Në luftën e Kosovës morën pjesë rezervistë dhe ushtarakë të pensionuar rusë

Opinione

Në luftën e Kosovës morën pjesë rezervistë dhe ushtarakë të pensionuar rusë

Nga: Ragip Guraziu Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 11:48
Ragip Guraziu

Sipas zëdhënësit të Ministrisë për Mbrojtje të Rusisë, Vladimir Mukhinit, në luftën e Kosovës morën pjesë rezervistë dhe ushtarakë të pensionuar rusë. Komandanti i Ushtrisë të rajonit të Lindjes së Largët të Rusisë, Viktor Çeqevatov, kishte parashtruar kërkesë në gjeneralshtabin rus për të dërguar kontraktnikë në Serbi. Është tërësisht e mundshme se disa nga kontratnikët rusë që luftuan në Kosovë, në fakt, kanë mundur të jenë zyrtarë rusë, anëtarë të njësisë elitë policore paramilitare OMON dhe SOBR, brigada komando e Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU), brigadat “Spetsnaz” apo njësitë ajrore, siç është Divizioni i 76 i Gardës Pskov dhe Regjimenti 331 që është në kuadër të Divizionit 98 Kostroma, anëtarë të të cilëve u dërguan në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë si paqëruajtës pas përfundimit të armiqësive që u bë në verë të vitit 1999. Kontratnikët rusë, në mënyrë rutinore, arrinin nëpërmes Beogradit dhe nuk hasnin në probleme me zyrtarët serbë edhe pse nuk kishin bagazh me vehte e që jepnin shenja të qarta se po shkonin në luftë. Vullnetarët e plagosur rusë mjekoheshin në spitalet e Serbisë.

Dr. Bernar Kushner (Bernard Kouchner), përfaqësues special i sekretarit të OKB-së në Kosovë, sikur edhe gjenerali Ueslli Kllark (Wesley Clark), komandant i forcave amerikane gjatë operacioneve të NATO-s në vititn 1999, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e kontratnikëve rusë në spastrim etnik, sidomos në rajonin e pjesës jug – perëndimore të Prishtinës. Më 22 qershor 1999 Pentagoni ka konfirmuar zyrtarisht se kontratnikët rusë kanë luftuar në anën e forcave serbe në Kosovë dhe ka premtuar që hetuesit e krimeve të luftës do të ekzaminojnë rolin e Rusisë në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. Kanë kaluar ,jo edhe shumë vjet qëkur është dhënë ky premtim e qëkur janë ngritur aktakuzat kundër kriminelëve kryesorë serbë të luftës, të cilët organizuan krime të tmerrshme në Kosovë, por ekzekutuesit e këtij organizimi, siç janë Vladimir Mijasnikov, koloneli Igor Saburov dhe kontratnikët tjerë rusë që arrijnë shifrën mbi 150, mbetën ende të lirë.

Disa nga rusët që vullnetarisht shërbenin në MUP, u dërguan në Brigadën Intervenuese 124 të njësisë speciale policore, të cilën njësi më vonë e dekoroi Milosheviqi për “shërbim” në Kosovë. Rusët që shërbyen në MUP punuan ngushtë me korpusin e tretë të Prishtinës që komandohej nga gjeneralmajori Vladimir Lazareviq, me batalionin 52 të policisë të udhëhequr nga majori Zhelko Pekoviq, dhe me brigadën 549 të motorizuar, që komandohej nga koloneli Bozhidar Deliq. Një brigadë speciale ishte stacionuar në Gërmi (pushimore afer Prishtinës) dhe nga kjo bazë operonin kontratnikët rusë. Kontratnikët rusë që shërbenin në këtë brigadë bartnin uniformë të rregullt të MUP-it, në ngjyrë të kaltër dhe të beretave të kuqe, e cila gjë i bënte të padallueshëm nga policia serbe.

Operationi Patkoi: dërgimi i trupave – 1998

Disa nga kontratnikët rusë kanë shërbyer edhe në dy njësitë speciale të forcave “antiterroriste” të MUP-it. Anëtarët e njësisë 700 anëtarëshe (SAJ), kanë qenë të stacionuara në Prishtinë nën komandën e Zoran Simoviq Tutinac. Kontratnikët rusë, sikur edhe anëtarët e SAJ-it, bartnin uniformë ngjyrë kafe të mbyllur dhe maska të zeza në kokë, me vrima për sy. Komandantët e MUP-it, të SAJ-it, gjenerali Obrad Stevanovq, gjeneralmajori Senta Milenkovq si dhe komandanti i gjeneralshtabit të MUP-it, Sreten Lukiq, ishin përgjegjës dhe në mbikëqyrje të kontratnikëve rusë. Ata vepronin të lidhur ngushtë me gjenerallejtënantin Geza Farkash, shefin e Shërbimit të Sigurimit (inteligjencës ushtarake) të Ushtrisë Jugosllave.

Oficeri serb i inteligjencës, Franko ‘Frenki’ Simatoviq, ishte komandant i Forcave Speciale (JSO) të Sigurimit Shtetëror Serb (RDB), kurse miku i tij Raja Bozoviq dhe ish-shefi i policisë së Beogradit, Radomir Markoviq, dërguan në Kosovë edhe trupat e tyre të beretave të kuqe. Djemtë e ‘Frenki’-it, siç ishin të njohur, në Kosovë operuan së bashku me formacionet tjera paramilitare, siç ishin “Shqiponjat e Bardha” (nën komandën e Milan Lukiqit dhe kushëririt të tij, Sredoje Lukiqit) dhe “Tigrat”, siç kishin vepruar në Bosnjë  në operacionet për spastrime etnike kundër boshnjakëve.

“Tigrat” e Arkanit, “djemtë” e Frenkit dhe “shqiponjat e bardha” të Sheshelit, të gjitha së bashku janë paraqitur në Skënderaj të Drenicës në Kosovë në janar të vitit 1998. Arkani, kapiten Dragani (një shtetas australian me origjinë serbe) dhe kontratnikët rusë operuan së bashku, duke bërë shumë krime në luginën e Drenicës, që u bënë në dimër dhe në pranverë të vitit 1998. Në fillim të marsit 1998 kontratnikët rusë të njësive shtetërore jugosllave morën pjesë në masakrat që u bënë në Prekaz të Ulët. Ky operacion, nën pretekstin e sulmit kundër njësive të UÇK-së, zgjati disa ditë dhe përfundoi më 5 mars. Në qershor 1998, kontratnikët rusë i identifikuan edhe një herë në Kosovë kur anëtarë të LDK-së, me anë të radiolidhjeve, vërtetuan që disa ushtarë në uniformë të gjelbërt të Ushtrisë Jugosllave flisnin rusisht në rajonin e Deçanit. Dëshmitarët shqiptarë në verë të vitit 1998 tregonin se kontratnikët rusë bartnin maska në fytyrë dhe flisnin në rusisht në fshatin Korenicë, ku i vranë 4 meshkuj shqiptarë dhe ua dogjën shtëpitë. Një mercenar rus, 40-vjeçar, duke përdorur emrin Igor Novikov, e që më herët kishte shërbyer në JNA në Bosnjë, luftoi edhe në Kosovë. Sipas Novikovit, kontratnikët rusë kanë qenë në detyrë në Kosovë nga vjeshta e vitit 1998.

1999

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, kontratnikët rusë dhe paramilitarët serbë të Bosnjës kanë qenë aktivë në rajonin e Rahovecit gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s më 1999. Kjo qendër ka mbledhur raporte të dëshmitarëve për krimet që kanë bërë kontratnikët rusë në Rahovec mes muajit mars dhe qershor të vitit 1999, gjatë fushatës së bombardimeve. Kontratnikët shpeshë kanë ndalur civilë shqiptarë në Rahovec dhe i kanë plaçkitur. Gjithashtu, kanë vënë shumë mina anti-personel në qytet dhe rreth qytetit, e cila gjë shkaktoi vdekje të numërta në mesin e popullatës shqiptare të Rahovecit.

Në pranverë të vitit 1999, 60 kontratnikë rusë ishin angazhuar në sulm kundër qytetit të Prizrenit, ku mbetën të vdekur 22 civilë shqiptarë. Gazetari amerikan, Roj Gutmen (Roy Gutman), që punonte për gazetën “Newsday” të Nju-Jorkut, raportonte se kishte vullnetarë rusë edhe në vijat e frontit të vrasjeve që u bënë në fshatrat Krushë e Madhe, Piranë, Samodrazhë, Korishë, Bellacërkë, Pustosellë dhe Drenoc. Në prill të të njëjtit vit, në afërsi të Pashtrikut, UÇK kishte zënë rob një mercenar rus, i cili barte uniformë të gjelbër të ushtrisë jugosllave. Po ashtu, në prill, gazeta e përditshme ruse “Novje Izvestia” reportonte për arritjen e një kufome në Moskë e që ishte trupi i pajetë i 34-vjeçarit Fjodor Shulga, një mercenar që kishte luftuar në anën e serbëve në Kosovë dhe i cili më parë kishte udhëtuar për Serbi si turist. Me vazhdimin e bombardimeve të NATO-s, në fund të majit 1999, UÇK-ja ia dorëzoi Kryqit të Kuq kufomën e një mercenari rus, 34-vjeçarit, lejtenant Vitali Bukharin (apo Bulakh), të cilin e kishin vrarë në fushëbetejë. Bukharini, deri në vititn 1997, kishte qenë komandant i një njësie të Ministrisë Ruse për Emergjenca.

Mercenari rus në Gjakovë vrau tre civilë shqiptarë!

Shumë herë gjatë luftës, njësitë e UÇK-së kishin ndërhyrë në radiolidhje dhe kishin dëgjuar bisedat e kontratnikëve në gjuhën ruse, të cilët në muajin maj ishin të angazhuar në fshatin Xërxë dhe në Bellacerkë. Po ashtu, gjatë të njëtit muaj, kontratnikët rusë janë vërejtur në Pejë, një qytet në Kosovën Perëndimore, duke bartur uniformë të gjelbër të ushrtisë jugosllave, por që flitnin rusisht, duke i këshilluar njësitë serbe të mbrojtjes ajrore për përdorimin e taktikave kundër aeroplanëve të NATO-s. Kontratnikët në prill të vitit 1999 janë pa edhe në qytetin e Gjakovës (30 mila në veri të Prizrenit), të armatosur dhe në uniformë të ushtrisë jugosllave.

Dëshmitarët shqiptarë kanë theksuar se një kontratnik rus ka udhëhequr njësitë paramilitare serbe në aksionet shkatërruese që kanë bërë në Gjakovë dhe në Mitrovicë. Në Gjakovë, një mercenarë rus, pjesëtar i brigadës 549 të motorizuar të armatës së tretë të ushtrisë jugosllave, i ka prirë një grupi tetanëtarësh të serbëve vendas, të cilët ishin me maska kur sulmuan shtëpinë e një shqiptari, nëna e të cilit shqiptar ishte ruse dhe e cila e identifikoi mercenarin rus. Aty, mercenari rus me dorë të vet vrau tre burra shqiptarë.

Edhe pse kontratnikët rusë ishin në kuadër të zinxhirit komandues të Ushtrisë Jugosllave, kishte raste kur ata dilnin jashtë tij. Një njësi, me përafërsisht 100 kontratnikë rusë dhe paramilitarë serbë, është bërë e ditur se ka dalë jashtë disiplinës ushtarake dhe ka hyrë në fshatin Zhegër (Gjilan) në fund të marsit 1999, ku abuzuan popullatën vendase. Dy ushtarakë me gradë të lartë u hoqën nga pozita e tyre pasi që kjo njësi, madje, i brengosi edhe civilët serbë të këtij vendi. Duke tentuar që të kontrollohen kontratnikët, njësia u shpërbë dhe pastaj u formuan banda të vogla që vazhduan të shkonin rrugëve të ndryshme, duke shkaktuar probleme të mëdha në fshatrat e këtij rajoni. Ushria jugosllave dhe njësitë e MUP-it filluan të bartnin shirita me ngjyra në kraharor me qëllim që të dalloheshin nga kjo njësi renegate.

Nacionalitetet tjera

UÇK ka deklaruar se, pos rusëve, ka patur edhe mercenarë të nacionaliteteve tjera, siç ishin bellorusët, rumunët dhe grekët e që ishin të përfshirë në radhët e forcave serbe. Ata jo vetëm që luftuan në beteja, por ishin të angazhuar edhe në transportimin e municionit, vendosjen e minave dhe në ndërtimin e autoblindave të rrejshme. Paguheshin nga 300 deri në 400 marka gjermane në muaj.

Në fund të majit 1999, kontratnikët rusë, në mesin e tyre izraelitë me origjinë ruse, janë vërejtur në “Grand Hotel” në qendër të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe kontratnikët rusë ishin pjesë e një bande ekzekutorësh që vranë së paku katër civilë në fshatin Korenicë. Besohet që kjo bandë është formuar nga serbët që u përjashtuan si të papërshtatshëm nga ushtria jugosllave, e cila bandë udhëhiqej nga një izraelit (ish-shtetas sovjetik), i quajtur David Ben Ami. Diku rreth 40 izraelitë janë raportuar të kenë marrë pjesë në kuadër të forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Vullnetarët izraelitë, të gjithë imigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish- ushtarë të Armatës së Kuqe, luftuan kryesisht në njësitë e përziera ruso-serbe në forcat jugosllave. Izraelitët, disa në fakt nuk ishin fare jevrej, por ishin të martuar me gra jevreje, nga ku kishin marrë shtetësinë izraelite dhe ishin veteranë të luftës në Afganistan dhe në Çeçeni.

Ekzistonte edhe një numër i mercenarëve nga Evropa Perëndimore që luftuan për Milosheviqin në Kosovë. Në mesin e tyre kishte gjermanë, francezë, finlandezë dhe danezë. Një danez 26-vjeçar foli për gazetën daneze “Extra bladet”, duke treguar se paguhej 400 dollarë në muaj. Gjatë shërbimit të tij kishte vrarë 20 civilë shqiptarë. Më vonë u arrestua nga autoritetet daneze dhe u akuzua për krime të luftës.

Igor Saburov – Noki, kishte marrë pjesë në vrasjen e qindra civilëve në rrethin e Prizrenit

Roj Gutmen shkroi për kontratnikët rusë në të cilët hasi me 13 qershor 1999 në Prizren. Atje ai kishte parë një rus të gjatë muskuloz e me mjekër të krehur, i cili pozonte para fotografëve me dy shokë të luftës, duke i mbajtur lart pushkët automatike dhe duke u përshëndetur me tre gishta të ngritur dhe me bërtimë, duke recituar parulla serbe në një përzierje të rusishtes, anglishtes dhe serbishtes. Kjo kishte ndodhur pak çaste para se ta lëshonin Kosovën, siç diktonte Marrëveshja Teknike Ushtarake, e nënshkruar para disa ditësh në mes të NATO-s dhe Qeverisë së Milosheviqit. Kur trupat gjermane mbërrinë në Prizren, kontratnikët u paraqitën përsëri në dy autobusa dhe në një mercedes të lyer me ngjyrë kafeje kamuflazhi, për t’iu ikur shqiptarëve vendas dhe NATO-s. Kontratnikët u larguan vetëm atëherë kur gjermanët sollën dy topa artilerikë dhe iu urdhëruan që të dalin sa më shpejt nga ndërtesa që e kishin okupuar.

Mjekëroshi rus, të cilin e kishte pa Gutman, ka qenë me siguri Vladimir Mijasnikov, i cili ishte udhëheqës i kontratnikëve rusë që luftonin për Milosheviqin. Mijasnikov operoi rrejshëm nën cilësinë e diplomatit rus, por që besohet të ketë qenë anëtar i GRU-së. Ai dhe koloneli Igor Saburov (në Kosovë i njohur me nofkën ‘Noki’), i kishte udhëhequr disa kontratnikë rus që kishin marrë pjesë në vrasjen e qindra shqiptarëve dhe në shkatërrimin e qyteteve dhe fshatrave në rrethinën e Prizrenit, siç ishte rasti në Tusus ku këta vranë 34 shqiptarë dhe dogjën qindra shtëpi me datën 26 maj të vitit 1999. Disa shqiptarë vendas kishin vënë re se kontratnikët, në uniformë kamuflazhi, me maska dhe me shirita rreth kokës, bartnin thika të gjata, pinin cigarillos dhe flitnin në mes vete në gjuhën ruse dhe greke. Madje, edhe në mesin e forcave serbe, koloneli Saburov ishte shumë famëkeq për shkak të brutalitetit të tij ekstrem ndaj civilëve shqiptarë.

Herët, në mëngjesin e 16 majit, një grup me gati 100 “Tigra” të Arkanit, në mesin e të cilëve ishte Vladimir Mijasnikov, kishte ardhur në Bilbildere, në periferi të Prizrenit ku kishte ekzekutuar dy civilë shqiptarë. Të afërmit e dy shqiptarëve të vrarë kishin qenë në gjendje ta njohin Mijasnikovin nga fotografia, edhe pse ai ishte i lyer me ngjyrë nën sy dhe në pjesë tjera të fytyrës. Edhe pse në raportet e mëhershme thuhej që vullnetarët rusë ishin personel ushtarak në pension dhe jo aktiv në shërbim, profesionistët udhëheqës siç janë Saburov dhe Mijasnikov, ofrojnë indikacione se disa nga kontratnikët rusë ishin personelë aktivë në detyrë dhe se ishin dërguar nga qeveria ruse për të shërbyer në MUP dhe në VJ.

Milosheviqi pranon njohurinë e rastit – detyra e Tribunalit të Hagës

Gjatë gjykimit për krime të luftës që është duke vazhduar në Hagë, Milosheviqi ka pranuar se ka njohuri të plotë për prezencën e vrasësve kontratnikë rusë në Kosovë. Përfshirja e zyrtarëve rusë në këto krime, disa nga të cilët ende janë në funksion, ilustrohet me sa vijon: Në prill të vitit 1999, ministri i Federatës Jugosllave të Mbrojtjes, Pavle Bulatoviq kishte bërë një marrëveshje me autoritetet ruse që këtyre t’ua dorëzojë pjesët e aeroplanit ushtarak amerikan F117 Stealth, të shkatërruar pasi që ishte rrëzuar nga serbët. Ministri jugosllav këtë e kishte bërë pjesërisht në shenjë të falënderimit për shërbimet që kishin dhënë kontratnikët rusë dhe pjesërisht për shkak të kërkesës nga autoritetet ruse. Gjenerali Aleksandar Koshelnik, komandanti i kontigjentit rus të forcës paqëruajtëse në Kosovë (KFOR), ka pranuar mundësinë e pjesëmarrjes së disa mercenarëve rusë në Kosovë.

Në maj të vitit 2000, gjenerali Dragoljub Ojdaniq, i cili qe bërë ministër serb i mbrotjes, vizitoi Moskën, përkundër faktit se ishte akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, për atë që kishin bërë trupat serbe dhe ruse në Kosovë. Ojdaniq kishte udhëtuar në Rusi për të diskutuar prospektet për një bashkëpunim ushtarak me ministrin rus të mbrojtjes, Igor Sergejev, dhe shefin e gjeneral shtabit, Anatoli Kvashnin. Përkundër fletarrestimit ndërkombëtar, të lëshuar nga Tribunali i Hagës, gjenerali Ojdaniq u prit ngrohtë në Moskë dhe qëndroi së bashku me zyrtarë të huaj, duke shikuar paradën ushtarake ruse në Sheshin e Kuq. Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, prandaj autoritetet në Moskë kanë qenë të obliguara që ta paraburgosin Ojdaniqin si të dyshuar për krime të luftës. Nuk është vështirë të dihet pse rusët dështuan ta bëjnë këtë.

Dr. Bernar Kushner (Bernard Kouchner), përfaqësues special i sekretarit të OKB-së në Kosovë, sikur edhe gjenerali Ueslli Kllark (Wesley Clark), komandant i forcave amerikane gjatë operacioneve të NATO-s në vititn 1999, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e kontratnikëve rusë në spastrim etnik, sidomos në rajonin e pjesës jug – perëndimore të Prishtinës. Më 22 qershor 1999 Pentagoni ka konfirmuar zyrtarisht se kontratnikët rusë kanë luftuar në anën e forcave serbe në Kosovë dhe ka premtuar që hetuesit e krimeve të luftës do të ekzaminojnë rolin e Rusisë në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. Kanë kaluar ,jo edhe shumë vjet qëkur është dhënë ky premtim e qëkur janë ngritur aktakuzat kundër kriminelëve kryesorë serbë të luftës, të cilët organizuan krime të tmerrshme në Kosovë, por ekzekutuesit e këtij organizimi, siç janë Vladimir Mijasnikov, koloneli Igor Saburov dhe kontratnikët tjerë rusë që arrijnë shifrën mbi 150, mbetën ende të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat