FARK-u i vetmi formacion luftarak

Opinione

FARK-u i vetmi formacion luftarak

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 21 janar 2019 Në ora: 12:48
Tahir Zemaj

Kuadri i lartë i PDK-së përsëritë shpifjen: "Nuk ka asnjë argument që ka pasur FARK!"

Nga marsi 1998 dhe deri në pranverë të vitit 2002, kam qenë në krye të një ekipi të Emergjencës të luftës, furnizimin me ushqim, armatim të rëndë dhe bazë tjetër materiale, për luftëtarët. Kjo Emergjencë shtrihet në kohë, deri në vitin 2002, për t`i trajtuar dhjetra familje, të cilat kishin ngelur në Shqipëri, për arsye sigurie, nga ngatërresat që kishin në Kosovë.

Andaj, kam përcjellur nga afër angazhimin në luftë të dy faktorëve ushtarakë: UÇK-në e LPK-së dhe UÇK-në e FARK-ut. Ekzistencën e FARK-ut, përkatësisht, të UÇK-së së tij, e faktojnë betejat në Isniq, Prapaçan, Jasiq, Strellc, Dubovik, Baran, Junik dhe gjetkë, me Betejën kupolë të Loxhës, nën komandën e Kolonel Tahir Zemaj. Lufta e Kosharës, e udhëhequr nga oficerët e karrierës të FARK-ut, ësht dëshmi e pa demantueshme, se UÇK-ja e tij legjitimoi luftën në Kosovë.

Luftëtarët e FARK-ut, në grupe të vogla, vepronin anekënd Kosovës nën komandën e oficërve të FARK-ut. Por, kishte edhe grupe tjera të ushtarëve FARK-istë, në krye të të cilëve u imponuan "komandantët" profanë të LPK-së, të cilët, me injorancën e tyre komanduese, sakatosën shumë ushtarë. Ilustrojmë me plojën në lugështajën e Gorozhubit dhe atë të rrugës rajonale Istog-Radavc, kur djemtë luftëtarë i pykuan në pikat bllokuese, me nga një kallash në duar, përballë tankeve të armikut!

Që ushtarët ishin pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), e pranon edhe kuadri i djeshëm i luftës dhe pushtetari i sotëm Fatmir Limaj, kur thotë se "të gjithë ushtarët vinin nga LDK-ja", e cila forcë ushtarake kishte FARK-un. Realisht, "UÇK-ja" e LPK-së ka pasur vetëm "komandantë", pa ushtarë të saj.

LPK-ja e Xhavit Halitit me shokë, nuk arriti asnjëherë ta aktivizojë UÇK-në e saj në luftë, me formacione të rregullta ushtarake. Këtë e pranojnë dhe e pohojnë, madje, puplikisht, edhe 4 (katër) nga pretenduesit potencialë, si themelues të UÇK-së të LPK-së: Ibrahim Kelmendi, Nexhmedin Kelmendi, Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi. Madje, tre syrësh, akuzojnë Kryesinë puçiste të LPK-së, konkretisht: Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Kadri Veselin, me këlyshërinë e tyre, se, duke u vënë në shërbim të shteteve armike, sabotuan luftën, tradhtuan. Ata i akuzojnë të lakuarit, se penguan ta fusnin në luftë, me formacione ushtarake, UÇK-në e LPK-së.

Lë ta dëshmojë Xhavit Haliti, qoftë edhe më një betejë të UÇK-së së LPK-së, të bërë me formacione të rregullta ushtarake, me brigada apo batalione? Betejat e kësaj UÇK-je janë imaxhinare, inekzistente, pa data dhe pa emërtesa të fushë-betejave. Pra, janë beteja fiktive, të rrejshme, "veç në ëndër...", - siç thotë major Nazif Ramabaja.

Në vend të luftës, kundër pushtuesit, krerët aktualë pushtetarë, përndoqën, vranë apo i vunë në pusira të policisë pushtuese, ushtarakët e FARK-ut, veprimtarët e LDK-së si dhe kuadrot e LPK-së së vjetër, të cilët nuk i përfillën urdhërat e "komandantëve" të Rognerit, për të mos hyrë në luftë! Andaj, edhe e pësuan me jetë.

UÇK-ja e FARK-ut, me UÇK-në e LPK-së, kanë pasur vetëm uniformën e përbashkët. Dhe, kjo ngjashmëri vizive, shpjegohet me vullnetin e mirë, shpresën e Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, për t`i bashkuar dy faktorët ushtarakë, edhe pse UÇK-ja e LPK-së ka pasur vetëm "komandantët", pa ushtarë. Rrjedhimisht, nuk ka qenë kurrëfarë faktori as politik dhe, aq më pak, ushtarak.

Xhavit Haliti, me shokët e tij, ka qendruar larg luftës, por, shumë afër krimit. Habitë fakti se krerët e LPK-së, për dy dekada radhazi kërkuan luftë për liri. Por, kur lufta filloi në Kosovë, ata veç sa u spostuan nga Evropa dhe u akomoduan në hotelet dhe vilat luksoze të Tiranës. Krerët e LPK-së dhe këlyshëria e tyre lehaqene, paradoksalisht, pushtetarë të sotëm, jo vetëm që nuk hynë në luftë, por, penguan edhe të tjerët. Pra, thënë troç, për turpin e tyre, e sabotuan luftën. 

Dëshmi faktike është akuza revoltuese e Fehmi Lladrovcit, tani, Hero i Kosovës, drejtuar bashkëpartiakëve të tij LPK-istë, të cilët intrigonin koluareve të Tiranës, shpërdoronin paratë e Fondeve të Mërgimtarëve, dedikuar për luftën dhe nuk u bënë kurrë pjesë e luftës. "Mjaft më me tubimet e çjerrjet histerike, në sallat lulsoze, të kushtueshme të Evropës dhe bredhjet e turpshme bulevardeve të Tiranës. Ejani në Kosovë, në luftën për çlirim, siç kishim premtuar dikur, së bashku", - apelonte, dëshpërueshëm, luftëtari Fehmi Lladrovci, i cili, në ditën fatale të vrasjes, ishte vetëm me nusen Xhevë - luftëtare dhe një studente e rastësishme. 

Abuzimi i Xhavit Halitit dhe të disa eksponentëve të krimit, me tri shkronjat, në uniformën ushtarake, nuk është kurrfarë argumenti, për ta mohuar ekzistencën e formacionit ushtarak dhe luftarak të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK). Përkundrazi, është një përpjekje dëshpëruese, për ta përvehtësuar luftën trimërore, profesionale dhe dinjitoze të FARK-ut, nga ana e krerëve të LPK-së, përkatësisht, të kryepuçistëve sabotatorë, të koalicionuar në PAN-in kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat