Kundër një akuze të kurdisur

Opinione

Kundër një akuze të kurdisur

Nga: Liri Loshi Më: 5 janar 2019 Në ora: 21:34
Liri Loshi

Kurrë nuk e kam takuar Bardhyl Mahmutin, por gjatë luftës një mik imi, epror i lartë i UÇK-së që kishte ardhur në Drenicë nga Zvicra, komunikonte periodikisht me të në praninë time nga telefoni im celular që mbaja në kohë të luftës. Gjatë atyre bisedave pata kuptuar se Bardhyli po fliste nga Tirana. Isha i vetmi person në brigadë që kisha telefon celular, falë dy kontribuesve të mëdhenj të UÇK-së që më vonë u bëmë miq, Ymer Halimit dhe Shaban Hoxhës. Këta dy e kishin kuptuar thellë peshën e informimit dhe propagandës në luftë dhe telefoni me erdhi nga Emergjenca për luftën si një dhuratë ende pa u takuar me këta dy burra. Pothuaj saherë që eprori (nuk e kam pyetur a mund t’ia përmend emrin) fliste me Bardhylin në telefon, unë merrja vesh nga biseda e tyre se pranë tij në Tiranë ndodhej edhe Hashim Thaçi. Ose ndodhte që eprori ta kryente bisedën me Bardhylin e pastaj ky i dyti ia kalonte Hashim Thaçin. Aty e kam kuptuar se truri i UÇK-së nuk ka qenë askush tjetër pos Bardhyl Mahmutit. Ju duket se ky tru ishte dikush tjetër pos Bardhyl Mahmutit? Hashim Thaçi!!! Xhavit Haliti!!! Azem Syla!!! Harrojeni atë punë. Pra, tru i UÇK-së nga jashtë ishte Bardhyl Mahmuti. Tru i UÇK-së nga brenda ishte Jakup Krasniqi. Pastaj gendej ndonjë tru tjetër që ndihmonte dhe bënte luftën pa pasur nevojë që me çdo kusht të ishte i lidhur me “të mëdhenjtë” e UÇK-së. Por, ky status nuk ka për qëllim të tregojë se kush ishte koka e kush bishti. Fjala është për diçka tjetër.

Ky Bardhyl Mahmuti që unë e kam konsideruar si trurin e UÇK-së, paska folur këto ditë për të akuzuarin e grupit të Syrit të popullit, profesorin Sadri Ramabaja. Paska folur dhe e paska prerë shkurt: Sadri Ramabaja nuk e ka vendin në burg, por në katedrat e Universitet. Sadri Ramabajen e njoh vetëm virtualisht. Por meqe e njihka Bardhyl Mahmuti, sikur ta njihja edhe unë. Nëse Bardhyl Mahmuti është i bindur se Sadri Ramabaja duhet të dalë sa më shpejt nga burgu, per arsye se nuk ka ndonjë vepër që e bën të fajshëm, ashtu dua të besoj edhe unë. Jam ”përtac” të mendoj shumë për këtë punë, mjafton se ka menduar një njeri që për mua është shumë stabil dhe me ndërgjeje të lartë dhe ashtu siç i besoj vetes për përgjegjësinë ndaj deklaratave publike, të njëjtën gje dua ta besoj edhe për Bardhyl Mahmutin.

Sidoqoftë, nuk e di pse Bardhyli ka gjetur gazetat dhe Facebook-un si platformë për ta ngritur zërin për lirimin e Sadri Ramabajes. Jo pse dyshoj në fuqinë e mediave dhe rrjeteve sociale, por besoj se ai ka mundur që si shok i Hashim Thaçit, të ndikonte tek ai që të mos ndikonte para trupit gjykues me deshminë e tij kontraverze e skandaloze që inkriminon Sadri Ramabajen aq keq sa pretendon ta bëjë atë udhëheqësin kryesor të grupit terrorist. Nuk di a komunikon ende Bardhyli me Hashimin, sepse më bëhet sikur këtij të dytit nuk i ka mbetur asnjë shok i luftës pas çlirimit duke u orientuar më shumë kah një kastë intelektualësh kosmopolitë dhe servilë të tipit të Enver Hoxhaj&comoany dhe tash mund të mos i dalë kohë për Bardhyl Mahmutin, trurin e UÇK-së. Por, edhe nëse komunikojnë, logjika ma thotë se një Sadri Ramabaja që e njeh Bardhyl Mahmuti, të tillë si Bardhyli e njeh edhe Hashimi. Dhe të tillë si Hashimi e njeh edhe Kadriu. Dhe të tillë si Kadriu e njeh edhe Xhaviti. Këta janë shokë të një sahani, një kazani, të një ideali dhe një kapitali. Vetëm se Bardhyl Mahmuti dhe Sadri Ramabaja dallojnë shumë për nga ngritja intelektuale me mendjet mediokre të Hashimit, Kadriut e Xhavitit. Ashtu sikur këta të fundit dallojnë bukur shumë nga ish miku i tyre, tash atentator i Azem Vllasit, Murat Jashari.

Krejt kësaj pune po don me i ardhë fundi disi sikur “u mbars mali e polli një mi”. Ose edhe më keq, nuk polli hiç asgjë, pra as edhe një mi. Murat Jashari si person me probleme shëndetsore të natyrës që komprometojnë kapacitetin e marrjes se vendimeve, duhet të lirohet. Sadri Ramabaja që s’ka asnjë lidhje me komplotin duhet të lirohet. Hashim Thaçi e di këtë mirë dhe dëshiron që Sadri Ramabajen ta mbajë si kaucion parash derisa ta gjejë menyrën juridike që në vend të tij t’i sjell në burg Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën. Albinin pse ēshtë lider ku i akuzuari ka zhvilluar aktivitetin legal politik!!! Tjetër fakt nuk ka. Kurse Glaukun pse e ka burrë të hallës “terroristin” e rrezikshëm që mund të mos e ketë shkelur as edhe një buburrec, Sadri Ramabajën! Tjetër fakt as për Glaukun nuk ka.

Pa i dhënë vetes detyrë që të pērzihem në drejtësi, apeloj tek Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli që të mos përzihen në pavarësinë e gjyqësorit. Apeloj tek prokurori i çështjes që ta rishikojë lëndën dhe të mos bëjë gabime që vënë në pyetje integritetin profesional të tij dhe apeloj tek gjykatësit që të mos pranojnë broqkullat e “deshmitarëve” që nuk mund të provohen. Listën e deshmitarëve që unë e kam parë e ku bëjnë pjesë edhe redaktorë e gazetarë portalesh, nuk e konsideroj shumë serioze dhe me një selekcionim të matur profesional. Kjo i ngjan një kurdisjeje të ndyer të njerëzve që janë në maje të shtetit dhe që duan ta paraqesin veten si viktima në një kohë që imazhi për ta është shumë i keq mu për shkak të dyshimeve për përgjgjësitë e tyre ndaj vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Gjasat janë që Sadri Ramabaja të mos ketë asnjë faj dhe gjasat janë që prokuroria ta dijë këtë më mirë se ne dhe ajo përseri të vazhdojë t’i kryejë sherbime atyre ndaj të cilëve një prokuror tjetër mund të ngrisë një akuzë të bazuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Prokuroria duhet t’i rishqyrtojë dhe organizojë materialet e veta dhe të shoh mirë se a ka bazë reale për aktakuzën kundër Sadri Ramabajës. Dhe nëse nuk ka, të tërhiqet nga ajo dhe të mundësojë që Sadri Ramabaja t’i kthehet familjes, universitetit dhe politikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat