Beogradi dhe Moska, mosmirënjohja dhe vetëngushëllimi

Opinione

Beogradi dhe Moska, mosmirënjohja dhe vetëngushëllimi

Nga: Prof. Dr. Eshref Ymeri Më: 20 janar 2019 Në ora: 22:39
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Lidhur me vizitën e Presidentit rus Putin në Beograd më 15 janar, në njërën nga faqet e internetit lexova këtë informacion:

“Me gjithë tërheqjen e saj emocionale për Serbinë, Malin e Zi dhe më gjerë, Rusia nuk është as e gatshme dhe as e aftë të dominojë në këtë rajon… Dhe serbët janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë realitet. “Rusia mund të jetë në zemrën tonë, por si destinacion kemi Mynihun,” thonë ata… (Citohet sipas: “Putini në Beograd, loja që Rusia po luan në Ballkan”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 18 janar 2019).

Me rastin e kësaj vizite, Presidenti Putin e dekoroi Presidentin Vuçiç me “Urdhrin Aleksandër Njevski”. Ёshtë e çuditshme se për çfarë meritash ia akordoi këtë dekoratë të lartë? Presidenti Putin e di me siguri se “Vuçiçi ishte një nga vullnetarët më aktivë dhe besnikë të ultranacionalistit Voisllav Sheshel gjatë luftës në Bosnjë, por edhe në Kosovë. Ishte Partia Radikale Serbe, ku  Vuçiçi ishte Sekretar i Përgjithshëm, e cila kishte përgatitur dhe firmosur nga ana e tij, e Kryetarit Sheshel dhe zv.Kryetarit Nikoliç, për pastrimin etnik të Kosovës, platformë kjo, e botuar në gazetën “Velika Serbia” (Serbia e Madhe) më 14 tetor 1995 në Beograd” (Citohet sipas: Flori Bruqi. “Shtëpia e verdhë”. Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”. Tiranë 2018, f. 46).

Ja disa deklarata të Vuçiçit, i cili tani mban në gjoks dekoratën e lartë të Putinit, deklarata këto, në mbrojtje të dy kryekriminelëve me damkë Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç:

“Radovan Karaxhiçi është simbol i luftës për liri të popullit serb (viti 2001). Karaxhiçi dhe Mlladiçi janë patriotë të shquar serbë dhe heronj të luftës atdhetare (vitit 2001). Nuk do ta dorëzojmë as Radovan Karaxhiçin dhe as Ratko Mlladiçin. Nëse i takoj diku, do të pi me ta kafe (vitit 2003). Shtëpia ime, ashtu si edhe shtëpitë e gjithë familjes Vuçiç, do të jenë pikërisht “shtëpia e sigurt” e gjeneralit Ratko Mlladiç” (viti 2007)… Shpresa e vetme që të mbrojmë Kosovën është që të na mbështetë Rusia dhe Putini (viti 2005)” (po aty, f. 50, 51).

Pas këtij portretizimi që intelektuali i shquar kosovar, akademiku Flori Bruqi, i ka bërë figurës kriminale të Aleksandër Vuçiçit, lexuesi vjen në përfundimin e vetvetishëm se presidenti Putin, me “Urdhrin Aleksandër Njevski”, ka dekoruar personalitetin më të lartë serb me një të kaluar kriminale. Me këtë dekoratë të lartë, Moska kërkon më kot ta ketë Serbinë me domosdo vetëm nën ndikimin e vet, me qëllim që ajo të mos hyjë në Bashkimin Evropian.

Po Serbia a e meriton vallë me të vërtetë këtë dashuri përvëluese që Rusia ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë ndaj saj prej sa e sa kohësh? A nuk do të ishte mirë që politika dhe diplomacia ruse ta kthenin kokën prapa dhe të shikonin se sa shumë ka sakrifikuar Rusia për Serbinë, e cila ia ka shpërblyer vetëm me mosmirënjohje?

Ambasadorët e fuqive të mëdha, në fundin e vitit 1876, u mblodhën në Konferencën e Stambollit për zgjidhjen e krizës lindore. Bisedimet nuk përfunduan me sukses. Atëherë Rusia filloi të përgatitej për luftë. Në janar të vitit 1877, Rusia dhe Austro-Hungaria nënshkruan një marrëveshje sekrete, sipas së cilës Austro-Hungaria do të ruante neutralitetin, në shkëmbim të okupimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës. Por edhe Serbia me Turqinë nënshkruan një marrëveshje për paqe. Më 12 prill të vitit 1877 Rusia i shpalli luftë Turqisë. Ndërkohë, Serbia u kujtua t’i shpallte luftë Turqisë vetëm në muajin dhjetor të po atij viti. Më 19 shkurt të vitit 1878, Rusia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit. Në bazë të atij Traktati, principata serbe fitoi pavarësi të plotë. Por fill pas Kongresit të Berlinit, Serbia filloi ta orientonte politikën e saj drejt Austro-Hungarisë dhe nuk u kujtua më fare për Rusinë, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Kësisoj, Serbia, pasi u bë e pavarur në saje të sakrificave njerëzore dhe diplomatike të Rusisë, kësaj i ktheu krahët aty për aty.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur tashmë u krijua mbretëria e bashkuar e serbo-kroato-sllovenëve, “e majmur” sidomos me territore shqiptare, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse, serbët, që ishin “violina e parë” në atë mbretëri, pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Rusi në tetorin e vitit 1917, “harruan” të lidhnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike. Tanimë mbretëria jugosllave marrëdhëniet e veta i kishte orientuar nga Franca, Gjermania dhe Italia. Rusia vërtet ishte bërë një vend komunist, por rusët kishin vazhduar të mbeteshin rusë. Serbojugosllavët u kujtuan të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike vetëm në vitin 1940, kur rreziku i pushtimit gjerman kishte filluar të bëhej tashmë kanosës. Trupat sovjetike çliruan Jugosllavinë nga pushtuesit gjermanë, por “dashuria e zjarrtë” e serbojugosllavëve për Rusinë Sovjetike nuk zgjati më shumë se tre vjet. Më 1948 serbojugosllavët i kthyen shpinën Moskës dhe u lidhën me Perëndimin.

Por nuk do të ishte pa interes që Kremlini t’i kthehej edhe traditës së mendimit racional rus për marrëdhëniet e serbëve me rusët. Në vitin 1877, në Sankt-Peterburg u botua një libër interesant me titull “E vërteta për Serbinë”, libër ky, që, çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë në Rusi. Autor i atij libri është princi Vladimir Meshçerski (1839-1914), një publicist i njohur ky, [nip i Karamzinit (1766-1826), historianit të njohur rus], të cilin autoritetet sovjetike e patën vlerësuar si një gazetar reaksionar. Princi Meshçerski ka pasë qenë njëri nga organizatorët kryesorë të grumbullimit të trupave vullnetare ruse që u nisën për të luftuar përkrah trupave serbe, në mënyrë që Serbia të fitonte pavarësinë nga Perandoria Otomane. Në librin e vet, princi Meshçerski shkruan për zhgënjimet e thella që pësuan trupat vullnetare ruse dhe vetë ai personalisht, gjatë kohës që u gjendën mes serbëve. Ja disa nga përshtypjet e tij:

“Patrioti serb nuk është patriot rus. Kjo është arsyeja se pse një rus, që vjen në Beograd, bie në mosmarrëveshje me një serb lidhur me çështjen e patriotizmit. Rusi na del shumë më tepër serb sesa një serb i Beogradit… Ata (rusët - E.Y.) u nisën (për në Serbi - E.Y.) me mendimin për të gjetur atje vëllezërit e vet… Atje ata gjetën një popull, pjesa e kulturuar e të cilit e konsideron veten më lart se rusët dhe i vjen turp para Evropës të vëllazërohet me rusët, kurse pjesa e ulët, populli i thjeshtë, në shfaqjet kryesore të botës së tij shpirtërore, është shpërfillës ndaj rusëve se nuk ka arritur t’i kuptojë dot. Mes këtyre dy shtresave të popullit serb…rusi e ndien veten keq…

Rusët u bërtisnin rusëve “shpejt”, kur po i përcillnin drejt tokës serbe. Kurse toka serbe, kur ata arritën, ishte shurdhmemece kur po priste rusët. Rusët ishin gati të sakrifikonin gjithçka që kishin të shenjtë. Kurse serbët nuk u jepnin as gjërat më të domosdoshme që u duheshin për të luftuar. Rusët filluan të flisnin për serbët me emocionet e një dashurie vëllazërore. Kurse serbët flasin me një rus për rusët me tonin e një njeriu mëshirues. Të gjitha këto, të marra së bashku, nuk mund të mos u ngjallnin rusëve ndjenjat e një zhgënjimi të thellë dhe, si pasojë e këtij zhgënjimi të thellë, në shpirtin e rusëve nuk mund të mos lindte një ftohje armiqësore ndaj serbëve…Por, sado të këqija të jenë përshtypjet e rusëve, prapëseprapë ne nuk duhet të biem pré e tyre deri në atë masë, saqë të mos jemi në gjendje që prej tyre të nxjerrim një përfundim të hollësishëm dhe mandej t’ia bëjmë të qarta vetvetes arsyet e fakteve të mësipërme që për ne ishin befasuese, në mënyrë që prej këtyre fakteve dhe prej këtyre përshtypjeve, të nxjerrim për veten tonë një mësim historik, bindës dhe serioz.

Gjatë tërë kohës së qëndrimit tim në Serbi, po më mundonin ca përshtypje të rënda dhe, që të flas me zemër të hapur, asnjëherë nuk m’u shqit nga koka mendimi se ato përshtypje ishin të rënda për faktin se në to reflektohej në një mënyrë të dukshme dhe të thellë një qortim që i takonte çdo rusi, një qortim që i takonte çdo çasti të së kaluarës që Rusia ka përjetuar…

Disa thonë se e tillë është natyra e sllavit: as dy rusë, as dy sllavë nuk bashkëjetojnë dot. Shtoni këtu edhe diçka tjetër: që serbët urrejnë bullgarët, urrejnë rumunët, urrejnë malaziasit, urrejnë njëri-tjetrin (princi Meshçerski duhej të shtonte më kryesoren: urrejtjen e serbëve për shqiptarët - E.Y.). Por atëherë vetvetiu ngrihet çështja: nëse sllavët nuk mund të jetuakan dot në paqe me njëri-tjetrin, atëherë a ia vleka t’ia bëjmë vetes pyetjen se cili na qenka roli historik i Rusisë në fatin e çështjes lindore?.. Jo, mua më duket se…çdo provë duhet të na shërbejë si mësim… Para se të jemi sllavë, ne duhet të dimë të jemi rusë. Ndryshe, të tjerët mund të thonë: doktor, në fillim shëro veten tënde” (Revista “Ogonjok”, nr.30, korrik 1995, f.69, 70, 71).

Një ditë të bukur Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe s’është për t’u çuditur që ajo përsëri do t’i kthejë krahët Rusisë, si një herë e një kohë. “Dashuria e përndezur” që sot Serbia ushqen për Moskën shpjegohet vetëm me hallin që e ka zënë për çështjen e Kosovës, siç e thekson Presidenti Vuçiç. Sikur çështja e Kosovës të zgjidhej ashtu siç ia do “mideja” Serbisë, me siguri që Serbia do të përfundonte “në krahët e dashnorëve” evropianë dhe Rusisë përsëri do t’i linte pendët, ashtu siç ka vepruar me të tradicionalisht. 

Për çlirimin e Bullgarisë nga Perandoria Otomane dhe shpalljen e pavarësisë së saj, Rusia sakrifikoi male me të vrarë në betejën e zhvilluar në Qafën e Shipkës të maleve Stara-Pllatina (9-14 gusht 1877), ashtu siç sakrifikoi për çlirimin e saj edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por sot Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, pavarësisht se dashurinë për Rusinë e ka pasur shumë më përvëluese sesa Serbia. Ajo fjala e urtë ruse “ot dobra dobra nje ishçut” (nga e mira mos prit të mira), që ne shqiptarët e përdorim në një kuptim edhe më konkret (bëj mirë e gjej keq), mishërimin e vet e gjen spikatshëm në marrëdhëniet e rusëve me serbët.

Një fakt i thjeshtë, në shikim të parë, mund të përmbajë në vetvete një mesazh tepër domethënës për dashamirësinë apo urrejtjen që mund të përcillet në adresë të një populli. Kështu, fjala vjen, vetëm një ndeshje futbolli që skuadra përfaqësuese e Rusisë zhvilloi me përfaqësuesen tonë në qytetin e Shkodrës më 29 mars 2003, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian të futbollit të vitit 2004, mund të shërbente në njëfarë mënyre për përcjelljen e ndonjë mesazhi sadopak dashamirës për popullin shqiptar, përmes mjeteve ruse të informimit pamor dhe të shtypit të shkruar. Por meqenëse përfaqësuesja ruse e humbi ndeshjen me rezultatin 3:1, mjetet në fjalë dhe shtypi i shkruar folën dhe shkruan keq për shqiptarët. Për më tepër, të nesërmen, më 30 mars 2003, gazetat “Komsomolskaja pravda” dhe “Moskovskij komsomolec”, në faqet e para shkruanin me gërma të mëdha”: “Ndeshja përfundoi me rezultatin 3:1 në favor të varfanjakëve”! Siç më njoftonte një ish-studentja ime, e cila asokohe po i vazhdonte studimet në Moskë, gjatë kohës që komentatori sportive rus ishte duke transmetuar ndeshjen në televizion, fliste keq për Shqipërinë.

Nuk e di se si e kanë ndier veten të gjithë studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në Federatën Ruse kur kanë lexuar “hyneret” që ishin shkruar në faqet e para të gazetave të lartpërmendura! Rusët kanë një fjalë të urtë shumë të goditur: “Bjednost nje porok” (varfëria nuk është ves). Por cinizmi i skajshëm i këtij takëmi gazetarësh rusë nuk e njeh filozofinë e kahershme të popullit të vet. Për ata gazetarë, që flasin keq për një popull që është i varfër, nuk do të mjaftonte etiketimi që mund t’u bëhej si njerëz faqezinj. Ata gazetarët e atyre dy gazetave ruse, me sa duket, standartin e jetesës së popullit rus e matnin me kutin e miliarderëve dhe të milionerëve të Moskës dhe të Peterburgut.

Por ata gazetarë, racistë në qëndrimin e tyre ndaj popullit shqiptar, le të mundohen të bëjnë ndonjë “teferiç” deri në fshatrat që shtrihen në këmbët e maleve Urale, apo përtej tyre, në Siberi, të ngjiten në Arhangelsk, ose të zbresin poshtë, deri në shpatet e Kaukazit, që të njihen më mirë me standartin “e lartë” të jetesës së popullit rus.

Lexuesve të nderuar po ju sjell në vëmendje një njoftim të vitit të kaluar për gjendjen ekonomike të Rusisë:

“Populli i thjeshtë rus është lodhur tashmë nga arbitrariteti i regjimit të Kremlinit, i cili e ka çuar vendin në mjerim dhe në humbjen e shpresave. Një qytetare me prejardhje nga Kaukazi, që banon në Irkutsk (qytet në Siberinë Lindore - E.Y.), Valentina Nikollajevna, ia përcjell fjalët e veta Presidentit të Rusisë Putin. Atë e shqetëson tej mase fati i Rusisë, ajo nuk dëshiron që ne ta humbasim atdheun tonë. Dhe kjo grua jep alarmin për gjendjen e popullit në Rusi” (Citohet sipas: “Gllas naroda (Një zë nga populli): Ore Putin, deri në ç’derexhe e ke katandisur vendin dhe popullin”.  Faqja e internetit “Livejournal”. 05 shkurt 2018).

Kur nga Moska u vura në dijeni për ato që qenë thënë e shkruar kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, pas asaj ndeshjeje futbolli, më erdhën ndër mend fjalët e avokatit të shquar dhe personalitetit politik rus Vasilij Maklakov (1869-1957) , të thëna në një fjalim që ka mbajtur në Dumën ruse në gusht të vitit 1915 dhe të cituara nga ambasadori francez Moris Paleologu në kujtimet e veta:

“Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon” [Moris Paleologu. “Carskaja Rossija vo vremja mirovoj vojnëj” (Rusia cariste në kohën e luftës botërore), Shtëpia botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija”. Moskva, 1991, f. 9).

Kam jetuar dy vjet mes rusëve si student (gusht 1959 - qershor 1961) dhe, megjithëse në moshë të re, jam munduar të hyj në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë të atij vendi të madh. Një popull me një traditë mikpritëse befasuese, me një shpirt të gjerë dhe të qetë, si stepat e pafundme dhe si rrjedha e Vollgës ujëplotë. Jam i bindur se populli i thjeshtë rus e do dhe e respekton të vërtetën. Prandaj, sikur klasa politike ruse, sikur intelektualët rusë, sikur mjetet e informimit pamor dhe shtypi i shkruar, t’ia kishin thënë opinionit publik rus të katër të vërtetat në sy për Çështjen e Kosovës, a thua  se mund të mbahej ai qëndrim aq i egër ndaj NATO-s dhe sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë bombardimeve kundër Serbisë? A thua se afshi i dashurisë për serbët do të njihte kuota aq të larta si kurrë ndonjëherë? A thua se për shqiptarët do të flitej e do të shkruhej aq keq si asnjëherë? Se është paradoksale ta mendosh se si qenka e mundur që dashuria e rusëve për serbët të ushqehet me mosrespekt apo urrejtje ndaj shqiptarëve?  Atëherë mos u dashka menduar që populli rus qenka i indoktrinuar deri në palcë me mëri, me urrejtje për kombin shqiptar? Një gjë e tillë mund të jetë edhe e vërtetë, se kombi shqiptar në Evropën Juglindore, në masën 90%, është i besimit mysliman. Por rusët, për arsye të indoktrinimit të tyre ortodoks, marrëdhëniet e serbëve dhe të grekëve me kombin shqiptar, në shumicën dërrmuese të besimit mysliman, i vlerësojnë pikërisht nën prizmin e këtij indoktrinimi, që është përçues i urrejtjes kundër elementit mysliman në Evropën Juglindore. Ky lloj indoktrinimi ka bërë që në psikologjinë e popullit rus të lindin ca paragjykime, të cilat janë krejtësisht të huaja dhe të papranueshme për kodin filozofik të popullit shqiptar. Kështu, në gjuhën ruse haset një shprehje frazeologjike tepër domethënëse: na russkij bajram, e cila në gjuhën shqipe përkthehet: asnjëherë, kurrën e kurrës. Po cili është motivimi i kësaj shprehjeje frazeologjike? Për këtë le të shikojmë se çfarë thonë burimet shkencore të frazeologjisë së gjuhës ruse:

“Bajrami, ose fitër-Bajrami, është festa e mbarimit të agjërimit në kalendarin mysliman. Shprehja është një oksimoron (një figurë stilistike - E.Y.) që bazohet mbi pamundësinë logjike të festimit nga ana e të krishterëve të një feste fetare myslimane” [A.K. Birih, V.M. Mokijenko, L.I. Stepanova. “Sllovar russkoj frazeologii. Istoriko-etimollogiçeskij spravoçnjik” (Fjalor i frazeologjisë ruse. Manual historiko-etimologjik). Sankt-Peterburg 2001, f. 39].

Kjo shprehje frazeologjike e gjuhës ruse më bën të ndihem gjakftohtë, kur kujtoj ca ditë të qëndrimit tim në Kosovë, në nëntor të vitit 1999, kur, si përkthyes,  po shoqëroja ca gazetarë rusë. Në një bisedë të lirë me ta, për gjëra nga më të ndryshmet, në hollin e “Grand Hotel”-it, ata u befasuan kur morën vesh se në varrezat e shqiptarëve prehen pranë e pranë eshtrat e myslimanëve, të katolikëve dhe të ortodoksëve. Unë, si shqiptar mysliman i paindoktrinuar, e kuptoja fare mirë befasimin e tyre, kurse ata, si ortodoksë të indoktrinuar, nuk e kuptonin dot gjakftohtësinë time. Vetëm ky fakt i thjeshtë i prehjes së eshtrave të bashkatdhetarëve të mi të besimeve të ndryshme fetare në të njëjtat varreza, tregon frymën e admirueshme të tolerancës që ka pasë karakterizuar në shekuj kodin filozofik të popullit shqiptar, tregon se sa fisnik është kombi shqiptar në krahasim me kombet e tjera. Toleranca proverbiale fetare e shqiptarëve është e përjetësuar bukur fare në një këngë të vjetër të Veriut të vendit tonë, në të cilën del mirë në pah se si shqiptarët e besimeve të ndryshme i festojnë bashkërisht festat fetare:

“Turk Isuf e Lulash Ndré… / Hajshin mish e pishin venë, / Nuk e njihte qeni qenë, / Cili â turk, cili â i kshtênë!” (Tahir N. Dizdari. “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”. Tiranë 2005, f.1055).

A nuk duhej vallë që ata gazetarët rusë të shkruanin dhe të flisnin me zë të lartë për tolerancën e shkëlqyer fetare që karakterizon mbarë kombin shqiptar, për t’ia bërë atë të njohur mbarë opinionit publik rus? Nuk e di se çfarë shkruan dhe çfarë folën ata gazetarë kur u kthyen në Moskë, se nuk më dërguan asnjë informacion, siç ma patën dërguan gazetarët ukrainas nga Kievi, të cilët, po në vitin 1999, i pata shoqëruar tri herë si përkthyes gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

E vlen të theksohet fort se klasa politike ruse keqpërdor natyrën e urtë, të bindur, të duruar të popullit rus dhe, duke u mbështetur tërësisht në të dhëna të falsifikuara nga burime serbe, e keqinformon rregullisht mbarë opinionin publik rus për të vërtetën rreth Çështjes së Kosovës. Ndryshe s’ka se si shpjegohet që një personalitet i lartë i politikës ruse, ish-ministri i jashtëm, Igor Ivanov, të shkruante kësisoj:

“Po vijnë dëshmi alarmante (me siguri nga burime serbe - E.Y.) që tregojnë se pushteti “në hije” në Kosovë, gjithnjë e më shumë po kalon në duart e grupimeve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare, me narkobiznesin, me ekstremizmin islamik” [Igor Ivanov. “Vnjeshnjaja politika Rosii i mir. Statji i vëjstuplenjija” (Politika e jashtme e Rusisë dhe bota. Artikuj dhe fjalime”. Shtëpia botuese “Rosspen”. Moskva 2000, f. 231).

Asokohe, kur Igor Ivanovi shkruante kësisoj, Kosova kishte një vit që ndodhej nën mandatin e OKB dhe as që mund të bëhej dhe as që bëhej fjalë se atje na paskej ekzistuar një tjetër pushtet, “në hije”, veç atij të UNMIK-ut. Por tërë halli i Beogradit dhe i Athinës ishte që Kosova, përmes personaliteteve të larta të Moskës, të reklamohej në sytë e opinionit publik rus si “qendër” e ekstremizmit islamik, të cilin mund ta mbakej në zap vetëm “dajaku serb”. Me pikësynimin e tyre  që Kosova të mbahej sa më larg statusit të pavarësisë. Në këtë mënyrë, Igor Ivanovi, informacionin e rremë që merrte nga Beogradi për Çështjen e Kosovës, “ia bënte dalje”, ia shiste mbarë opinionit publik rus për “ar të kulluar”, duke dhënë ndihmesën e vet për ngulitjen në radhët e opinionit publik rus të ndjenjave historikisht armiqësore të politikës ruse jo vetëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar.

Vitet që kanë kaluar që pas vendosjes së pluralizmit, duhej të kishin ndikuar sadopak që Rusia të mendonte më shumë për veten e vet, që rusët, siç vëren me shumë objektivitet princi Meshçerski, të ishin para së gjithash rusë e pastaj sllavë. Me këtë rast, dëshiroj të citoj përsëri Moris Paleologun, i cili, kur flet për popullin rus, thekson në një mënyrë bindëse:

“E çuditshme është psikologjia e këtij populli, që është i gatshëm të bëjë sakrifica nga më fisniket, por që, në shkëmbim, shumë shpejt e pllakos dëshpërimi dhe pikëllimi dhe që paraprakisht i bie në pjesë më e keqja” (po aty, f.135).

Prandaj Beogradi, në qëndrimin ndaj Moskës, fsheh brenda vetes mosmirënjohjen tradicionale, sa herë që “hedh lumin” me ndihmën e saj, kurse Moska përjeton vetëngushëllimin për këtë pabesi të tij, duke u rrekur më kot të vetëbindet se serbët “i ka” dhe “do t’i ketë” në anën e vet, si “varkën e fundit të shpëtimit” të reputacionit të saj të gremisur në gadishullin tonë.

Të lënë mbresa të thella edhe fjalët e poetes së shquar ruse, zonjës Olga Sjedakova, e cila thotë:

“Rusia është atdheu i hidhërimit dhe nëse dikush e do, e do pikërisht për këtë gjë, për atë që njerëzit këtu dinë të vuajnë dhe të durojnë” (Intervistë, dhënë zotit Agron Tufa. Moskë, 14 janar 1991. Citohet sipas: “Fjala”, suplement kulturologjik i gazetës “Tema”, 9-10 shkurt 2003, f. 10).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat