Hulumtimi i metodave dhe teorive letrare

Opinione

Hulumtimi i metodave dhe teorive letrare

Nga: Remzi Salihu Më: 16 janar 2019 Në ora: 15:18
Remzi Salihu

Duke u marrë me letërsi në mënyrë permanente, kam mësuar se gjërat e shkruara njëherë duhet me kujdesin më të madh rilexuar, për të mbajtur në kontunuitet kondicionin kujtesës dhe kreativitetin e përhershëm të shkrimit personal. Kjo formë e punës më ka futur në universin letrarë të tërësisë dhe veçantisë ekzistuese të shkrimit. Këto dy forma të bindjes sime bazë, janë arsyet e thellimit adekuat dhe të më tejshëm, për të mbajtur qëndrim konsekuent, pa anime, se si t’u qasem fenomene ekzistuese dhe autorëve që merren për shqyrtim. Madje si të diskutohet për letërsinë në mënyrë shkencore e kreative? Ndoshta shumë veta ballafaqohen me këto pyetje, por mua në çdo çast, më mban peng kjo burgosje e madhe mendore, për temat dhe autorët e preferuar për shqyrtim. Çdo individ ka metodën e vet të trajtimit dhe të këndvështrimit të tij. Tani kur jetojmë në këtë kohë shumë dinamike edhe kur informacionet na shigjetojnë nga të gjitha anët e mundshme të përthithjes së dijes, jemi të motivuar të krijojmë shijen autoktone për perceptimin e gjërave që na rrethojnë.

Para syve tanë frekuentojnë mundësi e forma të shumta kreative,  ndaj jemi të detyruar sa më guximshëm dhe sa më të vendosur t’i hapim ato dritare shikimi të mundshëm, që na konvenojnë më së shumti në kapjen e asaj hapësire akoma të panjohur sa duhet nga ne, që detyrimisht na imponohet gjatë këtij rrugëtimi studiues të parapëlqyer. Kryesisht të mos bëhemi të kufizuar dhe të përqendruar njëanshëm. Mua gjithnjë më ka interesuar se kah vjen dhe si shkon letërsia nëpër këtë shpejtësi marramendëse teknologjike. Tanimë jemi për çdo ditë të bombarduar me këto lloj-lloj qasjesh, e formash të përzgjedhura shkrimore. Kështu nga ky receptiv sistemor i vëzhgimit letrar, unë vendosa ta shkruaj edhe librin e tretë interpretues (Theksime letrare 2017), po me ato të njëjtat metoda e valë  preookupuese, letrare, si te dy vëllimet e botuara të më hershme (Largimi nga izolimi, 2010,  Provokime metaforike 2011). Duke vepruar kështu në kontunuitet, bashkë me vullnetin e perceptimit të lirë,  nuk rrezikoja në metodë studimi, të anashkalojë atë vazhdimësinë e librave të shkruara dhe të trajtuara që më parë. Doja që shkrimi të ketë një favor stili të dallueshëm dhe të kapshëm për të tjerët dhe sidomos të reflektojë një veçanti stili evolues estetik nëpër kohë. Arsyeja pse qëndrimi im është fokusuar kështu në këtë mënyrë, ka edhe përgjigjen e vet kuptimore. Mua si lexues fanatik, paralelisht më përndjekin dy faktor kryesor të qasjes: njëra është si të kuptohet fenomeni dhe libri që kam për shqyrtim dhe tjetra është: sa jam unë në gjendje të ndihmojë e të futi një standard kreativ, apo stil qasjesh në përvojën e lexuesit? Faktori kryesor që më detyron të mendoj kështu është se ne sot, në hapësirë e kohë, jemi të ngarkuar shumë me vlerat dhe jo vlerat. Sidomos me botime të shumta, me kontrollim dhe pa kontrollim profesionist. Ne merremi me këto të dhëna, por asnjëherë nuk mendojmë në standardin e mirëfilltë që duhet të kultivojmë në shoqëri. Ngarkojmë fjalorin e përditshmërisë sonë me fjalët: i vlefshëm dhe jo vlefshëm. Pastaj si do të ishte më së miri të analizohet një vepër, si t’i afrohet lexuesi sa më shumë librit? Çka e nënvlerëson standardin e kreativitetit letrar? Shumë herë më thumbojnë këto pyetje e mendime në vete. Nëse ne gërvishtim me kujdesin e shpresës gjeografinë e madhe shqiptare dhe të studimeve të shumta letrare e gjuhësore gjithandej kësaj kolonie shkrimore, besoj se mund të gjenden shumë metoda dhe mundësi kërkimi, për ta gjetur shtegun dhe për ta kuptuar gjendjen që kemi krijuar, por sa janë sot efektive këto metoda hulumtuese te ne? Këto nivele më së miri mund t’i dinë ligjëruesit e shumtë nëpër Universitetet profesionale. Kryesisht duke u bazuar në Kritikën e letërsisë dhe në Shkencën e letërsisë. Madje problem i rëndësishëm është edhe mosveprimi i drejtë i kritikës letrare për gjerat e botuara. Sidomos për drejtimet dhe shkollat kreative ekzistuese. Botimet pa kriter dhe pa profesionalizëm adekuat, kanë sjellë sot në opinion kreativitetin e pa standardizuar letrar. Edhe e dobëta edhe arrira shqyrtohen me të njëjtin vokabular të gjuhës estetike, ndaj në këtë mënyrë edhe humbet niveli i kriterit estetik i goditur për gjërat e vlefshme. Vlerësimi bëhet sa për sy e faqe dhe humbet standardi i kriterit të duhur. Janë formuar shabllone qasjesh që nuk kanë interes studimi të mirëfilltë, prandaj edhe na imponohen, gjithnjë e më shumë, pakënaqësitë e nivelit letrar.

Për t’i dalluar këto dy kundërshti të dukshme, të një tërësie të madhe të kulturës kreative të ambientit tonë, kërkon një sakrificë dhe mësim permanent të kritikës dhe interpretimit të drejtë, nga specialistët e studiues të rrallë, që merren me këtë punë profesionale gjithandej botës sonë letrare. Tehu i zërit të tyre kritik duhet respektuar e pranuar, para se të botohet një vepër e re. Të shihet mirë brumi kreativ që ‘’ftallohet’’ në tryezën e gatimit të rëndë. Ky veprim më ka ngucur e detyruar sa herë që merrja në duar një libër të ri për ta lexuar vëmendshëm dhe me syrin kritik.  Derisa bindja ime për letërsinë, tanimë, është bërë tabut kreativ prej letre, e kam të pa mundur të shpërngulem tërësisht nga ky ‘’izolim’’ i këndshëm dhe i caktuar meditativ, që, si formë dhe njohuri më rrethon, bashkë me teknikat e reja letrare. Përherë nënvetëdije më shfaqet dhe gërvisht kjo përmasë e pyetjeve artistike dhe estetike, që ‘’ma lehtëson, apo ngushton jetën’’. Ndaj kjo ngarkesë e përditshme më ka motivuar për të sjellë ndonjë risi apo veçanti ambientit tonë letrar, gjithnjë duke pasur para sysh dhe në vëmendjeje, si objekt studimi format e ndryshme të qasjes: stilin, kompozicionin dhe narrativen. Këto detyra teorike profesionale, që i kam konsideruar për objektivitet të rreptë, më kanë detyruar të jem aktiv dhe ngandonjëherë edhe konfliktuoz nëpër diskutime, prandaj jam detyruar të përthithi sa më shumë informacione bindëse nga letërsia jone dhe ajo botërore. Vështirësitë përherë janë të shumta kur kemi detyrim permanent shqisor dhe përgjegjësi ndaj artit, për të thëne diçka të bindshme, të goditur, të re, që do ta zgjojë më në fund edhe kërshërinë e lexuesit.

Akoma nëpër shkollat e fakultetet tona profesorët kanë iletin e së kaluarës dhe japin informacione të tejkaluara për biografinë e autorit dhe prototipat e personazheve (të cilat informacione tanimë i kemi të gatshme nëpër Wikipedia), në vend se të merren me kuptimësitë dhe veçantitë stilistike të shumta, të vepra të botuara, sidomos në kapjen e atyre metodave e nocione stilistike adekuate, që do të na shërbenin kthjellët dhe bindshëm gjatë analizës së një vepre letrare. Ligjërimi letrar sot kërkon mjete tjera të reja komunikimi. Teknika e shërbimit adekuat gjuhësor stilistik duhet ushtruar mirë. Madje saktësia e qasjes kërkon reparte specifike dhe studim të sofistikuar për të shpaluar sa më qartë e sa më mirë mendimin estetikë të brendshëm dhe atij të jashtëm, duke u bazuar me këmbëngulësi nëpër thellësitë e veprave të botuara, sidomos në kuptimin dhe të qëllimin e tyre nëpër hapësirë e kohë.

Problem i veçantë në ditën e sotme është fokusimi i shqisës sonë nëpër metoda të shumta shkencore, të cilat nga lexuesi në lexues shpalohen dhe interpretohen ndryshe, por trajtimi i saktë i tyre, mund të shihet vetëm si proces zhvillimi alternativ i qasjes dhe metodave shkencore. Shkenca e mirëfilltë na e ka lehtësuar veprimin e ndërmarrë. Këtu mund të na çel punë edhe metoda Pozitiviste e qasjes së një vepre letrare, duke u bazuar në jetën e autorit dhe duke quajtur më në fund njohjen njerëzore thjesht si tërësi ndijimesh. Ky veprim na futë nëpër labirintet e metodës së psikoanlizës së mundshme, (Frojdi , baba i psikanalizës). Por tanimë në rrjedhat e studimit ekziston si metodë e mundshme edhe interpretimi imanent i veprës letrare, e cila bazohet kryesisht  në strukturën e veprës dhe në marifetin e retorikës së saj të dhënë. Në veprim mund të na hyj lirshëm këtu edhe Postruktualizmi dhe Dekonstrukcioni, si metoda pune që na jep mundësinë e lehtë t’ia gjejmë rrënjët e saja një teksti, nga një tjetër tekst i mëhershëm, e cila mund të gjendet e përfshirë aty, pa dyshim, mu në një vepër, si intertekstualitet i mundshëm. Përveç këtyre mund të na vij në ndihmë edhe ‘’Teoria e sistemit’’ dhe ‘’Analiza diskurzive’’e interpretimit të një vepre letrare, por edhe shumë faktorë ndihmës që plotësojnë orbitën e bredhjes sonë letrare, .   

Tani libri i radhës që ka parë dritën e vet të botimit e që ndoshta rastësisht ka rënë në duart tuaja, thash se është në vazhdën e dy librave të më hershëm. Forma e qasjes sime, tanimë mund të ‘’kuptohet’’ edhe më lehtë, si inversion apo përmbysje permanente e kiçit, në tërësinë e shumëllojshme të letërsisë ekzistuese. Tani një bindje e këtillë kreative më bëhet mua lëngatë kulture, me një implikim të përhershëm të metastazave shkencore dhe me metodat ekzistuese, për të shpaluar sadopak dallueshmëritë e shumta që ekzistojnë në jetë dhe në vepër. Vet letërsia na e përçon këtë shqetësim dhe komoditet bindjeje dhe na nxit gjithnjë me forcën e saj ndikuese, për një besim të mundshëm, alternativ, letrar, e cila si e tillë që është me përparësitë dhe me besim në vete, ngërthen fuqinë e dyfishtë të shkencës ekzistuese, të asaj fizike dhe mendore të jetës. Kjo fuqi e frymë e dyfishtë ndërton universin personal të gjithsecilit. Ndaj gjithnjë duhet të sprovohemi në jetë duke hulumtuar mundësi të reja, analizash shkencore, për të gjetur një shteg më të përshtatshëm hulumtimi të saktë, bile drejt qëllimit e synimit kreativ që pretendojmë, në shpalimin dhe trajtimin korrekt të veprave dhe fenomeneve ekzistuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat