Rezistenca Shqiptare kundër pushtuesit të atëhershëm jugosllav dhe ndikimi i demonstratave të vitit 1968 në zgjimin tonë kombëtar

Opinione

Rezistenca Shqiptare kundër pushtuesit të atëhershëm jugosllav dhe ndikimi i demonstratave të vitit 1968 në zgjimin tonë kombëtar

Nga: Sadri Rexhepi Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 22:39
Ilustrim

  Populli i Kosovës, i gjetur menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pra, pas vitit 1945 në një shtetrrethim nga ripushtimi i tretë serbo-jugosllav nuk u pajtua me  atë gjendje, ndaj sikur edhe në historitë e mëhershme e vazhdoi rrugën e  çlirimit.Ishte ajo kohë kur forcat  shqiptare të udhëhequra nga  Adem Gllavica me 2 dhjetor 1944 sulmon grupet serbo- çetnike me uniformë partizane në  Ferizaj, forcat shqiptare në krye me Mulla Idriz Gjilanin sulmuan brigadat serbo- çetnike me unformë partizane me 23 dhjetor1944 në Gjilan. Në shkurt të vitit 1945 shpertheu kryengritja në krye me Shaban Polluzhen në Drenicë,pastaj  ishte vendosur shtetrrethimi jugosllav me 8 shkurt 1945.Ndodhi edhe nje gjenocid  ndaj popullit shqiptare i njohur si  masakra e Tivarit me,1 prill 1945 e quajtur si  varri më i madh në Evropë  ku u vranë rreth 5000 veta. Mbajta e kuvendit famëkeq e Prizrenit me, 8-10 korik 1945 e që u mbajt në rrethana te jashtëzakonshme  ku u aprovua Rezoluta për bashkimin e Kosovës me Serbinë.

Gjithashtu,vitet e 50-ta  ishin shumë të rënda për të gjithë shqiptarët,ndaj të cilëve filloj të zbatohet aksioni famkeq i mbledhjes armëve dhe kofiskimi i të gjitha llojeve të ushqimeve te quajtur  vishak (tepricave) te cilet i plaqkiten si;gurë,miser,fasulë,pemë,perime si dhe kafshët shtëpiake,me një fjalë për të ju marrur kafshatën e gojës, per t’i nënshtruar e gjunjëzuar popullin shqiptarë . Per këtë arsye u maltretuan rreth 40000 veta shumë prej tyre vdiqen në vend e pjesa tjetër me kalimin e kohës kanë vdekur si pasojë e atyre tuturave brutale e çnjerëzore.Si pasojë e asaj dhune makabre ndaj shqiptarëve liridashës u shpërngulen shumë shqiptarë duke u larguar nga trojet etnike nëpër  Evropë dhe Amerikë.

Së këndejmi, ajo rrugë e çlirimit nga sundimi i ri serbo- sllav nuk ishte e lehtë, sepse me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore nisi Lufta e Ftohtë, në të cilën periudhë, Jugosllavia, përkatësisht Serbia  e thelluan sundimin mbi popullin shqiptar te Kosovës dhe përgjithësisht popullin shqiptar i ndarë nga trungu shqiptar.

Në ato rrethana, vetëdija kombëtare e shqiptarëve për çlirim dhe për bashkim me shtetin amë, Shqipërinë sa vinte dhe ngrihej edhe më fuqishëm. Historia flet se, hapa të rëndësishëm të rezistencës tonë kombëtare ndaj pushtimit serbo-sllav  u intensifikuan menjëherë pas vitit 1945, dhe në këtë drejtim duhet veçuar themelimin e Organizatave atdhetare ilegale me në krye Gjon Sereqi,Ramë Govorin, Halim Spahiu,Halim Orana, Ajet Gërguri, Sabit Kapitin, Shaban Shalen,Metush Krasniqin, Adem Demaçin dhe kështu me radhë.  Pra, populli i Kosovës, pavarësisht rrethanave shumë të pa volitshme për te, asnjëherë nuk u gjunjëzua nga terrori politik, ushtarak, policor dhe ideologjik i shtetit jugosllav, përkatësisht i Serbisë. Mbi këtë qëndrim heroik, do të thoshim të pa mposhtur të popullit tonë, ajo betejë  kombëtare e udhëhequr nga Ilegalja Shqiptare  u ngritën themelet, jo vetëm të rezistencës sonë kombëtare, por edhe të kundërshtimit të rreptë kundër atij pushtimi sllav.

Të gjitha ato veprimtari, e  aktivitet te rezistencës shqiptare, i prirë nga Lëvizja Ilegale për Çlirimin e shqiptarëve  i dha shpirt, i dha zemër, i dha fuqi rezistencës sonë kombëtare e cila me demonstratat e vitit 1968 e fuqizoi epopenë e lavdishme të rezistencës sonë kombëtare ndaj ripushtimit serbo-sllav. Prandaj, edhe në këtë 50-vjetor të demonstratave të mëdha të popullit shqiptar në Kosovë dhe ish Jugosllavi  themi se, historia e angazhimit  për liri, për emancipim kombëtar dhe për fuqizimin e rezistencës sonë ndaj pushtimit nuk ka pasur ndërprerje, nuk ka pasur shkëputje, por ishte kontinuitet i angazhimit  për çlirim, pavarësi që, kulmoi me fitimin Flamurit, Universitetit, Kushtetutës së  vitit 1974  elemente që trasuan rrugën  drejt  themelimit të shtetit të Kosovës.  Po në atë vit u kremtu 500 -vjetori i vdekjes së Skenderbeut e katër vite më vonë u mbajt Kongresi i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Tiranë, në  vitin 1972.

Në simpoziumin që u mbajt me rastin e përkujtimit të 50- vjetorit të demonstratave të vitit 1968 edhe një herë u permenden  se organizatorët kryesor kanë qenë: Osman Dumoshi,  Adil Pireva,  Skënder Muqolli, Xheladin Rekaliu, Ilaz Pireva, Skënder Kastrati,  Afrim Logja,Selatin Novosella, Ibrahim Gashi kurse  mbeshtetja e tyre kanë qenë Ismail Dumoshi,  Metush Krasniqi, Kadri Halimi, Hyrije Hana,  Sabri Novosella. Ndërkaq frymëzuesi kryesor për zhvillimin e demostratave të vitit 1968 si në Kosovë  ashtu edhe për gjithë trojet shqiptare në ish-Jugosllavi ishte  Adem Demaqi.

Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë u krijuan rrethana të reja për homogjenizimin  mbi bazat politike, kombëtare të popullit tonë. Prandaj ky fakt duhet veçuar sepse, një herë e përgjithmonë i tërë populli i Kosovës u bë bashkë, gjithnjë nën udhëheqjen e Lëvizjes Ilegale  për çlirim dhe se  të bashkuar ishim më të fortë, jo vetëm për të rezistuar pushtimin serbo- sllav, por edhe për të ardhur deri te çlirimi  i plotë  i tojeve tona. Demonstratat e vitit 1968  i dhanë kurajo, i dhanë moral, i dhanë shpirt secilit pjesëtar të popullit tonë që, me vendosmëri të ecnim kah liria andaj, i madh dhe i vogël, bujk  e intelektual u rreshtuam për krah idealit të lirisë, përkrah flamurit tonë kombëtar dhe guximit skenderbegian.

Ndërsa, demonstratat e vitit 1968 ishin një vazhdimësi e rezistencës sonë kombëtare, jo vetëm për barazinë e Kosovës me ish republikat tjera jugosllave, por në fakt, për çlirimin definitiv të popullit tonë nga sundimi serbo-sllav dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë.  Demonstratat e vitit 1968 hapën kapitull të ri në rezistencën tonë kombëtare, në luftën për çlirim duke i bërë me dije, jo vetëm Serbisë dhe tërë ish- Jugosllavisë, por edhe botës demokratike mbarë se, populli shqiptar i Kosovës dhe përgjithësisht populli shqiptar i mbetur nën sundimin serbo-sllav qe kurrë nuk pranon të ngel i robëruar.

Në shumë prej kumtesave që u lexuan në sipoziumin e sipërcekur vazhdimisht  permendej i vrari i vetem në ato demonstrata kombëtare ishte Murat Mehmeti dhe 27 të plagosur të tjerë. Së këndejmi, në përleshje në mes të liridashësve dhe atyre që kishin ardhur për të na dhunuar atë çerek të çerekut të asaj lirie, u përgjakën shumë veta, u lënduan, u plagosën dhe u burgosën shumë të rinj e të reja. Përleshje të tilla pati në demonstrat qendrore që u zhvilluan në Prishtinë e ku u vra  Murat Mehmeti nga fshati Barilevë, i cili bashkë me Shaqir Berishën kanë  qenë  ndër organizatorët kryesor të nxënësve të Prishtinës. Demonstrata të ngjajshme me ato të Prishtinës, u zhvilluan edhe në Podujevë, Gjilan,Prizren e Pejë, Ferizaj, Lipjan, ku rinia shqiptare e asaj kohe në qytete e sipërcekura të Kosovës u përlesh me guxim e trimeri kundër një pushteti totalitar e ushtarako- policor, të mbeshtetur vetëm në dhunë e reprezalje, siç qe ai në ish-Jugosllavi, i gatshëm të shuante me gjak  çdo lëvizje përparimtare dhe me interes për popullin shqiptar.

Gjendja politike,kulturore dhe ekonomike e Kosovës para demonstratave të vitit 1968 vecçmas deri me 1966 kur dihet se në krye të sigurimit të shtetit jugosllav ishte satrapi Aleksander Rankoviq, pra  para  vitit 1968 ishte shumë e rënde për jetën e shqiptarëve në të gjitha segmentet e jetës.

Para vitit 1968 në Prishtinë  ekzistonin disa fakultete kurse pas vitit 1968 në fillim të viteve të 70-ta, u hap Universiteti i Prishtinës. Kjo ishte një arritje e lartë jo vetem për shqiptarët e Kosovës,por për të gjithë shqiptarët që jetonin në  ish- Jugosllavi. E them këtë duke u bazuar në një fjalim të Mahmut Bakallit i cili në një takim të tij drejtuar studentëve të Universitetit të Prishtines , thotshte se: “Së pari do të pranohen studentët nga Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore (PBM)në fakultete dhe konvikte, e pastaj ata nga Kosova.”

Gjithashtu edhe në aspektin politik pas demonstratave të vitit 1968 shqiptarët fituan disa të drejta të dukshme si p.sh. Kushtetuta e kosovës e vitit 1974 e cila kishte ingerenca vendimmarrse pothuaj njesoj si Republikat tjera jugosllave.Demonstratat e vitit 1968  shënuan zgjimin  e madh kombëtar, hapen shtigje të reja në rrugëtimin tonë definitiv drejt lirisë, çlirimit. Demonstratat e vitit 1968, që në fakt ishin demonstrata gjithë popullore,   mund të themi se ishin uragan, kryengritje e hapur e popullit të Kosovës ndaj pushtimit sllav. Ato demonstrata që u shuan me gjak nga ana e pushtetit serbo-sllav, manifestuan një guxim të ri, një shpirt liridashës dhe të vendosur të popullit të Kosovës për liri dhe çlirim nga pushtimi. Në fakt, ato demonstrata jo vetëm që sensibilizuan, por edhe ndikuan fuqishëm tek vetëdija, tek ndërgjegjja kombëtare e secilit shqiptar kudo që ishte. Reperkusionet dhe ndëshkimi i pushtuesit serbo-sllav ishte shumë agresiv, shumë i dhunshëm, duke dashur që me çdo kusht ta thyej rezistencën tonë kombëtare, por tani më rezistenca shqiptare, lufta e jonë për liri, çlirim kishte kaluar në nivel të ri dhe bazë e saj ishte thellimi i ndërgjegjes  sonë kombëtare për çlirim me çdo kusht dhe çdo çmim.

Shikuar nga distanca historike 50-vjet pas, mund të themi se një ndër arritjet më të mëdha të demonstratave të vitit 1968 ishte arritja e shkallës së re të ndërgjegjësimit tonë kombëtar në luftën tonë të pamposhtur për çlirim. Realisht, edhe për kundër faktit se udhëheqjet e atëhershme politike shqiptare të Kosovës nuk ishin me popullin e vet, ndikimi, frymëzimi politik, atdhetar i demonstratave të vitit 1968 ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, aq i madh dhe shumëdimensional sa që u bë bazë, themel i edukimit politik atdhetar të secilit shqiptar. Natyrisht, roli prijatar, vendimtar në krijimin e epokës së re të  rezistencës së hapur  dhe i përgatitjes së popullit për betejat tona vendimtare për çlirim, i takoi Lëvizjes së Ilegales atdhetare të dalë nga gjiri i popullit, nga zemra dhe shpirti i popullit.         

Prandaj, kur flasim për rolin e demonstratave të vitit 1968 për edukimin e ri atdhetar të kohës, në fuqizimin e rezistencës jo vetëm shpirtërore ndaj pushtimit serbo-sllav, ne kemi parasysh se, demonstratat e vitit 1968 me tërë fuqinë e tyre i dhanë shpirt të ri, guxim të ri dhe  organizim edhe më të mirë lëvizjes sonë mbarë popullore për çlirim. Pa dyshim, një frymëzim i madh, një përkrahje të madhe morale dhe kombëtare popullit të Kosovës i dha edhe përkrahja, mbështetja e vendosur që i erdhi aso kohe nga shteti shqiptar. Shqipëria u rreshtua, sikur edhe gjithmonë  në mbështetje të hapur për luftën titanike të popullit të Kosovës për çlirim, liri dhe vetëvendosje.

Jehona pra, e demonstratave të vitit 1968 ishte aq e madhe sa që ndikimet dhe reflektimet e atyre ngjarjeve, rriten vetëdijen tonë kombëtare  hapen kapitull të ri, epokë të re drejt lirisë. U fuqizua uniteti i popullit që të bashkuar të ecim drejt fitores. U ngrit mobilizim i ri jo vetëm politik,por edhe shpirtëror i masave të gjera të popullit tonë, pavarësisht oportunizmit të udhëheqjeve politike shqiptare të asaj kohe në Kosovë. Serbia, dhe udhëheqja jugosllave e kuptuan se populli i Kosovës kurrë nuk do t’i nënshtrohet sundimit serbo-sllav.

Jehona politike, kombëtare e demonstratave të vitit 1968 ishte strumbullari kryesor i fuqizimit të rezistencës sonë kombëtare  e cila në vitet e 70-ta fitoi përmasa të reja, e cila rezistencë kombëtare, në vitet 80 e 90-ta kulmoi me themelimin e UÇK-se dhe fitoren e saj në luftën e armatosur kundër pushtuesit serb.  Jehona e demonstratave të vitit 1968, ishte e madhe edhe në diasporën tonë në shtete të ndryshme të Europës dhe SHBA-ve, e cila fitoi frymëzime të reja,  nga veprimtaria e Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Evropë dhe Amerikë. Kështu që, pas vitit 1968  qëndresa jonë kombëtare u fuqizua  dhe falë shpirtit liridashës të demonstruesve u ngrit nivel i ri i ndërgjegjësimit kombëtar tek secili pjesëtar i kombit tonë. Gjithsesi, demonstratat e vitit 1968 të popullit të Kosovës dhe rinisë së tij do të vlerësohen si një ndër epokat më të ndritura të kohërave moderne të të popullit shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat