Pse taksa 100% ka kundërshtarë në Kosovë?

Opinione

Pse taksa 100% ka kundërshtarë në Kosovë?

Nga: Jakup Krasniqi Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 20:29
Jakup Krasniqi

Është për t’i kuptuar disi reagimet e kushtëzimet që zyrtarët më të lartë serbë në Beograd  të cilët vazhdimin e dialogut e lidhin me taksën 100%, por si t’i kuptojmë përfaqësuesit e një partie politike ”shtet-formuese”  (LDK-së) dhe kryetarit të vendit që janë në një vijë politike me Vuçiqin e Bernabiqin?! Të cilët e kushtëzojnë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës 100%?

Sikur të njëjtit të kishin reaguar ndaj cilitdo veprim të Serbisë kundër Kosovës, gjatë kohës sa janë zhvilluar bisedimet politike të Brukselit, t’i kishin kushtëzuar bisedimet me aktivitetet e shumta armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës e të kishin pasur ndonjë sukses në atë drejtim, do të përpiqeshim që t’i kuptojmë edhe sot?! Por, këta “racionalistë” të politikës sonë, diçka të ngjashëm nuk e kanë kërkuar as edhe një herë deri më tani.

Nëse deri sot asnjë veprim armiqësor të Serbisë, e të cilat veprime kanë qenë të shumta, askush as në Kosovë e as në BE, nuk i kushtëzuan ato veprime me vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë!

Pse tani kur Kosova ka vendosur taksën 100% dhe më të drejtë, tani vazhdimi i dialogut kushtëzohet me heqjen e taksës? Këta njerëz duhet t’i kujtojnë: Kërcënimet që kanë ardhur dhe vijnë nga Serbia, ndërhyrjet e Serbisë në ndërtimet në Lagjen e Diellit, Ndërtimin e murit ndarës, trenin nacionalist, tërheqjen e njohjeve, mos pranimin e Kosovës në UNESK-o e së fundi në Interpol, kërcënimet ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe nga FSK-ja etj ., etj. Ku ishin atëherë? Pse të njëjtit heshtnin?

LDK-ja dhe kryetari i zgjedhur nga ajo, le t’i bashkohen ekipit për vazhdimin e dialogut me Serbinë pa kushtëzim, le ta arrijnë marrëveshjen e normalizimit të premtuar që pesë vite dhe pastaj taksa 100% nuk do të ketë asnjë arsyeje që të ekzistoj më. Ajo zhbëhet vetvetiu!

Pra e rëndësishme është që së pari të vazhdoj dialogu në Bruksel, të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë e pastaj gjerat marrin rrjedhën e duhur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat