A duhet të jenë politikanët patriotë-normal në Shqipëri dhe Kosovë?

Opinione

A duhet të jenë politikanët patriotë-normal në Shqipëri dhe Kosovë?

Nga: Qamil Gjyrezi Më: 2 janar 2019 Në ora: 18:17
Qamil Gjyrezi

Raportet e politikës me termin patriot duhet të analizohen nganjë këndvështrim tjetër në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën. A ka vend sot ky term dhe a ndikon për forcimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, demokratik dhe integrimin? A ka ardhur koha të trimfojë patriotizmi real në Shqipëri dhe Kosovë?

Të gjithë politikanët në këto 27 vjet në Shqipëri, biles edhe në Kosovë kanë pretenduar se janë patriot 1. Por sjelljet, veprimet e tyre politike, shpesh korruptive, të menduarit e tyre politik, i kanë bërë shpesh dëme Shqipërisë, Kosovës, shtetit, ekonomisë dhe integrimit të tyre.

Termi patriot është ironizuar dhe keqinterpretuar dhe nuk ka marrë kuptimin e vërtetë.

Ngjarjet e fundit të “ekstremistit” grek dhe kthimi i “mortores” në një “protestë ekstremiste” në Bularat, me të vërtetë duhet ta bëjnë më të përgjegjshme klasën tonë politike.

Kjo ngjarje duhet t’i  bëjë më “patriotë”, biles edhe minoritarët që jetojnë në territorin e Shqipërisë, ta duan dhe ta respektojnë vendin e tyre, sic bëjnë të gjitha minoritetet në Europën e qytetëruar.

Shfaqja e orkestruar si një provokim agresiv në Bularat, e cila e ktheu një ceremoni mortore në një manifestim sfidues ndaj rendit kushtetues, sigurisë dhe qetësisë publike të Republikës së Shqipërisë, me thirrjet ekstremiste, nxitje të urrejtjes, ishte e papranueshme.

Ngjarja duhet të analizohet me kujdes nga të gjithë personat përgjegjës dhe qeveritë përkatëse dhe partnerët tanë perëndimorë dhe të nxirren konkluzione, për stabilitetin rajonal dhe paqen.

Këto ngjarje mendoj se duhet të analizohen nga persona profesionitë, por edhe patriot të rendit dhe sigurisë dhë të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të harrohet mbas tre ditësh.

Për mendimin tim, ngjarja nuk mbaron me deklarata të caktura nga qeveritë e dy vendeve dhe nga "deklaratat e grupeve ekstremiste" në Greqi dhe të mbyllet me një eurodeputete qipriote, person non-grata dhe me disa ndalime të cilat përbëjnë vetëm lajm dhe nuk i takojnë një shteti serioz. Për më tepër kjo ngjarje ndodhi midis dy vendeve që janë anëtarë të Natos!?

Mungesa e patriotizmit-real dhe shteti

Mungesa e patriotizmit-real, politika në këto 27 vite kanë ndikuar për të keq, për forcimin e shtetit, prandaj shpesh gjindemi të papregatitur në situata të caktuara edhe për shkak edhe të pozicionit tonë gjeopolitik.

Disa opinionistë ose politikanë me qëllim ose pa qëllim e nënvleftësojnë këtë term, si gjoja të dalë jashtë mode dhe arkaik.

Cdo term dhe ide ka zhvillimin dhe “evolucionin” e tij, kohën dhe vendin ku përdoret.

Në botën moderne mund të quhet "real-patriotizëm", i lidhur edhe me zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe teknologjik aktual ku jemi.

Dicka do ta shkruaj, se nuk ka burrë shteti në politikën moderne në perëndim dhe në disa vende në lindje që nuk kanë patur në mendjen dhe të vepruarit e tyre këtë term, dashurinë reale për vendin e tyre dhe njerëzit që i qeverisin.

Përse duhet të jenë më patriot se neve, biles “nacionalistë ekstremë” vendet e rajonit ku jemi prej shekujsh?

Përkufizimi më i thjeshtë i termit është: “Ta duash dhe ta mbrosh vendin tënd, të sakrifikosh dhe punosh me të gjitha aftësitë mendore dhe fizike për përparimin dhe zhvillimin e tij”.

Materialistët, pragmatistët dhe “politika e keqe” e “ironizojnë” këtë term, mbasi thonë që jemi në një botë, ku “materialja”, paraja përcakton të ardhmen dhe karrierën e një politikani dhe cdo ndërveprim shoqëror dhe ky term na bën arkaikë në në raport me zhvillimet integruese në Europë?! Po a ka europian apo amerikan që nuk e don vendin e vet, pra që nuk është patriot, pavarësisht historise, ekonomisë dhe zhvillimeve të tyre demokratike në raport me neve?!

Në realitet paraja ka një rëndësi të madhe në shoqërinë e tregut, por kur përdoret për qëllime të mira dhe fitohet me punë dhe aftësi profesionale, pa korrupsion dhe droge.

Po kur politikani dhe shtetari e krijojnë pasurinë e tyre të shpejtë në kurriz të “arkës së shtetit”, kur vjedhin paratë publike, duke mbjellë pakënaqësi shoqërore, a mund të jenë atëherë patriot-real, polici, prokurori dhe gjygjtari, infermieri, doktori që kanë profesione të vështira dhe shoqëria në përgjithësi?!

Spunton për shkrimin e mora nga një deklaratë e para disa ditëve në një gazetë e përditshme me titull: “Ka ardhur koha të trimfojë patriotizmi”, e lidhur kjo edhe me ngjarjet e fundit në jug të vendit, të cilat kanë një ndikim negativ tek njerëzit, por edhe na japin të drejtën të mendosh dhe reflektosh për këto ngjarje me kujdes dhe realisht.

Nuk e kuptoj se si mund të zgjidhen edhe emërohen “elitat politike shtetërore”, tatimorët, prokurorët, policët nëse nuk janë patriot?!

Dëmin më të madh një shtrese shoqërore të caktuar, ish pronarëve në Shqipëri p.sh. i bëri ligji i pronës, 7501, duke ju mohuar të drejtën të zhvillohen ekonomikisht dhe i bëri viktima të korrupsionit të administratës publike dhe e politikës.

A mund të jenë shume patriotë kjo shtresë, kur ju është cënuar prona një e drejtë e patjetërsueshme?!

Me të vërtetë Shqipëria ka qenë një vend i pazhvilluar para luftës së dytë botërore, por elitat politike kanë ndikuar në shoqëri, për zhvillimin dhe përfaqësuesit e shtetit kanë qenë më të përgjegjshëm dhe patriot.

Po lexoja një deklaratë të një drejtuesi të lartë shtetëror, që shkruante se:“Ndihma ekonomike, nuk e ul varfërinë tek neve”. Krimi i organizuar, droga dhe korrupsioni vetëm e shtojnë dhe nuk e ulin varfërinë dhe padrejtësinë shoqërore. Pastaj është e vështirë te jesh patriot kur je i varfër, dhe nuk mund ta duash vendin tënd.

Prandaj në politikë, duhet të vendosin “elitat e pakorroptuara”, të djathtët dhe të majtët  që të zhvillojnë vendin dhe rrisin rëndësinë e shtresave të caktuara, sic është p.sh. shtresa e mesme, mësuesit dhe zyrtarët e mesëm që shpesh gjinden në vështirësi ekonomike, pensionistët dhe rinia që po largohet dita ditës.

Po sjell një shembull të lexuar nga media, për vendet e rajonit të Ballkanit. P.sh. pensionet në Mal të Zi janë më të larta dhe papunësia në Serbi 3 është më e ulët se tek neve, pa e krahasuar me vendet e Europës  ku duam të integrohemi?!

Prandaj patriotizmi, nuk është term i dalë jashtë mode, por mendoj se i ka ardhur koha, për rritur përgjegjshmërinë e klasës politike.

Në politikë mund të përfshihe me ide, me lojra politike, mund të jesh biznesmen i suksesshëm, por nëse nuk je patriot i bën një dëm politikës dhe vendit.

Personalisht e vlerësoj shumë termin patriot, mbasi vlerësoj shumë “real-politikën”, të dhënat dhe faktet, biles edhe “arësyen” e cila shpesh nuk ka vend në politikë.

Në fillimet e demokracisë në 1990, u kthyen shumë intelektualë që kishin mërguar në vite në Sh.B.A dhe Europë. Shpesh këto individë ishin të pa infomuar se si ishin zhvilluar ngjarjet dhe procesi politik dhe shoqëror në 50 vite.

Po sjell në kujtesë deklaratën në aeroportin e Rinasit, të intelektualit Arshi Pipa dhe shumë personaliteteve të tjera.

Në fakt bisedat e tyre ishin “teorike”, patriotike dhe shpesh elektorati ose nuk i kuptonte ose i “ironizonte” me dashje ose pa dashje.

Ishte pikërisht kjo “ironi” dhe zhvillimet politike në 27 vite, që sollën “anarkinë aktuale” dhe kërkohet shumë punë dhe vite për tu përmirësuar dhe kaluar drejt “herarkive të qëndrueshme”, elitave politike, konsevatorizmit, liberalizmit dhe patriotizmit, konsensusit shoqëror.

Duhet shumë përpjekje sidomos me të rinjtë p.sh. për të prezantuar figurën e intelektualit të madh Mid’hat Frashëri ose reformat shtet-formuese që i ndërmori mbreti Zogu i I-rë.

Sot teoritë mund të kenë efekt, nëse përdor fakte dhe të dhëna reale, ato bëhen më të besueshme dhe kanë një ndikim tek individi dhe të gjithë do ta duan Shqipërinë më shumë.

Shpesh jam optimist, por "realiteti" ynë, të "dhënat" nganjëherë të bëjnë pesimist, mbasi shoqëria e jonë është zhvilluar shpesh me teorinë sic thotë populli: “Bjeri i fortë të ligut”, ku i “forti” është bërë zotëri dhe i “dobëti”, i pafuqishmi është përjashtuar, ironizuar ose nënvleftësuar.

Megjithse Albert Einstein ka deklaruar në “kohën moderne” 2 diku se :“Do të preferoja të isha më mirë një optimist budalla, se sa një pesimist normal” dhe  duke vazhduar “logjikën”, ironinë e shkencëtarit të madh do të shtoja se në post-moderne: “Do të preferoja te isha më mirë një politikan patriot “normal”, se një politikan jo-patriot” jo-normal”, mbasi i bën dëme vendit tënd”.

Për mendimin tim, edukata patriotike ose e shkruar thjeshtë dashuria për vendin tënd, do të ndikojë për të përmirësuar varfërinë, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.

Nëse do të isha pjesë e politikës lokale ose kombëtare , do të bashkëpunoja me ato individë të cilët duan vendin e tyre dhe punojnë me përkushtim për të, duke zhvilluar patriotizmin dhe forcimin e shtetit, të lidhur me zhvillimet dhe botën aktuale reale që jetojmë.

Nëse politikani e don dhe respekton vendin e vet, do ta zhvillojë dhe do ta mbrojë më mirë dhe do të duaj dhe respektoj  të tjerët, por me rregulla loje.

Nuk është e kollajshme, por jo e paarrtishme! Por jo me një patriotizëm fallco, në kurriz të vendit tënd!

Kosova dhe patriotizmi

Kosovarët për shkak të situatave politike dhe shoqërore që janë gjendur, në historine e shtetit te Kosoves, janë model i patriotizmit. Po sot a ka rëndësinë që ka patur ky term për njerëzit dhe klasën politike atje?!

Edhe në Kosovë termi patriot është shpesh  keqpërdorur, pavarësisht se ngjarjet politike dhe shoqërore i përngjajnë  shpesh atyre në Shqipëri por kanë dhe diferencat e tyre. Termi patriot, duhet të jetë baza e politikës në Kosovë, sidomos kur bëhetë fjalë për ceshtje shumë delikate, sic është integriteti territorial i Kosovës.

Termi patriot, atdhetar, duhet të marrë vëmendje të vecantë, kur pushtetarët në Kosovë, shpërdorojnë fondet publike dhe pasurojnë, biles edhe familjarët e tyre, sipas sondazheve të përfaqësuesve të huaj atje.

Si përfundim, termi politikan real-patriot real, duhet të marri rëndësinë, kuptimin dhe vlerësimin që i takon, mbasi e kërkon momenti politik e shoqëror në Kosovë dhe Shqipëri.

Vetëm me dashuri dhe vlerësim real për atdheun, njerëzit, qytetin, shtetin do të rritet ekonomia, do të forcohet shteti me ligje dhe do të integrohemi në Europë, dule lënë pas “Anarkinë” në të gjitha fushat dhe duke shkuar drejt “Herarkive”, shtetit, ligjit dhe integrimit Euro-atlantik.

Simbolet dhe patriotizmi

Simbolet kanë një rëndësi të vecantë për një komb dhe për një kulturë të caktuar. Në Sh.B.A. bustet e presidentëve dhe simbolet amerikane për liri dhe demokraci të pastër dëshmojnë historinë e këtij kombi kësaj kulture.

Skulptura e Garibaldit është vepër e madhe në Venecia, Itali dhe prezantojnë përpjekjet e tija për bashkimin e  Italisë. Këto simbolika kanë natyrën patriotike dhe vlerësojnë ngjarjet në këto vende me demokraci të zhvilluar.

Ka shumë buste, skulptura në Europë dhe në të gjithë botën që prezantojnë përpjekjet për liri dhe demokraci të kulturave të ndryshme. 

Amerikanët dhe Europianët e duan shumë vendin, kulturën e tyre dhe janë patriot. Vendosja e këtyre monumenteve të kulturës dhe historisë bëhet me komisione specialistësh edhe heqja kërkon një konsultim me specialistët dhe komunitetin.

Përse neve shqiptarët duhet t’i "zvoglojmë dhe ironizojme" simbolet tona ose duhet t’i heqim duke i nënvleftësuar, për interesa të caktuara urbane.

Politika dhe partitë ose shijet dhe projektet e K/Ministrave nuk kanë të drejtë të marrin vendime për heqjen ose vendosjen e simboleve tona.

Shqiponja në hyrje të Tiranës ishte vendosur me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Sipas një mikut tim për Shqiponjën kanë paguar disa emigrant patriot nga Amerika?!

Heqja e këtij simboli sëpaku duhej të konsultohej me specialistët ose të testohej opinioni i disa banorëve të Tiranës dhe atyre që vijnë nga Veriu dhe Jugu për punë ose për të vizituar Tiranën.

Me simbolet nuk mund të luash kollaj. Ato përfaqësojnë historinë dhe shpirtin patriot të një kombi.

Spjegime:

1.Patria (italisht)-atdhe, mëmëdhe, vendlidje. Patriot (italisht)-atdhetar, patriot

2.Koncepti moderne ishte deri në vitin 2014-15. Tashti jemi tamam në konceptin e post-modernes, në mendim dhe sjellje, politikë, ekonomi dhe art.

3. Gazeta Standard Tetor 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat