Kur brumi të bën për dhoma gazi...

Opinione

Kur brumi të bën për dhoma gazi...

Nga: Dijedon Musa Më: 20 janar 2019 Në ora: 18:24
Dijedon Musa

Më shumë se sa emocion apo keqardhje, në ditët që lamë pas me rastin e shumë përfolur, u shpërfaq realiteti i brumosjes tonë si popullatë!

Duke parë sharjet nga më mizoret që bëheshin në drejtim të mjekëve si të ishte një fushë pushkatimi hitleriane (para se te ndërtoheshin dhomat e gazit), dhe meqenëse e dija saktë të vërtetën, vendosa që të shprehem ashpër, të shprehem pak a shumë në mënyrën e njëjtë me akuzuesit.

Si përfundim, e humba betejën në fushë të hapur. Rreth 90% mund të them dhe pothuajse të gjithë ata që u shprehën me mundën, mua dhe ndonjërin që aty këtu më kishte përkrahur. Na mundën sepse shumica e atyre që e lexonin dhe e dinin qe kam të drejtë, heshtnin e nuk shpreheshin. Ndërsa pjesa tjetër shanin, para deri në fitore!

90 me 10%. Çdo betejë humbet me vetëm 10%. E humbi edhe Galileu.

Por çka në lidhje me atë 90% tjetër? Është pjesa ku duhet të iu përshtatet çdo gjë. Çdo lajm që plasohet, duhet të jetë për 90-shin sepse kjo është masa.

Psh: “Personi me inicialet X.Y. (Emër i njohur për redaksinë) ka bërë 2 vrasje dhe është dërguar me procedurë të rregullt në mbajtje” kryesisht është ky format që plasohet në raste të tilla. Ndërsa kur mprehët diçka për 90-shin është kjo formë: “Dr. Filan Fisteku është zënë me 50 euro që dyshohet se i ka marrë për të kryer shërbime, të bashkangjitur e keni video linkun gjatë arrestimit dhe dërgimit në qendrën e paraburgimit”. Akumulimi i një praktike të tillë ka bërë që dëshira 90-përqindëshe në drejtim të mjekëve të kthehet nga fushë pushkatimi, në dhoma gazi.

Problemi në shëndetësi nuk qëndron vetëm në sjelljen e infermierëve ose mjekëve në drejtim të pacientëve. Nuk qëndron vetëm në atë se i dha apo nuk i dha trajtim brenda afatit kohor të paraparë... Është më se e vërtetë që ka brenda hapësirave të spitaleve të punësuar që janë shumë arrogant, të pasjellshëm, jonjerëzor, njëlloj si ata që punojnë në komunë, ministri, gjykatë e kudo tjetër.

Në shëndetësi mendoj që problemi është akoma më i thellë.

Nuk mendoj që duhet një vend si Kosova të krahasohet me sistemin shëndetësor gjerman apo zviceran. Por duke parë ngjashmëritë që fillojnë nga klima dhe patologjitë, e deri tek mentaliteti dhe të ardhurat financiare, mendoj që duhet të marrim mësim nga vendet që janë afer nesh!

P.sh. në Kroaci kohëzgjatja që një pacient duhet të operohet prej momentit që dyshohet se ka kancer është maksimum 10 ditë! Te ne duhet të presësh me muaj ndoshta, deri sa të vije radha e operimit. Pas operimit, për një rezultat të biopsisë ka raste që pritet deri në 1 muaj e gjysmë!

Dhe për këtë nuk janë fajtorë as kirurgu e as patologu, sepse ata punojnë me kapacitet të plotë.

Ne Kroaci meqenëse e mora shembull, është obligative të mbahen kolegjiume jo vetëm përbrenda reparteve, por edhe ndërmjet reparteve të ndryshme, në këtë rast kirurgji dhe patologji së bashku, por edhe radiologu edhe onkologu edhe hematologu të gjithë së bashku për të planifikuar deri në detaje trajtimin e një apo më shumë rasteve. Është e obliguar me urdhër dhe rregullore. Është domosdoshmëri kjo sepse, e rritë profesionalizmin, e rritë suksesin e trajtimit dhe rezultatet.

Në Kroaci gjithashtu janë disa qendra referente me shërbim terciar, duke bërë që të mos mbi-ngarkohet vetë njëra.

Këtu tek ne gjithçka është shumë kaotike dhe në shumicën e rasteve edhe sipërfaqësore.

Nuk është direkt mjeku fajtor për diçka të tillë, sepse një, dy, tre e edhe 500 së bashku bëjnë 10%. Ai 10%-shi i atyre të mundurve. 10%-shi i dhomave të gazit.

Problemin mund ta ndryshojë vetëm sistemi. Është sistemi ai që e rregullon kohë e pritjes, është sistemi ai që i cakton afatet e rezultateve, është sistemi ai që i obligon rregulloret dhe kushtet. Nuk mundet sistemi të ua japë edukatën stafit, sepse përderisa nuk e ka pasur familja për të ia trashëguar, as burgu nuk mundet por të paktën ua futë frikën. E sistemi ndryshohet vetëm nga lart.

E aty diku lart qëndrojnë të fjetura ministritë, gjykatat dhe prokuroria, që njësoj si mjekët, e edhe si gazetarët dhe si policia e komuna, nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet dhe siç janë të obliguar.

Kjo më bën të kuptoj që ne si popull ndryshojmë vetëm uniformë dhe tituj, ndryshojmë vetëm vend pune dhe obligime, sepse në thelb jemi të njëjtë.

Ne si popull me gjykatat dhe prokurorinë të shndërruar në vend krimi dhe mburojë të “peshqve të mëdhenj”, e luftojmë krimin e vogël duke ju bërë thirrje të gjithëve që të bëhen kriminel të mëdhenj, të fuqishëm, të pa prekshëm.

Ne këtu me policinë më të pajisur dhe entuziaste, mbrohemi nga kanuni.

Ne këtu shohim çdo ditë stafin me numër rekord të ministrive, ku të punësuarit e përjetshëm të këtyre dikastereve dalin në pauzën e orës 12.00 në kafet të cilat i kanë mësuar dhe frekuentuar prej kur ishin student, për të ju shitur mend atyre që janë kthyer nga Amerika dhe Anglia me master e doktoratura te kryera, e të cilët tani sorollaten kafeve të pa punë.

Ne si popull me cilësinë e arsimit më të ulët në rajon, jemi ekspertë të çdo gjëje, që nga jeta personale e Messit dhe Ronaldos e deri tek dokumentet dhe planet sekrete SHBA-Rusi. Paraqitemi absolutisht ekspert të çdo gjëje, sepse për ne është shumë e rëndësishme që familja dhe rrethi të thonë që: “ky është i mençëm”, “mire ja ktheve fjalën”, “komenti/postimi yt mori me shumë llajka, d.m.th. ke pasur të drejtë” etj..

Ne që nuk jemi ekspertë as të punës tonë për të cilën paguhemi ta bëjmë, ne që kemi dështuar në çdo fushë dhe institucion të këtij vendi dhe ne që orarin e punës e konsiderojmë kohë në të cilën duhet të ia hedhim paq, paraqitemi si ekspertët më të mëdhenjë që madje edhe me dhunë e imponojmë mendimin tonë prej “eksperti”.

Jemi të bërë nga i njëjti brumë, kemi të njëjtat sjellje, të njëjtat qëllime. Por kur mendojmë ndryshe, egërsohemi. Kur mendojmë ndryshe bëhemi prapë të njëjtë d.m.th.

Ky është fati i një populli që në krye ka një brum të zënë mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat