jeta të poetit tonë të mirënjohur, Ali Podrmija.
Në vijim po e japim tekstin e mesazhit të ngushëllimit të Kryetarit Mustafa:
E nderuara familje Podrimja,
Të nderuara qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në emër të gjithë anëtarësisë dhe strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të poetit tonë të madh, Ali Podrimja.
Lajmi për shuarjen e Tij na ka tronditur të gjithëve, sepse Ali Podrimja ishte një krijues me dhunti të veçanta, një poet që kaherë i kishte kapërcyer kufijtë nacionalë, duke u bërë vlerë e artit të përbotshëm.
Ali Podrimja ka qenë dhe do të mbetet emblemë e poezisë së krijuar në Kosovë, po edhe të poezisë shqipe në përgjithësi. Ndaj, ikja e tij është një goditje e rëndë për të gjithë komunitetin tonë letrar e artistik.
Ali Podrimja ishte ndër krijuesit e brezit të njohur të letrave shqipe, i cili, më 1971, botoi në “Rilindje” tekstin me titull "Vox Clamantis in Deserto" (Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë). Ky tekst kritik e programatik, i nënshkruar nga krijues të tjerë, miq të Podrimjes, si Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Gani Bobi, Mensur Raifi etj., jo vetëm që pati bërë bujë të madhe, por qe shndërruar në një lloj manifesti edhe për brezat e mëvonshëm krijues, sidomos në Kosovë, sepse ishte i pari tekst që hapur i shpallte luftë realizmit socialist në letërsi dhe në artet e tjera.
Me të gjitha veprat e tij, po sidomos me kryeveprën “Lum Lumi”, Ali Podrimja arriti ta universalizojë dhimbjen dhe tragjedinë personale, arriti që vargun shqip ta skalisë përsosmërisht.
Në këto çaste të rënda dhimbjeje, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me familjen Podrimja dhe me të gjithë ata që e njohën dhe e deshën poetin më në zë të Kosovës, Ali Podrimja, vepra e të cilit do të jetojë gjatë, si një shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit dhe i lidhjes së një krijuesi me fatin e vendit të tij.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Dr. Isa Mustafa

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat