“Politika e mirë është në shërbim të paqes”

Opinione

“Politika e mirë është në shërbim të paqes”

Nga: Don Lush Gjergji Më: 15 janar 2019 Në ora: 22:38
Don Lush Gjergji

Papa Shën Pali VI, më 1 janar 1968, ka filluar shkrimin dhe dërgimin e Porosisë së Paqes për çdo vit, ditën e parë të vitit, për të nënvizuar dhe theksuar rëndësinë e paqes në jetën e njeriut. E, këtë porosi, ai e ka vazhduargjatë gjithë pontifikatit të tij, deri në kalim në amshim, më 978.

Po ashtu, Papa Shën Gjon Pali II, gjatë shërbimit të tij papnor të tij 27 vjeçar (1979 – 2005),e ka përkrahur këtë nisje të Provanisë hyjnore, duke e vlerësuar si nevojë të kohës sonë.

Gjithashtu, edhe Papa në dorëheqje,Benedikti XVI, i ka dërguar  Kishës dhe mbarë njerëzimit Porosinë e Paqe gjatë viteve 2006 – 2012.

Edhe Papa Françesku prej vitit 2013 e deri me sot e vazhdon këtë traditë papnore shumë të rëndësishme dhe aktuale.

Porosia për vitin 2019: kuptimi dhe domethënia fetare, kulturore dhe shoqërore

Vetë titulli i kësaj Porosie“Politika e mirë është në shërbim të paqes”, dëshmon tri gjëra të rëndësishme: paqja është e mundshme, paqja është e nevojshme dhe paqja është e domosdoshme. Mirëpo,menjëherë shtrohet pyetja jetësore: si të arrihet, zhvillohet, thellohet, përkrahet dhe të zbatohet ajo në një botë me plot turbullime, batica dhe zbatica, sfida dhe rrezikime?

Papa Françesku e ka një pikënisje shumë burimore- ungjillore- porosinë e Jezusit dhënë apostujve, nëpërmjet atyre, Kishës, neve: “Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: Paqja në këtë shtëpi!” (Lk 10, 5).

Prandaj, bartja, dhurimi i paqes është mision, dërgim dhe detyrë parësore për Kishën e Jezu Krishtit. “Shtëpia” sot është në kuptimin figurativ “çdo familje, çdo bashkësi,  çdo Vend, çdo kontinent”- shkruan papa Françesku, që ne mund ta parafrazojmë edhe kështu: çdo njeri, çdo familje, çdo shoqëri, çdo komb dhe fe, çdo kohë dhe hapësirë ku jetojnë dhe veprojnë sot njerëzit.

Paqja, për Kishën Katolike është mision, dërgim, angazhim, detyrë, mundësi, rast, domosdoshmëri. E, mënyrat e arritjes, zhvillimit, bartjes, dëshmisë, konkretizimit janë të llojllojshme.

Papa Françesku, si mjet të parë e përmend politikën, si shërbim, flijim dhe dhurim me “qëllim të realizojmë së bashku të mirën e qytetit, të kombit, të njerëzimit”(Letra apostolike Octagesimaadvenientes (14 maj 1971), 46.

Ai beson dhe propozon politikën e tillë e cila “mund të bëhet me të vërtetë një formë e lartë e dashurisë së krishterë” (Papa Françesku, Politika e mirë është në shërbim të paqes”, Porosia e Paqes për vitin 2019, f. 2).

Papa në dorëheqje Benedikti XVI dashurinë e krishterë në politikë e shpjegon kështu: “Veprimi i njeriut mbi tokë, kur frymëzohet dhe mbështetet nga dashuria e krishterë kontribuon në ndërtimin e atij qyteti të gjithmbarshëm të Hyjit drejt të cilit ecën historia e familjes njerëzore” (Enciklika Caritas in veritate (29 qershor 2009), 7).

Kërkimi dhe zbatimi i të mirës së përbashkët, sipas papës Françeskut, është “në   drejtësinë, barazinë, respektin e ndërsjellë, sinqeritetin, ndershmërinë, besnikërinë” ( Politika e mirë në shërbim të paqes, Porosia e Papës Françeskut për Ditën Botërore të Paqes, 2019, f. 2).

Ai guximshëm dhe vendosmërisht beson dhe propozon “politika e mirë është në shërbim të paqes” (Po aty, f. 3).

Ndoshta dikujt mund t’i duket ky qëndrim si një lloj naiviteti, ndoshta edhe utopie, nëse marrim para sysh dhe analizojmë gjendjen historike dhe aktuale në botë, por edhe ndër ne. Mirëpo, s’duhet t’i harrojmë kurrë dy gjëra tejet të rëndësishme: nëse besojmë në Zotin – Dashuri, atëherë duhet të besojmë edhe në Vëllain apo Motrën Njeri, do të na thoshte Shën Nëna Tereze. Dhe e dyta, njeriu i mirë, mendon mirë, flet mirë, vepron mirë, e përkrah gjithnjë dhe gjithkund të mirën, i gëzohet të mirës, jeton për të mirën e përbashkët, në të cilën, kuptohet, e gjen vetveten dhe të vërtetën, mbi të gjitha Jetën dhe Dashurinë.

Pas kësaj analize mjaft pozitive dhe optimiste, siç është stili i çdo të krishteri, sidomos i Papës Françeskut, ai analizon edhe vështirësitë për paqe, apo siç shkruan“veset e politikës”, duke vijuar kështu: “Këto vese që dobësojnë idealin e një demokracie autentike, janë turpi i jetës publike dhe vënë në rrezik paqen sociale: korrupsioni – në të shumta të përvetësimit të padrejtë të të mirave publike dhe të institucionalizimit të personave, mohimi i të drejtës, mosrespektimi i rregullave  të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, justifikimi i pushtetit nëpërmjet forcës apo me pretendime arbitrare për “interesat Shtetërore”, prirja për të qëndruar gjithmonë në pushtet, ksenofobia dhe racizmi, refuzimi për t’u kujdesur për Tokën, shfrytëzimi i pakufizuar i pasurive natyrore për arsye të përfitimit të menjëhershëm, përçmimi i atyre që janë të detyruar të mërgojnë” (Po aty, f. 3).

Pas këtyre “litanive” kaq negative, dhe, nëse është kështu ndër ne dhe në botë, shtrohet pyetja: çka mund të bëjmë ne, a duhet të dorëzohemi dhe të dëshpërohemi, të merremi vetëm me konstatime negative, apo duhet të ndërmarrim diçka për ta ndryshuar këtë gjendje  mjaft të zbehtë dhe të errët?

Papa Françesku i fton rininë që të punojnë vëllazërisht për ndryshimin e kësaj gjendjeje. Si? “Unë kam besim te ti dhe besoj në ty”, që simbolikisht ai shkruan kështu: “Ku ka më bukur sesa  një dorë e shtrirë? Si “një vegël dialogu” (Po aty f. 4).

Ne fatkeqësisht duart tona shpesh i përdorim si gisht kërcënues  dhe grusht dhunues, si mjet pushteti, sundimi dhe dhune, ndoshta  më pak si mundësi pune, paqeje, pajtimi, flijimi dhe dhurimi.

T’i përkujtojmë kalimthi ngjarjet e Pranverës së Madhe të vitit 1990: Pajtimin e Gjaqeve, në krye me prof.. Anton Çettën,  themelimin  dhe veprimin e Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Tereze”, krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor.

 Mos t’i harrojmë dy figura tona  të ndritshme dhe karizmatike për Paqe, Shën Nënën Treze, e cila, para 40 viteve e mori Shpërblimin Nobel për Paqe. Ajo me atë rast nga “Katedra e Paqes” e dha këtë porosi të madhe: “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”. Presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova me strategjinë paqësore dhe jodhunore e afroi dhe bashkoi Popullin tonë me botën demokratike dhe botën demokratike me ne, me këtë parim tashmë të njohur dhe të pranuar: “Politika nuk është matematikë. Njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person njerëzor”.

Papa Françesku i kundërvihet gjendjes së luftës dhe frikës, duke theksuar që paqja “nuk mund të arrihet vetëm me ekuilibrin e forcave dhe të frikës” (Po aty, f. 5), që domethënë objektivizimi i subjektit, si mjet të errët të dhunës dhe pushtetit. Ky botëkuptim dhune, frike, kërcënimi, rrezikon të gjithë, sidomos fëmijët dhe rininë, të cilët goditen nga “dhuna e luftës apo nga rrjedhojat e saj” (Po aty, f. 5).

Një pikë shumë e ndjeshme është migrimi nga terrori i luftës dhe varfërisë së skajshme, që sipas Tij janë plagë të ditëve tona që duhet shëruar me “respektin e çdo personi, cilado qoftë historia e tij, mbi respektin e së drejtës dhe të mirës së përbashkët, të krijimit që na është besuar dhe në pasurinë morale që na është përçuar nga brezat e kaluar” (Po aty, f. 5).

Panorama e kësaj Porosie është mjaft e dhimbshme, shumë e prekshme, në disa aspekte edhe dramatike, siç është edhe vetë jeta dhe bota e sotme. A ka, pra, ndonjë shpresë, projekt, përcaktim për paqe, për një botë ndryshe, më të mirë, më të drejtë, më njerëzore dhe me të krishterë?

Sipas Papës Françeskut projekti i paqes është fryt i një projekti të madh politik, që themelohet mbi përgjegjësinë e ndërsjellë dhe mbi ndërrimin e qenies njerëzore... “Paqja është një kthim i zemrës dhe i shpirtit” në tri drejtime:

Paqja me vetveten, që nënkupton harmonizimin tonë të brendshëm si qenie e përbërë prej trupit, psikes dhe shpirtit. Pa këtë harmonizim nuk ka as identitet dhe personalitet: kush jam unë, çka dua dhe si dua të realizohem, apo siç shkruan Papa Françesku”duke refuzuar rreptësinë e zemërimit dhe padurimin” (Po aty, f. 6).

Paqja me të tjerët, “familjen, mikun, të huajin, të varfrin, të vuajturin...duke marrë guxim për ta takuar dhe dëgjuar mesazhin që bart me vetvete” (Po aty, f. 6). Jeta me të tjerët dhe për të tjerët ka tri drejtime dhe mundësi: bisedimin, dialogun dhe komunikimin, për t’u realizuar si person, familje dhe shoqëri.

Paqja me krijimin – një lloj “ekologjie” shpirtërore, në harmoni me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e mbarë njerëzimit, “por edhe përgjegjësinë që i përket secilit prej nesh, si banor i tokës, qytetar dhe aktor i të ardhmes” (Po aty, f. 6),

Papa Françesku e përfundon Porosinë e Paqes 2019 me himnin e Virgjërës Mari, e cila, e lavdëron dhe falënderon Zotin për veprat e mëdha që i ka bërë nëpërmjet saj. Kjo është ftesë që edhe ne të jemi si Maria, Krisht-lindës, Krisht-bartës, Krisht-dëshmues dhe Krisht-dhurues, e kjo domethënë njerëz të paqes dhe dashurisë për mbarë njerëzimin.

Si përfundim i kësaj paraqitjeje përmbledhëse të Porosisë së paqes 2019 të PapësFrançeskut, ja edhe disa risi dhe veçori:

Porosia është kryekëput ungjillore, dhe, si e tillë pozitive dhe konstruktive, ashtu siç është edhe feja e krishterë, me plot optimizëm dhe jetë, që është karakteristikë e Papës Françeskut,  themeluar  së pari në Zotin, pastaj edhe në njëri-tjetrin.

Papa Françesku nderon dhe citon paraardhësit e tij, Shën Palin  VI, Shën Gjon Palin II dhe  Papën Benediktin e XVI, si vazhdimësi e magjisterit – mësuesisë së Kishës katolike kushtuar Paqes më së gjysmë shekulli.

Papa Françsku merret edhe me mangësitë e politikës, apo siç shkruan “veset e politikës”, që nuk janë pak dhe dukshëm e dëmtojnë njeriun, lirinë, demokracinë, bashkëjetesën, me këtë edhe paqen, por në botëkuptimin e krishterë nuk janë të pashërueshme dhe fatale .

Paqja nuk është fryt i drejtpeshimeve të fuqive ushtarake, ekonomike, politike, as e luftës, por e ndërrimit rrënjësor të njeriut, me këtë të familjes dhe të shoqërisë. Lufta, varfëria, mungesa e lirisë,  shkaktojnë mërgimin e shumë popujve, sfidë e vazhdueshme për demokracinë e botës së pasur, e cila me një anë i kërkon dhe pranon të huajit, si nevojë dhe fuqi pune, mirëqenie ekonomike dhe përfitimi, ndërsa në anën tjetër frikësohet  dhe mbrohet prej tyre, pa ndonjë kriter të shëndoshë dhe të sigurtë.

Përfundimi i kësaj Porosie është shpirtëror dhe ungjillor: paqja me vetveten, me të tjerët, me krijimin, që njeriun e vendos në qendër  të vëmendjes, si kryeveprën  të krijimtarisë dhe të dashurisë së Zotit për njeriun dhe njerëzimin.

Porosia, për të gjithë ne: me bashkim dhe bashkëpunim e mposhtim ndarjen dhe përçarjen,me drejtësi dhe solidaritet e mposhtim padrejtësinë, me dritë dhe të vërtetëe mposhtin terrin dhe rrenën, me falje e mposhtim urrejtjen, me dashuri e mposhtim vdekjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat