Shpirti i arsyes ka origjinë nga protesta

Opinione

Shpirti i arsyes ka origjinë nga protesta

Nga: Engjëll I. BERISHA Më: 17 janar 2019 Në ora: 21:39
Engjëll I. BERISHA

Xhevdet Bajraj është ndër poetët, tani edhe poetë mërgimtarë, që e konfirmon lirinë e vendit të tij, duke e mbjell farën e lumturisë në mendjet tona si fijet e rrjetës që i mban të lidhura nga toka e lindjes në tokën e largët të jetesës. Këto fije i end në copën e tij të qiellit, (tit: Copa ime e qiellit) të paktën një copë është e tij, dhe i thur në Edenin e krijesave e të mëkatit, e vëzhgon kafshimin e mollës si evolucion, e në fakt është kërkim i vetëdijes i dashurisë njerëzore dhe i një transformimi që e shikon në sytë e tij autori. Kjo bëhet kënga e tij, figurë stilistike krahasuese gati në tërë përmbledhjen, krahas idealit të tij estetik. Tokë këndej, e tokë andej, po liria, si duket kudo konceptohet sipas mënyrës si e pranojmë. Artin e lumturisë Xhevdeti e shikon ndryshe nga ne këtu, ku po e bëjmë edhe artin edhe copëzën e lirisë. Kështu e thotë edhe mendimi psikologjik se nuk është njëlloj, të ndihesh mirë përkundër asaj, të hiqesh sikur ndihesh mirë. Kështu ma thotë mendimi im se poeti Xhevdet Bajra e vërteton se shpirti i arsyes ka origjinë nga protesta. Ma thotë poezia e tij të cilën e lexoi sa herë ai e publikon, të paktën kështu vjen te timbri im.

Ta kuptosh rëndësinë e jetës, nuk është më vetëm iluzion për të dëshiruar, është thjeshtë mendim i mençur që tejkalon kufijtë e mendimeve tona të përditshmërisë. Këtu e nisë konceptin e vrojtimit Bajraj në poezi, edhe kur e shkruante në tokën e vetë edhe kur e shkruan atje larg. Po, Xhevdeti larg, ka një tjetër shëndet mendor, e kupton shumë mirë paqen e mendjes e të qenies. Pse, po e nisë kaq gjatë me konstatimet për mendjen e për paqen e mendjes? Sepse, gjuhën idealiste e iluministe e ka sjell tek ne Naimi me një gjeneratë të tërë të rilindjes, me ligjërimin me plot simbole, e që kanë lënë ndikim edhe sot. Te Bajraj, arti letrar mbetet sublim i esencave me një stilistikë më të përsosur e më të sforcuar. Unë e kisha mendjen te lidhja drejt përdrejt me vendin e të kaluarën e tij në krahasimet dualiste “të mirës” e “të keqes”, si kategori për ta fituar njërën e për ta mposhtur tjetrën. Edhe ata lot që i bien si tequila nga Mexiko Sity, me mendjen te pema e jetës ku bëjnë qetësi relative prindërit e tij, shiko poezia “ Të forta si loti”.  Kjo është energjia që Bajraj e bën sikur të ushtruarit e ligjit të vetëdijes së tij dhe gjuha idealiste e asaj paqe që nuk i përputhet trupit e mendjes, jashtë mendësisë së tij, jashtë parimit e brezit, dhe kurrsesi ta aneksoi fatin individual nga fati i popullit të tij. “Liria u vra si shtazë e egër / lëkura e së cilës thahet në diell / për këpucët që do ti bartim / ditën e vdekjes”. Poezia “Kali prej mjegulle”.

Poezitë që i janë dhuruar lexuesit, nga të të shkruara në vendin e tij të lindjes, apo vazhdojnë të shkruhen larg, kanë një nuancë ndryshimi, ngase Bajraj nëpër atë copën e tij të qiellit, e kërkon lartësinë dhe fisnikërimin e njeriut, e këtë e bën me gjuhen e shpirtit. Mund të thoja, se, nga të gjitha ato poezi që shkruhen larg, shpirti i tij nuk i nënshtrohet proceseve as kompromiseve që e shpërfillin origjinën që ndryshe thuhet edhe qenien gjenetike të njeriut, në këtë aspekt ka një gjendje stabile. “ I shoh rrënjët tek m’i mbështjellë vetmia / frutat që mi hodhi përtokë shtrëngata /  u tretën në baltën e harresës / Sa dhimbje i nevojiten njeriut / për një pikë loti / sa gëzime / nëpër qiellin e thyer të mëngjesit / një zog improvizon fluturimin e dashurisë / dikush i mirë dikush i afërm / si për ajrin / ka nevojë për ne”. ( shih:  Poezia “Libri i jetës”).

Uni i tij shkrihet në gjuhën idealiste, përderisa vetmia ia shpon idealin, ç’është ajo shtrëngatë që ia rrëzon kaq shpesh mollët, frutat e lirë, me lëngun e të cilave në metaforë me lotin  e mund dhimbjen e njeriut. Aftësia e jonë e mendimit në liri është se na lejon të përzgjedhim në mes atyre gjërave që duam dhe atyre që nuk duam. Në mes mendjes së arsyeshme e arsyes së njëmend, poezitë që kemi në dorë na tregojnë se në shoqëritë me shumë ngjarje, del individi që na jep vlera për tu solidarizuar në shërbim të shoqërisë. Edhe si lexues pasionant, adhurues, edhe po të bëhemi studiues, prej leximit të tij s’kemi si të mos krsitalizohemi në kërkesat e tij të shëndosha e legjitime, në shpresë, dëshirë dhe shqetësime. Po ta duam vendin sikur e do Xhevdeti, duhet ti shmangemi zhgënjimit. Ai e bën ligjërimin e konceptit liberal me natyrën e vendit të tij të lindjes, me vlerat e  këndshme e të pa këndshme. “S’ka as do të ketë hënë e diell për ktë qiell / liria në tokën e shqipes bredh jetime / kështu që po deshe o vëlla / merre e jeto edhe jetën time”, ( poezia: Po deshe).

Po ta kërkosh humanitetin në poezinë e tij e ke me bollëk, tek dashuria e te universi i tij ndaj familjarëve. Kjo është pika më e lartë e dashurisë humane. Janë njerëzit e tij të gjakut, janë prindërit, toka e të parëve, pemët e rrushi simbol i jetës e fisnikërisë, për të cilat ndjehet i nënshtruar, i admiruar dhe ëndrrat i duken më fantastike në Edenin e Dardanisë së tij. Kurrsesi nuk e braktisë pamjen nga larg, aq afër në mendjen e tij, për kohën e luftës, kohën e barbarisë. Sa të rënda i bart poeti këto shëmti të dorës së lig njerëzore, në shpirtin e tij, prej nga e ndërton rrëfimin sa episodik, sa kodifikim i rreptë i dukurisë njerëzore. Aq më shumë kur këto poezi i përkthen në gjuhën botërore, për t’ua bartur historinë e këtij populli në vargje e në këngë që i këndon në çdo mbrëmje, nga larg, e krejt afër zemrës, aty ku i rri mendja: “Njeriu i goditur me plumba bie përdhe / i merr erë lules së gjakut të vet të derdhur / që mbin mbi asfalt / dielli nis të dridhet sikur do të fiket / terri me gjuhën futë lëpin atë çka mbeti nga dita /nëse unë nuk jami kësaj toke / kjo tokëështë e imja pa dyshim / kujton fytyra e të dashurve të tij / dhe i dhemb / që vetëm njëherë jetoi e aq shpesh vdiq në jetë” (Poezia: “Lule lufte”)

 Moti nuk më ka ra të lexoi poezi kaq në marrëdhënie me njëra tjetrën, kaq në proces njerëzor me çastin që e jeton, me kaq shumë figura, me kaq shumë dashuri çliruese. Ky këngëtim që bën poeti,  të bën tu besosh emocioneve tua gjatë leximit sikur organizmi që vetëshërohet, sikur interpretimi i realitetit, fundja, të gjithë mësojmë nga njëri tjetri, përderisa Bajraj po bëhet shkollë në veti, që unë po e them, një shkollë e avancuar, e profeksionuar nga përvoja e diversiteti që po këmben me ambientin e ri. Poezia, “Ëndrrat e Engjëllit”: “Sa preku me këmbë në tokë / ktheu në kafenenë e parë të qyteti / piu shtatëmbëdhjetë uiski skocez dhe vdiq /  edhe engjëjt shohin ëndrra tmerri / kur erdhi herën e dytë / piu nëntë vodka ruse dhe s’diti që duhet paguar / njerëzit ia prenë krahët / që atëherë engjëlli s’guzon të flejë / ka frikë mos ëndërron njeriun”.

Hajde poet, se ditën shumë shpesh e nisim me ty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat