Rugova - princ i lirisë dardane! - Bota Sot
Rugova - princ i lirisë dardane!

Opinione

Rugova - princ i lirisë dardane!

Azgan Haklaj Nga Azgan Haklaj Më 21 janar 2019 Në ora: 08:34
Presidenti Ibrahim Rugova

Zemra e Ibrahim Rugovës pushoi së rrahuri për t’ia emërtuar fuqinë e saj të paanë një populli të tërë të zhuritur për t’i rrahur fort zemra e tij në liri e mëvetësi, siç është ai i Kosovës. Janë të rrallë ata burra shteti që si Dr. Rugova të mund të bëhen përmendore-simbol për së gjalli të bashkëkombasve aqsa dhe të lënë lavdinë e tyre gjysëm-drejtëz që horizontalisht do të udhëheqë dhe breznitë e ardhshme.

Kurrë s’e kam menduar se kaq shpejt do të shuhej kjo flakë që nisi zjarrin e madh të avenirit të një populli kaherë të robëruar, me shekuj i masakruar, në shumë fate njerëzish e kombesh i pafat. Ibrahim Rugova, ky martir i idealeve më të shenjta shqiptare të nëpërkëmbura që nga Roma e Bizanti deri tek sllavofashizmi millosheviçian sot prehet në panteonin e kombit përkrah Boletinit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Ymer Prizrenit, Azem Galicës, Adem Jasharit...

Ndërroi jetë në kulmin e energjisë së gjigandit human i mendimit, veprimit, maturisë, diturisë, eksperiencës e lavdisë, si për t’ja kaluar zheninë e vet një populli të tërë, një kombi të ndarë në gjashtë shtete e të degdisur nga sunamët tiranikë në çdo cep të botës. Dhe këtë fuqi ai ndau bujarisht, pikërisht tani kur hartës së botës moderne do t’i shtohej më së fundi edhe shteti më i ri i nëpërkëmbur që prej dardanëve të lashtë, Kosova.

Është një humbje jo si gjithë humbjet e mëdha, është humbje që ka përmasa trillesh eskiliane. Pse pikërisht Primi dhëndër dardan ndërron jetë pak çaste para se të shohë nuse Kosovën, djepin që e lindi, që e përkundi, që i dha për zemër strallin e shkëmbinjve të Kaçanikut, që i dha për fjalë arin e zgafellave të Mitrovicës, që i dha për mendje e arsye, kthjelltësinë e ujërave të Junikut...

Fjalët janë pak për këtë burrë, këtë prijës modern të dhimbjes sonë nacionale, thembrës së Akilit të Shqipërisë me emrin Kosovë. Profesori i rrallë i historisë e letërsisë, autori origjinal i mejtimeve naimjane, afro dy dekada më parë vendosi hyjnisht ta sindërtojë në trojet dardane rilindjen e vërtetë, jo vetëm me fjalë e artë si Dante Aligieri e Fransua Rabële, por ta materializojë atë duke e konvertuar në liri e pavarësi, çka rrallë gjindet veçse në legjenda e epika intriguese.

Ky ishte dhe do të ngelet Rugova.

Kam pasur rastin fatlum që të komunikoja gjatë qënies sime si deputet i Malësisë së  Gjakovës me presidentin Rugova. Dy vite e ca më parë isha i ftuar në rezidencën e tij në Prishtinë me rastin e ceremonisë së dekorimit të mikut të tij të ditëve të vështira, Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Na priti siç pret një vëlla, një mik, një burrë shteti. Ndenjëm gjatë e sipas zakonit arbnor që dominonte qënien e tij, na pengoi të ngriheshim pa drekuar sëbashku. Vetëm gjenitë dinë ta përdorin fjalën dhe heshtjen me atë ndërthurje plot kuptim. Vetëm ata që zbukurohen në shpirt prej Zotit dhe tërë karatet humane dinë të jenë kaq të sinqertë dhe pa asfarë pompoziteti. Do e mbroj gjatë atë filmim si pasuri e relike për t’ju treguar brezave e rifreskuar në vetvete portretin e qëndresës, të ëngjëllit që lind si orë e popullit të vet, të njeriut që mbijetesën e kthen në të zakontë, që të paarritshmen e shndërron në realitet.

Ky ishte Rugova.

Kosova humbi princin e lirisë, i cili lules që po çel shkoi t’i ujisë rrënjët e t’ja mbajë fort ato me kujdesin që vetëm ai dinte të përçonte. Lamtumirë Ibrahim Rugova, lamtumirë kalorës modern i lirisë. Në ditën e dasmës së madhe të kombit do shfaqesh sërish. Dasma është gati. Historia vetë po e përgatit. E në këtë histori, në një cep të bollshëm të saj, të ngelesh përherë autokton.

Lavdia jote u përjetësoftë e dëshira, puna, kontributi yt i pagjëshoq u bëftë pishtar në të gjithë trojet iliro-dardane. Një lot i nxehtë burri, bie mbi këto rrjeshta të thjeshtë për ty mësues i madh i qëndresës për liri. Është lot, krenari dhe mall për ty: Dr. Rugova. Çdo ditëlindje Juaja flet për Pavdekësinë Tande, dr. Ibrahim Rugova – Princ i Lirisë Dardane!

Marrë nga libri i Azgan Haklajt “Gjergj Kastrioti, Moisiu ynë”, Botimet “Alb-Juris”, Tiranë, 25 dhjetor 2018 (botuar në Ditën e Krishtlindjeve).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...