Ka shumë varfëri në shpirtrat e atyre që gojën e kanë plotë fjalë të mëdha

Opinione

Ka shumë varfëri në shpirtrat e atyre që gojën e kanë plotë fjalë të mëdha

Nga: Viron Kona Më: 16 janar 2019 Në ora: 15:26
Viron Kona

“Të mos përkulemi para askujt, të mos cenojmë të drejtat  e askujt, t`i mbrojmë ato që janë tonat, duke mos rrezikuar të tjerët”. Emine S. Hoti

“Shqetësime mërgimtarësh” është një tjetër libër i shkruar në prozë nga shkrimtarja, stilistja dhe atdhetarja Emine S. Hoti. Nisa ta shfletoj me interes këtë libër dhe shpejt u përfshiva i tëri në përmbajtjen e artikujve të tij. I shkruar në gjininë e eseve, ai  rrok problematika të llojllojshme që shqetësojnë sot mërgimtarët shqiptarë të shpërndarë si zogjtë shtegtarë nëpër botë.

Libri ka redaktor studiuesin dhe publicistin e njohur Frrok Kristaj, dizajni nga Festim Matoshi; ai është botim i “Unionit të Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës”, Prishtinë 2015. “Temat që kam trajtuar këtu, - shkruan autorja në parathënie, - kanë të bëjnë me preokupimet e mërgimtarëve tanë, të cilët u larguan nga vendlindja me qëllim për t`u kthyer shpejt, por, ja se tani kaluan disa decenie e, edhe sot po vazhdojmë të jetojmë dhe punojmë në shumë shtete nikoqire - mike të atdheut tonë, përkatësisht të popullit tonë.” E më tej: “Është krejt e natyrshme se çdo lëvizje, ngjarje apo ndryshim në atdhe, ne në mërgim na preokupon. Bile ngase nuk jemi në atdhe, t`i shohim gjërat ashtu siç janë, shpesh edhe i kuptojmë ndryshe për çka edhe shqetësohemi deri në atë masë sa dhe japim kualifikime nga më të ndryshmet.”

Image
Emine S. Hoti, duke folur para studentëve të universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. (qershor 2016)

Në thelb, në  artikujt e këtij libri, znj. Hoti shpreh jo vetëm shqetësimet e saj, por edhe të bashkatdhetarëve të tjerë  që punojnë dhe jetojnë kryesisht në Norvegji. Teksa unë, duke vijuar leximin,  pajtohem plotësisht me komentin interesant, që i bënë këtij libri gazetarja e talentuar e “Bota Sot” Ajete Zogaj, e cila midis të tjerash shkruan: “Autorja Emine S. Hoti, kësaj radhe na sjellë ese interesante, të cilat shpalosin realitetin tonë, ashtu siç është pa zbukurime të theksuara, duke u munduar të prekë poret më të rëndësishme të jetës dhe përditshmërisë. Ajo kritikon dhe këshillon, sjellë përvoja prej vendit ku jeton tash e sa vite, por në shumë raste shpreh dëshpërim e zhgënjim, me lutjen e përhershme se do të bëhet më mirë!”

Dalëngadalë, duke shfletuar “Shqetësime mërgimtarësh”, bindesh për vlerat e  këtij libri, i cili të vë në mendime, të emocionon deri, herë-herë, edhe të trondit, ndërkohë që na bënë t`i shohim disa gjëra me më shumë realizëm e vërtetësi, duke nxjerrë mësime prej tyre, ndërsa autorja nuk harron t`u shpreh mirënjohjen qytetare shteteve mike ku mërgimtarët shqiptarë jetojnë e punojnë prej vitesh.

Të mos përkulemi para askujt,  të mos cenojmë të drejtat  e askujt

Libri përfshin tema, kënd shikime dhe vizione tepër të ndjeshme e humane, që sigurisht ndriçohen edhe nga drita demokratike dhe zhvillimet e një vendi siç është Norvegjia, ndërsa prekin mendjet dhe zemrat e mërgimtarëve, sidomos kur sjellin në fokus  temën e familjes, të cilën znj. Hoti e konsideron të shenjtë. “Jeta, - thotë autorja, - është lulëzim me vuajtje e sakrifica, e ëmbël dhe e hidhët me plot batica e zbatica gjatë saj. Çdo njeri duhet të jetoj jetën e  vet, me ato që i sjellë ajo.” Bindesh në vërtetësinë e këtij mendimi kur ke parasysh se vet autorja është njëra nga mërgimtaret që ka kaluar një jetë plotë peripeci e sakrifica të jashtëzakonshme, por që me formimin  dhe karakterin e saj, të një gruaje të fortë dhe të emancipuar, ia ka dalë që t`u bëj atyre ballë dhe të eci me dinjitet, me besim e shpresë në rrugët plot vështirësi të jetës. E në këtë kontekst, ajo kërkon që njeriu të jetë vetvetja, as kopje, por dhe as të ndikohet nga mendimet e të tjerëve, pasi secili ka jetën e vetë. “Çdo njeriu i duhet një mendje  e shëndoshë, që ta shfrytëzojë së pari për familjen e tij. Familja është e shenjtë për tërë botën. Assesi, të mos përkulemi para askujt, të mos cenojmë të drejtat  e askujt, por t`i mbrojmë ato që janë tonat duke mos rrezikuar të tjerët”. Ndërkaq, ajo na kujton se të gjithë kemi obligime ndaj fëmijëve dhe të rinjve, për ata duhet të kujdesemi, por edhe t`i edukojmë e t`i udhëzojmë në rrugën e drejtë…

Dielli lëshon rrezet mbi mua,  por ato rreze nuk më ngrohin, se shpirtin e  kam akull, e sytë i kam plot lot

Mërgimtarët, duke qenë larg atdheut, kanë dashuri të madhe dhe të jashtëzakonshme për  familjet që kanë lënë pas, për prindërit e tyre dhe më së shumti dashuria ndalet tek nënat e dashura, që i presin me mall fëmijët e tyre në sokakët e shtëpive e  në dritare, duke  përfytyruar e ëndërruar çdo çast kthimin e tyre: Ja, ata janë duke ardhur, në mos sot, nesër ata  do të kthehen në atdhe, sepse, shtëpia dhe atdheu, kanë forcën tërheqëse të një magneti natyror e shpirtëror tepër të fuqishëm. Ja se si shprehet autorja, duke iu drejtuar nënës së saj: “Nëna ime e shtrenjtë, nëna ime e dashur, tërë natën e kalova me ty në ëndërr. Dëshiroja që ëndrra të zgjaste  e të zgjaste, dhe unë ashtu, si me qilimin magjik të vija atje tek ti, të ta përqafoja ballin e rrudhur nga vitet. Por, ja se ajo ishte vetëm një ëndërr. Unë isha larg teje, e tretur në dhe` të huaj. Shumë shpesh jastëku ku  e mbështet kokën më bëhet qullë nga lotët.” Pastaj, me një gjuhë dhe mendim që të trondit, ajo vazhdon: “Dielli rrezet  lëshon mbi mua, por ato rreze nuk më ngrohin nënë, se shpirtin e  kam akull, e sytë i kam plot lot… I drejtohem shumë herë hënës: Hënë, o hënë, ma dërgo zemrën time në Kosovë, në Drenicë, atje te nëna ime…U plakëm në dhe` të huaj…Vite të tëra pa shikuar lindjen dhe perëndimin e diellit në atdhe…” Lexuesi përfshihet kështu në një emocion dhe rrëfim plot ndjenjë, plot mendim, dhembshuri dhe mesazhe jete realiste e të ngrohta, ashtu siç është shpirti i bukur dhe zemra e madhe e autores së këtij libri. Janë rrëfime të një gruaje, zemra e së cilës ndizet nga ndjenja të thella njerëzore, nga dashuria për atdheun, për Kosovën e shtrenjtë. Duke qenë e kulturuar dhe  e formuar, si dhe me karakter të fortë, ajo  nuk e lë veten të rrëmbehet nga mëshira dhe dallgët e  fatit, por qëndron e palëkundur, vlerëson dhe përcjell kurdoherë te lexuesi mesazhe mendime dhe vlerësime të vërteta, që njeriu s`mund t`i largojë kurrë nga vetja, pasi ato mendime dhe ndjenja janë si rrjedhja e gjakut në trupin e gjithkujt, e shoqërojnë njeriun gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij. Ndodh që çdo mërgimtar, teksa e ka  shikimin te ndërtesat e larta, rrugët e gjera plot lëvizje makinash dhe bukuri të pasosura, te gjithçka që sheh e përjeton, ai përfytyron çdo çast atdheun, shtëpinë e tij, njerëzit e familjes. Ai dëshiron që edhe atdheu i tij të jetë i bukur, i fuqishëm dhe i pasur ekonomikisht, njerëzit të jetojnë sa më mirë pranë e pranë mes të dashurve të tyre, të mos detyrohen t`i braktisin ata, qoftë edhe përkohësisht për të siguruar bukën e gojës dhe mbijetesën. Doemos që ishin dhe janë kushtet ekonomike-sociale apo politike që e çojnë aq larg, shumë larg, e largojnë njeriun nga familja me një “dhunë të padukshme”, teksa malli dhe dashuria për atdheun që ka lënë pas shtohen e shtohen pakufi. Natyrisht që nuk ka dhunë më të madhe sesa të jesh i varfër ekonomikisht, të mos jesh në gjendje të sigurish jetesën për familjen tënde, të shohësh ëndrra sesi do të nxjerrësh ditën e nesërme për të ushqyer fëmijët e vegjël që ashtu me sytë bojë qielli dhe pafajësinë e tyre, sikur të thonë:  “O babi, o mami, të varfër jemi ne?!”....Vijoj leximin e librit dhe krijoj një bindje edhe më të plotë se këto ese, jo thjesht letrare, sikur shoqërohen me tingëllimat e thirrjeve të fuqishme dhe gjëmimin e kambanave, që tronditin shpirtrat dhe zemrat e gjithkujt, si për t`u thënë se sa i rëndësishëm është atdheu, vendlindja dhe njerëzit e dashur, ndërsa brenda gjakut dhe zemrës ngrihet pyetja: “Pse, pse neve që kemi këtë vend plot diell e që e ka bekuar Zoti, këtë Shqipëri dhe këtë Kosovës kaq të bukur, të mos jemi në nivelin e vendeve më të zhvilluara evropiane ?! …

Ka shumë varfëri në shpirtrat e atyre që gojën e kanë plotë fjalë të mëdha

Po aq prekës është edhe eseja “Të përkrahen nënat e Kosovës”, e ku, që në fillim, autorja shkruan: “Njeriu kur është larg vendit të vetë edhe më shumë e ndjen mallin dhe mungesën e atdheut. U gëzohet sukseseve dhe zhvillimeve pozitive që ndodhin në atdhe, por njëkohësisht pikëllohet për lajmet e këqija që merr për vendin e  vet, për njerëzit e vet.” Dhe, në vazhdim të kësaj ideje, ajo nënvizon faktin se duke u ndodhur në një vend të zhvilluar siç është Norvegjia, ku respektohen të drejtat e njeriut, kur nëna dhe fëmija kanë trajtim të dinjitetshëm, s`ke se si të mos dëshpërohesh kur krahason këto të drejta me vendin ku je lindur e rritur. Në rrëfimin e saj, ajo debaton në distancë me një “ministër” të Kosovës, i cili, me një deklaratë të papërgjegjshme e fyen rëndë femrën shqiptare, nënën shqiptare, duke u shprehur kundër lindjeve të shumta. Deklarata e këtij “ministri”, se “duhet t`i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin”, ishte krejt e pamatur, pasi, siç shprehet autorja, ai, “ministër”, sikur shumë shpejt e ka harruar të kaluarën e popullit të shumëvuajtur të Kosovës. Dhe, nëse ky “ministër”, ka qenë i ri në kohën kur politika serbe bënte luftë speciale dhe përpiqej të frenonte me gjithfarë lloje mënyrash shtimin e  lindjeve në Kosovë, “ministri” është dashur të pyes nënën e tij për ato vite të rënda, e cila, me siguri do t`i tregonte për gjenocidin serb mbi popullsinë e Kosovës, do t`i tregonte për ato fushata të egra të serbomëdhenjve, ku femrat shqiptare i quajtën “fabrika të lindjes së fëmijëve”; do t`i tregonte kur ata helmonin të rinjtë në shkolla, apo kur  vaksinonin femrat dhe meshkujt për të kufizuar numrin  lindjeve...

Në vijim të esesë së saj realiste dhe emocionuese, znj. Hoti kujton lexuesve se   “Arma më e fuqishme kundër armikut në vitet  90-të, ishte lindja e fëmijëve...” Ndërkohë, spikat i drejt mendimi i autores, kur thotë se: “Nuk është përparim nëse ndërtoni pallate shumëkatëshe, por ndihmojini ato familje që nuk kanë kulm mbi kokë, nuk kanë askënd të punësuar…” Duke qenë vet nënë, madje edhe gjyshe, znj. Hoti nënvizon një porosi të nënës së saj:   “Bija ime, lind sa më shumë fëmijë, sepse ne rritemi dhe plakemi, ikim nga kjo botë, nëse nuk lind fëmija nuk lulëzon shtëpia, nuk lulëzon kombi”.

Është shumë realiste znj. Hoti edhe kur thekson se “Njerëzit e ndryshojnë kohën.” E në kontekst të kësaj thënieje filozofike ajo  shprehet se “Njerëzit me mendje të ngushtuar, që nuk shohin më larg se hunda  e tyre, çdo gjë e mirë u duket keq dhe japin vërejtje: mos fol shumë, nuk ke të drejtë të shprehësh mendimin tënd, mos u merr me vallëzim, mos u jep dije e përvojë kulture rinisë se është turp...” Dhe, të mendojmë se, nga këto lloje mentalitetesh të prapambetura,  vuajti edhe protagonistja e romanit të saj të njohur nga lexuesi “Jetë ferri”, ku shkrimtarja Hoti përshkruan në mënyrë drithëruese fatin dhe jetën e personazhit të romanit të saj. Nisur nga përvoja, autorja këshillon rininë, që ajo të mos bjerë në grackat e injorantëve dhe të paragjykimeve frenuese e prapanike. “Nëse  e duan sportin të merren me sport, nëse  e duan kulturën të japin kontributin e tyre në zhvillimin e saj, pra të zhvillojnë talentin e  tyre që ua ka dhuruar natyra”. Një këshillë të vlefshme ajo e ka edhe për vajzat e reja: “Mendoni mirë para se të vendosni se cili do të jetë shoku juaj i jetës, cili do të jetë profesioni juaj…cila është rruga juaj jetësore…” Por, autorja, u drejtohet rreptë edhe qeveritarëve që sikundër shkruan: “Unë shohë shumë varfëri në shpirtrat e atyre që gojën e kanë plotë fjalë të mëdha…”, por që në realitet pak përpiqen për të përmirësuar kushtet social-ekonomike-kulturore dhe nivelin e jetesës së shtetasve të tyre. Ndërkaq, në esenë “Të bëhemi më punëtorë!” znj. Hoti shprehet me dhembje për gjendje e tokave të lëna djerrë dhe të papunuara të Kosovës. Ajo ironizon me dhembje momentet kur fshatari shkon në dyqane të qytetit për të blerë një “pulë braziliane” apo për të blerë vezë.   “Shumë shtëpive fshati, - nënvizon ajo, - u mungon blegërima e qengjave, deleve…, qumështin fshatarët shkojnë dhe  e blejnë në qytet e, ndërkohë amvisat dhe shumë njerëz që rrinë strukur nëpër shtëpi, shohin vetëm serialet pa fund të telenovelave turke-latine-spanjolle, apo janë të zëna me faqet e FB. Dhe, këshilla e saj nuk mungon:   “Dua t`u them njerëzve të vendit tim, se shumë vende në botë janë zhvilluar dhe përparuar nga zhvillimi i bujqësisë dhe i blegtorisë. Kthejuni tokës, mbillni grurin e misrin, pemë e perime”…Vërejtjet e znj. Hoti shkojnë edhe për kaosin urbanistik, ku ndërtohet me vende e pa vend, duke pushtuar me ndërtime tokat më pjellore.

E edukuar në një vend me zhvillim të madh në saj të punës, siç është Norvegjia, tingëllon realiste thirrja e znj. Hoti:   “Bujku t`i kthehet tokës, bariu të rris kopenë, amvisa të kultivojë shpezët dhe perimet, të gatuaj bukën e grurit të tokës së Kosovës…”

Atyre fëmijëve, përpiqesha t`u ktheja buzëqeshjen, që ua kishte vrarë pushtuesi serb

Një mërgimtar e di më mirë se cilido se sa i rëndë është emigracioni, edhe atëherë kur atij “i ecën fati”. E, në këtë kuadër, znj. Hoti, në esenë që i ka dhënë edhe titullin librit: “Shqetësime mërgimtarësh” thekson se “Jeta në mërgim është sikur të përfundosh një fakultet që të mëson, të jep edukatë për ata që mendojnë për të ardhmen.” Ajo argumenton bindshëm se çfarë mëson konkretisht njeriu nga jeta mërgimtare, e cila, sipas autores, i jep forcë mërgimtarit, e kalit, e bënë të përballojë shumë gjëra, ndërkaq e shtynë që përherë të mbaj mendjen tek atdheu, te vendlindja…Në këtë rrjedhë është edhe eseja “Në mërgim ruhet tradita shqiptare”, ku theksohet se në emigracion duhet treguar kujdes më i madh dhe i veçantë për ruajtjes dhe mësimin e gjuhës së bukur shqipe, por edhe të kulturës kombëtare. Duke qenë disa kohë edukatore e fëmijëve mërgimtarë në Norvegji, autorja kujton se ishin momente të paharruara ato kohë kur ajo u angazhua me punë edukatore  e fëmijëve shqiptarë në kohë lufte: “Në fytyrat e fëmijëve që kishin ikur nga lufta, sikur më parafytyrohej e tërë Kosova, e cila digjej e shkrumbohej nga okupatori serb. E këtë e përjetova edhe më rëndë sepse unë vija nga rajoni i Drenicës, rajon ky i cili gjatë gjithë historisë ishte cak i masakrave e mizorive serbe mbi popullatën shqiptare…Atyre fëmijëve përpiqesha t`u ktheja buzëqeshjen, që ua kishte vrarë pushtuesi serb, por njëkohësisht, angazhohesha që t`ua ngjallja dashurinë për atdheun, për Kosovën e për viset shqiptare.”

“Kurrë mos pyet se çka bërë atdheu për ty,  por ç`ke bërë ti për atdheun!”

Në esetë në vazhdim, Emine S. Hoti tregon për kontributet që ka dhënë mërgata për Luftën e UCK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nisur gjithnjë nga thënie e njohur: “Kurrë mos pyet se çka bërë atdheu për ty, por ç`ke bërë ti për atdheun!” Më tej ajo nënvizon se “Kosovës i nevojitet shkollimi cilësor”, teksa shpreh dhembjen që rinia e Kosovës po largohet për në vende të tjera për shkak të mungesave të vendeve të punës dhe perspektivave për një jetë më të mirë. E, në këtë kontekst, autorja ironizon vetëkënaqësinë e pushtetarëve: “Klasat e sotme politike të Kosovës janë ngritur aq lart, sa sikur duan të pushtojnë retë! Aspak nuk i kanë këmbët në tokë!” Në vijim të kësaj kritike, ajo nënvizon se  në vende të tjera të botës, që janë shumë të zhvilluara, sundon rendi e ligji, jo anarkia e hipokrizia. Në ato vende, - vijon ajo, - pranohesh në punë në bazë të aftësive profesionale dhe jo me njohje e me lidhje miqësore  e nepotike! Këto vende dinë të çmojnë dijen, vlerën e punës, dinë ta vlerësojnë studiuesin dhe njeriun e  ngritur…Ndaj kambana e saj bie fort në esenë “Të vetëdijesohemi për shtet ligjor”, teksa përcjell te lexuesi respektin për njerëzit e mëdhenj të kombit, duke u ndalur te figura emblematike e Hasan Prishtinës, i cili tërë pasurinë  e tij, që nga Vushtrria e deri në Prishtinë, e shkriu që të ndihmonte kombin. Krahas kësaj, mblodhi edhe pasuri të tjera për t`i shkolluar vëllezërit kosovarë në shkollën e  Elbasanit, që t`i dalin zot tokës së tyre, deri sa u vra nga dora e armikut në gushtin e vitit 1933. Po ashtu ajo përmend edhe  heroin tjetër Nazmi Gafurri, i cili tërë jetën ia kushtoi popullit të vetë….

Bashkohuni për interesat e popullit!

Po aq interesante janë dhe temat “Në përvjetorin e shtatë të Pavarësisë së Kosovës”, “Liria e nëpërkëmbur”, eseja optimiste “Kosovën e presin ditë më të mira!”, “Të investohet më shumë për fëmijë”, “Të vjetrit, t`ua lënë vendin të rinjve”, “Mbahu për toke e ngrihu për toke”, “Të mos copëtohen më trojet shqiptare”...Në këtë ese, autorja shfaq mendime dhe konsiderata tepër interesante. Ndër të tjera ajo shprehet: “Po i lus nga zemra ta dëgjojnë zërin e popullit tonë dhe mos të gjunjëzohen para Vucicave e Dacicave e kërkesave të atyre, që historikisht na shkatërruan me të vetmin motiv që jemi shqiptar. Duhet ta dini që presioni ndërkombëtar është përherë ndaj nesh dhe kjo na bëhet edhe të na matet pulsi ynë deri ku jemi të gatshëm që të lëshojmë pe para atyre që nuk meritojnë të jenë përballë nesh…” Me përvojën e saj si një mërgimtare në shtetin norvegjez, që i prezanton botës përherë zhvillime të rëndësishme demokratike dhe ekonomike, znj. Hoti u bën apel deputetëve të Kosovës, që të ndjejnë më shumë obligim ndaj votuesve të tyre.

Në vijim, lexuesi ndalet tek eseja “Bashkohuni për interesat e popullit”, teksa  vijohet me esenë emocionuese “Futbollistët - heronj, që nderuan kombin dhe flamurin”. Në përfundim të librit të saj me mendime origjinale, tërheqëse dhe interesante  për cilindo lexues, autorja shpreh me fuqinë e shpirtit dhe të zemrës krenarinë që është shqiptare.

Duke mbyllur faqet e këtij libri të thjeshtë në dukje, por të pasur dhe të shëndetshëm në përmbajtje, dëshiroj të them se artikujt në formën e eseve të shkurtra pasqyrojnë ide dhe mesazhe që të vënë në mendime, veçanërisht kur ato shoqërohen me përvoja konkrete, me ballafaqime apo me thënie të lashta të njerëzve të ditur të popullit. Thuajse tërë artikujt-ese të këtij libri,  i përshkon dashuria dhe malli  për atdheun e vendlindjen; dëshira për ta parë Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë kombin sa më të zhvilluar dhe me mirëqenie të lartë, teksa shfaqen cilësi dhe virtyte të mrekullueshme që karakterizojnë popullin tonë,  por, edhe kritikohen e thumbohen disa mangësi që, duke u shëruar e ndrequr, do të na ndihmojnë në ecjen më përpara në rrugën e demokracisë dhe të zhvillimit...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat