Hajro Limaj, viktimë e një “harrese të rastit” apo…? - Bota Sot
Hajro Limaj, viktimë e një “harrese të rastit” apo…?

Opinione

Hajro Limaj, viktimë e një “harrese të rastit” apo…?

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 21 janar 2019 Në ora: 11:24
Hajro Limaj

Në Shqipëri dhe Kosovë, prej shumë vitesh, vihet re “harresa” e  meritokracisë, e mirënjohjes, nderimit dhe shpërblimit sipas vlerave dhe kontributeve e personaliteteve të vërtetë dhe shumëplanësh dhe bujaria për njerëz me CV  të varfëra ose të fryra me shtresa të shumta “silikoni”, prodhim i tregut të shitje-blerjeve të dëftesave, diplomave apo të plagjiaturave flagrante. Nga ankesat, shqetësimet dhe komentet në media e në rrjetet sociale është shprehur se edhe në këshilla bashkiakë, qarqesh, deri në presidencë, ka pasur individë të përfolur apo të penalizuar, për biznese edhe me tituj e medalje. Por, nderimi i atyreve askushëve apo pak-kushëve, që  kanë mundësi të paguajnë, është edhe fyerje ndaj atyreve figurave elitare, që CV-të e tyre i kanë mbushur me vlera dhe vepra konkrete, nga  mendjet, puna dhe djersa e tyre. Njëherazi, është edhe  nëpërkëmbje flagrante e kontributeve të tyre për të mirën e vendit, kombit, shoqërisë. Lista e “të harruarve” nga këshillat bashkiakë, të qarqeve, nga presidentët dhe kryeministrat, është e gjatë. Një nga viktimat e kësaj “harrese” është edhe Hajro Limaj. Për ata që nuk kanë njohje të plotë me z. Limaj, po vë në dukje  se ka gradën ushtarake kolonel; gradën diplomatike ministër këshilltar; titujt e lartë “Qytetar Nderi i Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Në motivacionin për këto tituj  është theksuar: “Shembull i përfaqësimit të kombit brenda dhe jashtë tij. Personalitet i shquar në fushën e mbrojtjes,diplomacisë ushtarake  dhe të sigurisë kombëtare. Me  kontribute  të shquara  për kapërcimin e krizës shqiptare të vitit 1997 dhe çlirimin e Kosovës në vitin 1999“. 

Në vijim, Komisioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm në vitin 2016, kanë miratuar unanimisht propozimin e Shoqatës “Labëria”,  që për kolonel Hajro Limaj-n t’i propozohej Presidentit Bujar Nishani për t’i dhënë urdhërin “Nderi i Kombit”. Për mosmarrëveshjet që kishte ministria me presidentin Nishani shkresa nuk u dërgua.

Z. Hajro Limaj prej rreth 20 vjetësh është bërë i mirënjohur edhe si analist dhe komentator i pavarur në median e shkruar dhe elektronike në Shqipëri dhe Kosovë. Ai është autor  i 6 librave dhe i rreth 1200 analizave, opinioneve dhe komenteve  të botuar në shumicën e gazetave kryesore të përditshme në Shqipëri dhe në Kosovë.  Aktualisht dhe prej rreth 15 vjetësh është Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare, (OJQ). Më 15 Shkurt 1995 Kolonel Hajro Limaj u emërua atasheu i parë ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake,  gjatë viteve kur ai ishte në këtë detyrë, është vlerësuar zyrtarisht  si“ periudha e krenarisë  së bashkëpunimit dy palësh”, kohë në të cilën u firmosën 12 marrëveshjet të bashkëpunimit dy palësh, me të cilat vazhdohet edhe sot.

Rreth  2 vjet e gjysëm më parë, më 16 qershor 2016, gjashtë deputetë të Kosovës i janë drejtuar Presidentit Hashim Thaçi, për t’i dhënë z.Hajro Limaj dekoratën më të lartë, “HERO I KOSOVËS”.  Grupi i këtyre debutetëve e kishte bazuar këtë kërkesë në njohjen dhe vlerësimin e kontributit të drejtpërdrejtë të z. Limaj në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe të operacioneve të NATO-s në Kosovë, më 1998-1999. Duke vendosur lidhje direkte me drejtuesit e UÇK-së, me kolegun e tij amarikan, kolonel Charlin, kolonel Limaj i transmetonte shtabit të NATO-s  kordinatat e trupave dhe mjeteve të blinduara serbe, që kishin rrethuar forcat e UÇK-së, mbi të cilat pastaj fillonin bombardimet nga avionët e NATO-.s. Nëpwrmjet takimeve me  kryeministrin Exhevit realizoi bllokimin e kalimit të Flotës Ruse  nga ngushtica e Bosforit për në Adriatik,  ku kishte planifikuar kundërveprimin ndaj sulmeve ajrore të NATO-s në Serbi, kryesisht nga baza e Avianos.

Në qendrën e emergjencës së Kosovës në Ankara z.Limaj propozoi hapjen e korridorit të ri ajror Stamboll-Kostancë- Bukuresht dhe Serbia veriore, nga i cili u dha një kontribut i ndjeshëm për gjynjëzimin përfundimtar  të Miloshevicit si dhe për ndërprerjen e masakrimeve dhe genocidit ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Gjithashtu Kolonel Limaj ishte bërë pjesë e koordinimit për ngritjen, sistemimin dhe ndjekjen e problemeve të 20 mijë kosovarëve, që erdhën në Edirne, ndërsa nga Ankaraja, nëpërmjet autoriteteve turke përcolli me dhjetra e qindra maune me paisje e ushqime për qendrat e pritjes se refugjatëve kosovarë në Elbasan, në Shkup, etj. Roli dhe kontributi i tij për Kosovën në vitet 1998-1999, përfshirë edhe bllokimin e Flotës Ruse në ngushticën e  Bosforit, pasqyrohen më gjërësisht edhe në librin e tij ”Midis Tiranës dhe Ankarasë,1990-2000”. 

Në ceremoninë e promovimit të  këtij libri ish ministri i mbrojtjes, Prof. Dr.  Sabit Brokaj tha:“…Dy atashe ushtarakë kanë bërë histori në Shqipëri: Gjeneral Halim Ramohito në Moskë dhe Kolonel Hajro Limaj në Ankara. I pari, në mbrojtje të Shqipërisë, me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe daljen nga Traktati i Varshavës. I dyti, me ngritjen e shtetit turk në mbrojtje të Shqipërisë gjatë krizës së vitit 1997 dhe çlirimin e Kosovës, më 1999...” 

Megjithëse kanë kaluar rreth 2 vjet e gjysëm, nga presidenca e Kosovës nuk ka asnjë përgjigje për kërkesën e grupit të deputetëve për t’i dhënë z. Hajro Limaj titullin “Hero i Kosovës” apo një titull tjetër të lartë, të merituar e të denjë.  

Kjo heshtje e gjatë jep arsye të shumta për ta interpretuar jo vetëm si “harresë” e rastit të kësaj kërkese të mirëstudjuar në ndonjë sirtar apo raft, “për shkak të mbingarkesës me punë dhe detyra të tjera më urgjente”…Limaj vetë nuk mund të pranojë e të besojë as dyshimin se ai është viktimë edhe e faktit apo paragjykimit se është qytetar dhe shtetas i Shqipërisë dhe jo i Kosovës. Sipas tij,“nëse paragjykohet kështu është një gabim i madh. Kombi shqiptar është një dhe jo dy…”. Natyrisht, kur iu përkushtua mbështetjes së luftës për çlirimin e Kosovës, Hajro Limaj nuk e çoi fare ndërmend se për këtë angazhim, kontribut e meritë do të shpërblehej një ditë…Gjithçka e bëri si qytetar shqiptar, si ushtarak dhe  si diplomat i shtetit shqiptar. Gjithashtu, ai nuk kërkon dhe pret as shpërblim financiar nga shteti dhe qeveria e Kosovës, sepse gjithçka bëri nuk e kishte menduar më 1998-1999 dhe nuk e mendon as sot për t’ia shpërblyer në këtë formë. Ai nuk beson edhe se kjo  vonesë e gjatë ndaj kërkesës për atë mbart edhe mesazhin e zemërimit, inatit, mllefit apo të ndëshkimit për kritikat e vazhdueshme në mediat e shkruara dhe televizive, që u ka bërë ekipeve politike dhe qeverisëse në Prishtinë dhe Tiranë për veprime dhe vendime, zgjedhje e zgjidhje të gabuara e me rrjedhoja të shumta e të rënda për interesat e shtetit, të qytetarëve dhe të kombit.

Po kështu, ai nuk e lidh vonesën e kërkesës për dekorimin e tij nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe me traditën apo praktikën e hershme në Tiranë dhe Prishtinë, që instancat më të larta qeveritare dhe shtetërore kujtohen për t’u bërë nderimet e merituara shumë intelektualëve elitarë e me kontribute të ndjeshme, largqoftë,  pas…vdekjes së tyre. Personalitet e intelektuale dhe  kombëtare meritojnë të nderohen dhe lumturohen në kohën e duhur, sa janë gjallë. Për ndryshe, referencat për të cilat ka nevojë t’i kenë si shembuj brezat tanë të rinj, i humbasin vlerat..

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...