Gjuha, tradita, identiteti dhe Shqiptarizmi

Opinione

Gjuha, tradita, identiteti dhe Shqiptarizmi

Nga: Filip Guraziu Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 09:13
Filip Guraziu

Gjuha pa dyshim asht elementi kryesor bashkëformues  i nji  populli  dhe së bashku me sjelljet ose veprimet  që manifestohen  në mënyren e jetesës , kodin juridik dhe kulturën e nji populli formojnë ate që ne e quejmë  Traditë.

Dy konceptet, Gjuha dhe Tradita me kalimin e kohës zanë vend thellë në ndërgjegjën e individit ( i konsideruem qelizë formuese e ndërgjegjës së shoqnisë njerzore) dhe projektojnë e me kalimin e kohës…përcaktojnë  konceptin e Identitetit.

Tradita dhe identiteti  janë dy  koncepte juridike  që bashkëjetojnë të ndërthuruna ngusht njena me tjetrën gjatë evolucionit të  pa mbarim të nji shoqnije njerzore, tue qenë në të njajten kohë mjaft të ngjajshëm, por konceptualisht të ndryshëm.   

Evolucioni i pashmangshëm, efekt magjik i kohës, ndikon pa paragjykim  në transformimin e “ mjedisit “ ku jeton shoqnia njerzore tue transformue edhe vetë njeriun. Ai (evolucioni ) nuk pyet për urdhna politikë, për dasi krahinore, për dëshira të “unit”, por vepron simbas nji logjike të imponueme prej  nji fuqie të padukshme e cila përjeton përmbrendë ndërgjegjes së  nji shoqnie njerzore dhe kushtëzohet prej  Identitetit.

Asht pikërisht ky identitet që imponon  kodin specific  të skalitjes së ADN së individit  dhe që percakton dhe dallon nji popull me nji tjetër. Tue e shtri hapsinën e logjikës per të gjitha qeniet e gjalla,  lehtësisht konstatojmë  se sa fort  dashunohet ruejtja e Identitetit ne natyre; kaq e fuqishme paraqitet kjo “ lidhje “ me Identitetin , sa shpesh për me e ruejtë dhe trashigue sfidohet jeta në favor të vdekjës!

Diktatura në vitin 1972 i dha dënim maksimal Gegnishtes me pasojë eleminimin material të sajë, por anës shpirtnore të lidhun me Identitetin nuk pati se  ç’ka me i ba ! Gegnishtja jetoi për shumë vite  në letargji mbrenda ndërgjegjës popullore derisa shpertheu mbas viteve 90-të…

Sot Gegët vazhdojnë të komunikojnë në familje gegnisht ashtu si kanë folë prindt e tyne; sot “ paskajorja “ hap mbas hapi po gjenë terren në komunikim jo vetëm në veri; sot, shkruejnë gegnisht mbi 200 autorë; sot shkruhen artikuj në gegnisht në gazetat kryesore; sot këndohen kangë në gegnisht; sot nji masë e madhe njerzish të thjeshtë ( Gegë) shkruejnë poezi në gegnisht si forma ma e sinqertë dhe direkte e shprehjes së tyne emocionale ( Libri “ Antologji - Gegnishtja Poetike “ i publikuem kët vit përmblodhi poezi në gegnisht prej 35 autoreve të panjohun ma parë ) 

Pra, gegnishtja jeton fuqishëm në ADN  e popullit shqiptar !

Mungesa e gjuhës së Nanës , hupja e gegnishtes  na transformon në  nji popull pa identitet, ‘ pa të kalueme dhe pa të ardhme ‘ dhe me të drejtë vijnë pyetjet: Kush do të ishim ne shqiptaret pa identitetin tone? Prej kah erdhëm  dhe ku do të shkojmë ? C’farë të drejte juridike do të kishim ne për mbrojtjën e interesave tona  kombëtare me qenë se pa Gegnishten mbesim me identitet anonim ?

Në kushtet e nji “ beteje të verbërt “ me fillesë  politike dhe  e nxitun prej  nji smire me motive krahinore antishqiptare që sot mbahet në kambe artificialisht prej atyne akademikve të cilët vlersojnë ma teper “unin” e tyne se  sa interesat ‘ kuq e zi ‘ mbarëkombëtare, del si ‘ detyrë mbi detyrat’  jo vetem mbrojtja, por edhe rritja e fuqizimi i përdorimit  të gjuhës së Nanës, Gegnishtes.

POR KUJDES !!! Nuk kërkohet  përmbysje e “standartit “ në favor të Gegnishtes, por vetem rishikimi e tij për me mundësue ndërthurjën  sa ma të mire dhe mbi baza shkencore të Tosknishtes me Gegnishten ! Thirrjes tonë i vjen në ndihmë ‘ dialektika dhe evolucioni: gjuha si pasqyrim i pandashëm i evolucionit në mjedisin shoqnor kërkon domosdoshmënisht sot mbas 46 viteve studim dhe rishikim,  vetëm akademikët marksistë të edukuem me filozofinë materialiste paraqiten dogmatikë spse për kët rast nuk i pranojne zhvillimet dialektike !!!

Nw kwto 30 vjet “ demokraci “ shqiptarët thyen ‘tabu’ qw nuk ja merrte mendja kuj; si heqia e vendimit me vdekje  ose pranimi ligjor i martesave me të njajtin seks etj., por vetem rishikimi i vendimeve qe na la i “ashtuquejtuni  kongres politik gjuhesor “ i 1972  vazhdon të konsiderohet TABU !  Dashakeqësi ?,   No coment !

A munden dhe a duhet të bashkohen Shqiptarët me kontributin e tyne modest në favor të gjuhes së Nanës ? Ç’ka nënkupton  ruejtjen dhe mos hupjen  e veprave madhore kulturore identitare për mbarëkombin shqiptar;  të Kristoforidhit, Fishtës, Shirokës, Vasës, Gjeçovit, Mjedës, Migjenit, Prennushit, Koliqit, Camës, Pipës, Rrepishtit , Shllakut, Dedës, Gjeçit e shume e shume te tjereve , në shërbim të edukimit të brezit të ri ! A duhet dhe a mund të jemi bashkë për ruejtjen e traditave tona, për ruejtjen e identitetit tonë ?

 Jemi të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë ekonomike  dhe morale që po kalojnë  shqiptarët, por në të njajtën kohë jemi po aq të ndërgjegjësuem dhe të bindun se nuk duhet me hupë kohë, por me u  bashkue me kontributin tonë rreth nji ideali që  nuk lidhet me partitë politike, as me besimet fetare,  as me nacionalizmin agresiv dhe as me diskriminimin e pakicave etnike  etj., por që ka si objektiv  vetëm  ruejtjen e identitetit etnik, nderimin e flamurit kuq e zi, për nji kohezion sa ma të fortë  ndërmjet shqiptarve kudo që ndodhen me qëllim respektimin e sakrificës së mijra shqiptarve që derdhën gjakun për atë flamur dhe nderimin e  të gjithë atyne që sakrifikuen çdo gja për kulturën dhe traditen tonë , për gjuhen Shqipe që nuk mund të kuptohet pa bashkimin dhe nderthurjen e  Gegnishtes me Tosknishten..

Vetëm kështu bashkohen shqiptarët rreth identitetit të tyne historik tue u radhitë me krenari si nji ndër popujt ma  autokton të Ballkanit . Ky asht vizioni i së ardhmes  që i hapë rrugën Shqipes dykrenare drejtë naltësive hapsinore për  me fluturue “ la e më la “.   Te bashkohemi pra e mos të presim ma!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat