Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ngushëlluar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, me rastin e sulmit me bomba në maratonën në Boston, me ç’rast janë vrarë tre vetë dhe plagosur më se 100 të tjerë.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ngjarjen tragjike, që ndodhi në Boston, me ç’rast humbën jetët qytetarët tuaj”, shkruan Thaçi në telegramin e tij dhe vazhdoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i gjithë populli kosovar u është mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme, që i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira, por edhe tani kur shteti ynë po konsolidohet drejt rrugës auroatlantike”.
Kryeministri i Kosovës thekson se “në këto ditë të dhimbshme jemi me ju dhe me familjet e viktimave” dhe përfundon se “në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimnet më të sinqerta Ju dhe populli juaj”.