Z. Haradinaj hapi rrugë drejtësisë, shkarko ministrat me aktakuza

Opinione

Z. Haradinaj hapi rrugë drejtësisë, shkarko ministrat me aktakuza

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 9 janar 2019 Në ora: 10:39
Ministrat me aktakuza

Ndonëse u zotua se asnjë anëtar i qeverisë me aktakuzë s`do të mund të qëndronte në pozitën përkatëse, kjo gjë në praktikë nuk po zbatohet. Si asnjëherë më parë Qeveria Haradinaj me Ekrem Mustafën ka shtatë ministra me aktakuza në përbërje të saj. Duke nisur nga zv. kryeministri Dardan Gashi, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ministri i FSK-së Rrustem Berisha,  ministri i Inovacionit, Besim Beqaj. Gjithashtu edhe Endrit Shala ministër i Tregtisë dhe Industrisë, ngarkohet me një aktakuzë. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.  Kjo dëshmon qartë se kjo qeveri është e kapur dhe ngulfatur nga krimi, elemente që nuk i shërbejnë një vendi demokratik. Trajektorja e zhvillimeve politike të Kosovës do të duhej të synonte luftën e pa-kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, që edhe formalizon qëndrimin e disa shteteve kundër liberalizimit të vizave. I ndikuar edhe nga pafuqia politike e tij, kryeministri Haradinaj shpeshherë ka vepruar jo ndershmërisht karshi rasteve të njëjta.

Paraprakisht të kujtojmë deklaratën e shefit të qeverisë lidhur me rastet e aktakuzave ndaj ministrave “Sa i përket vendimeve që ka me marrë qeveria ndaj ministrave me aktakuzë duhet pritur vendimet nga gjykata dhe njëherë nuk mund të marrim vendim. Qeveria do të marrë vendime sipas ligjit për këtë”, ka thënë i pari i qeverisë më 13 prill të 2018’ës.  Derisa me ministrat nuk vepruan sipas fjalëve, ndryshe veproi me  zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, të cilin e shkarkoi ende pa pasur  aktakuzë ndaj tij, megjithëse Gjykata i ka caktuar 1 muaj paraburgim. Lidhur me këtë rast Haradinaj ka thënë “se lirimin e tij nga kjo pozitë po e bën për t’u dhënë hapësirë organeve të rendit e të ligjit që të ndjekin dhe gjykojnë paanshmërish rastin”.

Derisa për z. Cena lirimi nga pozita qenka për t’u dhënë hapësirë organeve të rendit, përse për ministrin me aktakuzë organeve të rendit s`duhet të u jepet hapësirë që të veprojnë të paanshëm, apo harruam se për ministra nuk vlen ligji, se ata janë vetë ligji. Nuk ke çfarë të mendosh ndryshe përpos që pjesë e qeverisë janë ministra të kapur me afera duke emëruar dhe shkarkuar me telefonata njerëz nga puna, hiç më pak se prokurorë.

Image
Ministrat me aktakuza

Në anën tjetër mungesa e ligjit të Lustracionit, që do iu pamundësonte njerëzve me precendent penal të merrnin poste shtetërore, iu jep hapësirë njerëzve të tillë që të marrin poste të tilla. Mungesa e vullnetit politik të kryeministrit që të shkarkojë ministrat e tij me aktakuzë i sjell vendit imazh të keq, duke venitur shpresat e qytetarëve se kjo qeveri mund të punoj me duar të pastra. Nuk ndodhë në asnjë vend me demokraci sado të brishtë që ministra me aktakuzë të vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike qeveritare.

Gjithsesi është shumë e vështirë të ndodh që kjo qeveri aktuale të ndryshoj kursin e të bërit politikë të drejtë qeverisëse, pasi edhe vet është e zhytur në korrupsion. Derisa qytetarët e rëndomtë futën në burg vetëm se i ka dhënë dikujt 10 euro për të mbaruar një punë, pasi vet klasa politike e ka ndërtuar sistemin e tillë, ministra të kapura me afera milionëshe amnistohen, për më tepër shteti i mbron. Prandaj duhet me çdo kusht që sa më parë të miratohet Ligji i Qeverisë, me akte nënligjore të forta që ministër jo kush të do mund të bëhet, pore dhe ata që bëhen s`mund të bëjnë çfarë të duan. Era shtet na vjen vetëm kur fillojmë të mendojmë më tepër për Kosovën se sa për interesa të një grupi njerëzish, ndryshe askush s`do na marri seriozisht dhe gjithnjë e më shumë do vazhdoj jehona e qarqeve antishqiptare se “shqiptarët nuk dinë  të mbajnë shtet”. Largimi i qeverisë Haradinaj është kushti i parë që ky vend të bëhet shtet i së drejtës, dhe ku njerëz me aktakuza nuk bëhen ministra por shkojnë në burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat