Prej marrëzie në marrëzi: Rrogat e qeveritarëve dhe greva në arsim - Bota Sot
Prej marrëzie në marrëzi: Rrogat e qeveritarëve dhe greva në arsim

Opinione

Prej marrëzie në marrëzi: Rrogat e qeveritarëve dhe greva në arsim

Nga: Muhamet Hamiti Më: 13 janar 2019 Në ora: 21:18
Muhamet Hamiti

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shpallur nisjen e grevës së përgjithshme në arsim në Kosovë nga e hëna, më 14 janar 2019, duke i lutur nxënësit e studentët, por edhe prindërit, për mirëkuptim për orët që do t’i humbin “ndoshta edhe me muaj”, siç thuhet në kumtesën e saj. Herën e fundit kur shkollarët tanë kanë humbur orët me muaj ka qenë para njëzet vjetësh, në kulmin e luftës së agresorit serb kundër Kosovës në vitin 1999.

Është e njëjta kryesi e Sindikatës që para më pak se një muaji, në një kumtesë tjetër, në një shkulm entuziazmi patriotik, që sheshazi ka qenë jetëshkurtër, kërkonte që rrogat të mos rriteshin për një vit, në mënyrë që buxheti t’i shkonte ushtrisë, gjegjësisht FSK-së. Tash kërkon rritje 30%. Në të kundërtën, në rast mosplotësimi të kërkesës jo fort modeste, kërcënon me grevë që mund të zgjasë me muaj. Dhe, për çudi, kërkon mirëkuptim të atyre, të pafajshmëve, nxënësve dhe studentëve tanë, për humbje të orëve me javë a muaj! Dhe, shihe ti, çudia më e madhe: apatia shoqërore ndaj kësaj marrëzie të sindikalistëve.

Sindikata e Bashkuar, po të dojë ta luftojë Qeverinë e papërgjegjshme, aksionin e vet duhet ta drejtojë kundër saj dhe jo kundër atyre që s’mbajnë përgjegjësi për marrëzitë e Qeverisë dhe të Sindikatës.

Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Ramush Haradinaj, në mënyrë arbitrare, thjesht për interesa të kabinetit qeveritar, ka dyfishuar rrogën e Kryeministrit dhe të këshilltarëve të Qeverisë; ka rritur edhe rrogat ministrave e të zëvendëskryeministrave me 70-90%. Kryeministri merr gati 3000 euro në muaj, ndërsa këshilltarët kanë tash rrogën sa të profesorëve të rregullt të Universitetit! Ky vendim skandaloz i ka inkurajuar instinktet e kajes për para edhe te shtresa të tjera. Lakmia e Ramushit me shokë, që kanë në dorë thesarin e varfër të shtetit, ka shtuar natyrisht lakminë e të tjerëve që janë më larg tij. Edhe të sindikalistëve të arsimit, për fat të keq.

Është thënë shpesh, por duket se askujt s’do t’i rrijë në vesh, se rrogat e qeveritarëve në Kosovë, por edhe të arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit në Republikë, janë më të mëdha se rrogat e kolegëve të tyre në vendet fqinje. Të gjitha vendet fqinje, ndërkaq, buxhetet i kanë më të mëdha se Kosova. I madh a i vogël, në duart e atyre që duan ta bëjnë rrush e kumbulla, buxheti nuk del.

Është koha e fundit që shoqëria e Kosovës të dalë prej apatisë që e ka kapluar. Njerëzit duhet të mbledhin mend, por edhe kurajo, të kundërshtojnë katandisjen e vendit tonë nën këtë qeverisje të keqe. Toleranca ndaj ‘vendimeve të mëdha’ të Qeverisë Haradinaj për rritje masive të rrogave të qeveritarëve, sikur edhe toleranca ndaj sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve me pushtet në fusha të tjera të jetës shoqërore, do t’i kushtojë vendit tonë tepër shumë. Siç po i kushton.

Me një vendim ‘të madh’ të Qeverisë, që s’është fort i madh, për anulim të vendimit për rritje enorme të rrogave për vete, dhe me një tjetër, poashtu jo aq të madh, të Sindikatës së Arsimit (SBASHK), për të anuluar grevën e paralajmëruar, do të mund të niste rruga e gjatë për rimëkëmbje të vendit tonë. Me më shumë moral publik e me Ligjin e përmirësuar për Pagat do të rregulloheshin këto. Pastaj, shkallë-shkallë, të tjerat.

Muhamet Hamiti është profesor në Universitetin e Prishtinës

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...