2019 të jetë vit i ndryshimeve të mëdha në Kosovë

Opinione

2019 të jetë vit i ndryshimeve të mëdha në Kosovë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 janar 2019 Në ora: 12:25
Pamje nga Prishtina

Fillimi i çdo viti të ri shoqërohet me dëshira dhe shpresë se viti që po vjen të jetë më i mirë, se ai që sapo ikën. Do thosha se është në insitiktin e njeriut që të kërkoj çdo herë e më mirë, megjithatë janë disa premise nga të cilat mund të presupozosh se sa reale mund të bëhen dëshirat dhe shpresat apo të mbetën utopike. Në rastin konkret në Kosovë, përkundër vullnetin dhe dëshirat e  qytetarëve për një jetë më të mire, gjasat janë të vogla që 2019 të jetë më e mire se 2018. Jo se nuk janë mundësitë por mungon vullneti nga klasa politike në vend, që ndryshimi i domosdoshëm të bëhet realitet. Kjo, duke nisur nga fakti se klasa politike në pushtet është e njëjta, njerëz të cilët na i kanë vrarë ëndrrat dhe shpresat abortojnë çdo ditë. Është po ky koalicioni aktual qeverisës në krye me PDK-në që qeverisë vendin që nga 2008, duke e varfëruar qytetarin e vendit, duke rritur krimin dhe korrupsionin dhe për më tepër duke e kthyer popullin e Kosovë në lypsar të azilit në vendet e BE-së, ndërkohë që s`ka as luftë. Por gjendja e vështirë, humbja e shpresës dhe mungesa e perspektives kanë shtyrë qytetarin e Kosovës që mes shpresës dhe realitet, t’i nënshtrohet realiteti të hidhur.

Duke qenë ende të njëjti njerëz në pushtet, me të njëjtën mendësi qeverisëse nuk ka si të pritet ndryshim, kjo vetëm sa do të rris frustrimin e qytetarëve të vendit. Në vitin që sapo hyjmë pres ndryshim të qytetarit të vendit, respektivisht zgjimin e qytetarit nga litargjia. Kjo do të shoqërohet me protesta pa bindje politike, që të ndryshohet kursi qeverisës në vend dhe pushteti t’i kthehet qytetarit. Kjo sa dëshirë është edhe bindje duke u bazuar nga aktualiteti në rajon, ku protestat po shoqërohen me ndryshime.

Nëse ka nevojë një vend për ndryshim rrënjësor ajo padyshim se  është Kosova, e cila ndodhet në momentet e saj historike për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Në njërën anë pritet që sivjet të përmbyllet procesi i bisedimeve me Serbinë, ku rreziku për ndarje është shumë i madh, kjo ngase vet presidenti i vendit po kërkon një gjë të tillë. Në anën tjetër, gjendja e vështirë sociale dhe izolimi janë të mjaftueshme që qytetari i vendit të thotë boll ma, kështu nuk durohet më. Pres një reagim të qytetarëve të vendit, sidomos pas furtunës që pritet të ndodh me arrestimet e figurave të mëdha të vendit nga Gjykata Speciale, e cila pa apo pa dashje do i jap fund koalicionit qeverisës aktual, duke ditur se gjasat janë të mëdha që të arrestohen arkitektët e këtij koalicioni. Sfidat janë shumë të mëdha në vitin 2019, po aq të mëdha pritet edhe të jenë dështimet nëse ky koalicion qeverisës mbijeton furtunave.

Ndonëse nuk jam ithtar i zgjedhjeve të shpeshta, në rastin konkret janë të domosdoshme, pasi ky koalicion qeverisës po e shkatërron vendin edhe më shumë. Për momentin Kosova ka nevojë për koalicion LDK-VV, me shpresën se vendi do të futet në binare të duhura, ndryshe Kosova rrezikon që të ndahet si tortë mes Hashimit dhe Vuqiçit. Sa më parë të bie ky koalicion qeverisës aq më mirë për Kosovën, me mundësi që vendi të pësoj ndryshimin e duhur në të gjitha sferat e saja. Vetëm ndryshimi radikal  mund të kthej vendin në binaret e duhura, por së pari duhet që ‘ ”krahu i luftës” të largohet nga pushteti, pasi kanë  dështuar nga mundësia që të krijojnë shtet të mire. Çkpaja e shtetit nga grupet e nëntokës, çlirimi ekonomisë nga oligarkët, përmirësimi i cilësisë në arsim dhe shërimi i shëndetësisë, pastaj Vettingu në drejtësi, janë disa veprimet që koalicioni i ardhshëm LDK-VV duhet të bëj, në mënyrë që vendi të marr udhën e duhur. Kosova duhet me doemos të ndryshoj në 2019, ndryshim që po e presim me vite të tëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat