Fushatë e ulët mediatike kundër ambasadores Alma Lama

Opinione

Fushatë e ulët mediatike kundër ambasadores Alma Lama

Nga: Gëzim Muqolli Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 10:50
Alma Lama

Në Kosovë nëpër disa gazeta e portale online po vazhdon fushata e ulët denigruese kundër ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S. zonjës Alma Lama .

Është vështirë të kuptohet dashakeqësia dhe aversioni patologjik që po shprehin disa gazetarë të pakurriz dhe disa redaktorë gazetash dhe portalesh ndaj zyrtares së shtetit e cila me vendim politik jo edhe aq të qartë është shkarkuar nga detyra e saj institucionale.

Shkarkimi i saj ka shkaktuar , siq duket ndjenjën e vetëkënaqësisë te disa njerëz që do të duhej të ishin në vijë të parë për të mbrojtur dinjitetin e personave zyrtarë dhe ligjorë e sidomos për të mbrojtur të vërtetën e madhe për të cilën në shkurt të vitit 2016 publikisht u deklarua vetë ambasadorja , atëhere deputete e Parlamentit të Kosovës e zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve.

Kosova përditë po degradon moralisht dhe politikisht ku edhe etika gazetareske është shëndërruar në antivlerë te disa gazetarë e redaktorë të pavlerë që blihen e shiten për para,sa herë të fryjnë erat që mund të ndërrojnë pushtetetin , qeverinë apo parlamentin.

Ndër ata deputetë që patën guximin moral dhe qytetar të ruajnë dinjitetin e tyre , më e vendosura u tregua atëhere pikërisht zonja deputete Alma Lama. Ajo para një presioni të pashembullt , tregoi se kreu detyrën e të zgjedhurit të popullit dhe shkoi e mori pjesë në votim.
Edhe pse nuk duhej treguar votën e saj ajo për hir të realitetit u shpreh shqip: JO dhe JO. Nuk ia dhashë votën Thaçit .

Arsyeja më e madhe që e shtyu ambasadoren e tashme, ish- deputeten e atëhershme , që të merrte pjesë në votim ishte siq shprehej vetë se në një klimë dhune me gaz lotësjellës e shishe molotovi që po mbillte anarki nëpër rrugët e Prishtinës , ajo pikërisht nuk deshi ta shihte Kosovën të rrëshqiste drejt shkatërrimit total dhe luftës civile të mundshme , siq pati ndodhur në mars të vitit 1997 në Shqipëri.

Sa nga ju , ore gazetarë, sot e keni harruar atë klimë, të cilës i patët kontribuar edhe vetë ?!

Sa të poshtër e dashakqinj deri në kufij të një racizmi brenda etnik shkoni kur sulmoni vazhdimisht kaq ulët ambasadoren Lama ! Pse nuk morët shembull nga guximi i saj qytetar, nga arsyeja e shëndoshë e ruajtjes së shtetit kur të tjerë po gërryenin përditë me destruktivitet sistemin tonë parlamentar dhe institucional?

Pse nuk mësuat asnjëhere si përkthehet "Raison d'etat" në kushtet e politikës kosovare? Apo ndoshta në shkrimet tuaja kërkoni gjithmonë të mishëroni Nicolò Machiavellin në mënyrën tuaj të menduarit, shkruarit dhe vepruarit.

Është e turpshme ajo që lexohet jo rrallë këtyre ditëve në faqet elektronike të disa portaleve dhe gazetave që mbahen si më të lexuarat në Republikë. Turp që vetëm ata mund ta dijnë se pse veprojnë kështu duke sulmuar vazhdimisht punën e madhe e të ndershme që ka kryer ambasadorja Lama në dy vitet e para të mandatit të saj që iu ndërpre padrejtësisht dhe pa ndonjë arsyetim të denjë për opinion.

A ndikon te ju kompleksi i inferioritetit duke ditur se zonja Alma Lama është dëshmuar edhe si gazetare e madhe e një profili tjetër më të lartë që shumë nga juve ju duhet kohë për ta arritur? Pati arritur që ta intervistonte edhe mikun e madh të Kosovës, Richard Hoolbruk derisa të tjerëve nuk iu pat dhënë mundësia.

Edhe nominimin e saj ambasadore në Romë , disa nga ju e keni vajtuar gjithmonë duke e quajtur turpshëm si "favor" apo "dhuratë" nga Presidenti i Republikës H.Thaçi. Votimi për Presidentin e Republikës është bërë në shkurt të vitit 2016 kurse ambasadorja Lama ka filluar punën e saj si diplomate në Romë në nëntor 2016.

Presidenti Hashim Thaçi natyrisht është më i mençur se ju dhe më demokrat dhe si burrështeti nuk i bënë favore askujt por ai kryen detyrat e tij kushtetuese dhe institucionale. Po të ishte si mendoni ju , ai kurrë nuk do ta kishte dekretuar emërimin e saj si ambasadore, duke e ditur deklarimin e saj publik se nuk kishte votuar pro zgjedhjes së tij për president.

Ambasadorja u dekretua që të vinte në Romë sepse nuk kishte asnjë kandidat më të denjë e të përgatitur për ta kryer funksionin e ambasadorit në qytetin të cilin jo rastësisht që nga lashtësia latinët e kanë quajtur Roma Caput Mundi (Roma kryeqytet i botës).

Natyrisht se nuk është e thjeshtë dhe e lehtë të dërgohet dikush ambasador në Romë, kur dihet se aty është edhe Vatikani dhe Papa. Nuk është njëlloj sikur të dërgosh në vendet ballkanike ku me diplomaci hahen edhe qoftet dhe bureku. Roma do persona që pos mençurisë politike kanë edhe përgatitje kulturore. Diplomacia e hollë që tjerret pallateve të Romës ku gjenden të akredituar më shumë se 200 ambasadorë nga i gjithë globi, kishte nevojë për një person si zonja Alma Lama, të përgatitur me njohje edhe të gjuhëve të huaja që të dijë edhe të flasë dhe të diskutojë e jo vetëm të buzëqesh në takime zyrtare protokollare. 

Pra jam i bindur se Presidenti Thaçi nuk i bëri asnjë nder zonjës ambasadore , por ai kur dekretoi emërimin e saj ambasadore i bëri nder të madh Republikës së Kosovës e sidomos mërgatës së shkëlqyer kosovare në Itali e cila te ambasadorja e re gjeti përfaqësuesen e denjë të shtetit si zëdhënsen e nevojave dhe të drejtave të tyre.

Në Prishtinë është lehtë të flasësh, edhe të gënjesh e të poshtërosh figura të ndershme edhe nëpër gazeta. Edhe të nxjerrësh e të shitësh të pavërteta që pasi të përsëritesh bëhen të vërteta të rrejshme. Krejt për inati, për zili profesionale,bile edhe për racizëm antishqiptar. Sigurisht kur edhe ndër gazetarë ka ndonjë të tillë që shquhet për mercenarizëm.

Por mos harroni se në Prishtinë mund të rrejsh shumë lehtë! Do të gjendet vazhdimisht dikush që do t'iu besoj rrenave tuaja.

Por ejani e rreni këndej në Evropë. Ejani e rreni në Romë e gjetiu. Këtu nuk shiten rrenat!

Ejani ju t'ia spjegoni mërgatës kosovare pse u shkarkua ambasadorja Alma Lama?

Ejani e spjegoni edhe arbëreshve të Italisë të cilët e duan dhe respektojnë shumë për angazhimin e saj në kontaktet me diasporën tonë etnike më të vjetër!

Ju ftoj t'ju spjegoni edhe autoriteteve dhe miqve italianë në Romë e Itali, nëpër institucione , universitete, dhoma të tregëtisë, asemble komunale e regjionale ku vazhdimisht ka punuar për interesin e shtetit të Kosovës!

Ejani e spjegonju ju sepse ne nuk mund të përsërisim rrenat tuaja.

Kësaj nuk i gjëmohet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat