Sipas Hashimit, pas marrëveshjes me Serbinë, Kosova do të hapë ambasadën në Moskë !? - Bota Sot
Sipas Hashimit, pas marrëveshjes me Serbinë, Kosova do të hapë ambasadën në Moskë !?

Opinione

Sipas Hashimit, pas marrëveshjes me Serbinë, Kosova do të hapë ambasadën në Moskë !?

Nga: Prof.Dr.Mehdi HYSENI Më: 21 janar 2019 Në ora: 19:49
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Megjithëkëtë parashikim të dëshiruar të presidnetit të Kosovës, Hashim Thaçi, se do të arrijë marrëveshje me Beogradin zyrtar,  Kosova nuk do të ketë ambasadë e as konsullatë në Moskë, por  mund të ketë ambasador shqiptar nga Kosova, nëse Kosova e humbas shtetësinë e saj të pavarur dhe sovrane(17 shkurt 2008).

Nëse Serbia dhe Kosova përfundojnë ndonjë marrëveshje kompromisi në frymën e Rezolutës 1244 të KS-së të OKB-së, Kosova do të humbasë statusin e  shtetit të pavarur, por do të jetë nën “ombrellën e Serbisë kolonialiste (1912-1999). Ndaj, rrjedhimisht nuk do të mund të ketë as ambasadë e as konsullatë në Moskë, pavarësisht nga “strategjia” e teorisë politike parashikuese e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi. Mirëpo, mund të ketë vetëm ndonjë ambasador apo konsull shqiptar nga  Serbia. Kjo mund të ndodhë nëse Kosova zhbëhet  si shtet, atëherë sigurisht se për atë shërbim kapital Serbisë, Hashimi, do të mund të emërohej ambasador  i Serbisë në Moskë. Ndryshe,  nëse Kosova  mbijeton si shtet i pavarur (jashtë  Rezolutës 1244 të KS të OKB-së), atëherë nuk do të ketë as Marrëveshje me Serbinë, as ambasadë, as konsullatë në Moskë e as ambasador  të Kosovës në OKB.

Pra, nëse Beogradi dhe Prishtina do të arrinin ndonjë Marrëveshje kompromisi për statusin e Kosovës në frymën e rezolutës 1244 të OKB-së, sigurisht se atë do ta mbështetnin Uashingtoni dhe Moska  së bashku me aleatët e tyre ndërkombëtarë. Por, kjo në asnjë  formë nuk nënkupton edhe “mbështetjen globale” siç është shprehur presidenti Hashim Thaçi. –“Globale”, do të thotë kur të  mbështetë e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Mirëpo, duhet të jemi realistë  dhe objektivë, se  Kosova as para lufte, as gjatë lufte, as pas lufte e as pavarësimit të saj më 17 shkurt 2008, asnjëherë nuk e ka pasur dhe, as sot nuk e ka “mbështetjen globale” . Këtë e provon edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana Kombeve të Bashkuara (2008-2019).

Mirëpo, hëpërhë as Moska e as Beogradi nuk kanë dhënë asnjë sinjal të gjelbër diplomatik  se Serbia dhe Rusia janë të gatshme që ta njohin Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

Këtë status quo të politikës dhe të diplomacisë serbo-ruse kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës e dëshmoi edhe vizita e presidentit rus, Vladimir Putin, që i bëri Beogradit, më 17 janar 2019, i cili pohoi se “pajtohemi se është i domosdoshëm miratimi reciprok i zgjidhjes në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”. Këtë qëndrim zyrtar të Rusisë e mbështeti edhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq,  duke e vënë dijeni Putnin se “para arritjes së Marrëveshjes me Prishtinën, patjetër, do të konsultohet me presidentin rus Putin, sepse pa Rusinë nuk ka  zgjidhje të çështjes së Kosovës”. (https://www.bbc.com/serbian/lat/srbija-46912785).

Ja, Hashim Thaçi, ky është “momentumi global” për arritjen e Marrëveshjes mes Prishtinës dhe Kosovës. Pra, sipas Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, e cila nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës

Kjo është strategjia dhe “rruga më e shkrutër’ e jotja, që ta hapësh ambasadën e Kosovës në Moskë, apo jo?!

-Ky është “momentumi i përshtatshëm global” për rishqyrtimin e statusit politik të Kosovës,  ashtu siç  keni deklaruar në intervistën e juaj dhënë gazetës vjeneze “Kurrier”, se gjoja  ju nuk merreni me “politikën ditore” të Kosovës, por me “strategji”?!

Ku është këtu ajo farë “strategjie”, që në “nivel global” , duke marrë për bazë Rezolutën 1244 , të debatohet  për statusin e Kosovës, kur ai është mbyllur më 17 shkurt 2008. –Ju me enver hoxhët dhe me mbështetësit e juaj në qeverinë dhe në kuvendin e Kosovës, e keni pohuar me dhjetra e dhjetra herë se “statusi i Kosovës është mbyllur më 17 shkurt 2008”.

-Pse tash, çfarë debati global dhe çfarë  marrëeshjeje globale, duhet të  arrihet mes  Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, në mënyrë që Serbia dhe  Rusia ta njihnin pavarësinë e Kosovës, kur këto dy shtete në mënyrë decidive ia kanë bërë të ditur Prishtinës, Amerikës dhe BE-së, se “zgjidhja e problemit” të Kosovës, duhet bëhet vetëm brenda “kornizave” të Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së. Ndryshe, nuk do të ketë kurrfarë kompromisi politik mes Beogradit dhe Prishtinës në Dialogun e Brukselit (2011-2019).

Sa më sipër, me deklarimin e Moskës zyrtare se është e gatshme që të mbrojë interesin nacional dhe shtetëror të Serbisë, duke përfillur Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bashkuara, kjo nuk nënkupton kurrëfarë krijimi të klimës së re politike  në “shkallën ndërkombëtare globale”, ashtu siç është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Përkundrazi, involvimi i Moskës në “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës, është një momentum i ri  i padëshirueshëm dhe shumë  i rrezikshëm për  qenien e pavarur shtetërore të Kosovës, sepse Rusia së bashku me Serbinë nuk do të pranojnë njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës (2008-2019), duke qenë se këto dy shtete (ëmë e bijë) këmbëngulin se Kosova “është territor i Serbisë”.

Në këtë rast konkret, logjikisht  e as realisht nuk mund të pritet  kurrfarë “Marrëveshje gjithëpërfshirëse-globale” siç ka pohuar H. Thaçi, sepse  as  qeveria e Kosovës, as ajo Amerikës e as aletëve të saj evropianë perëndimorë nuk do të pranojnë kurrfarë “Marrëshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, nëse ajo arrihet në përputhje me Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bshkuara, të cilën padyshim se do ta pranonte Moska, sepse me nënshkrimin e një  “Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ” të Hashim Thaçit dhe të presidentit serb, Aleksanda Vuçiq,  shteti i Kosovës, do të “avullohej” nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të Serbisë. Kjo “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, do të hidhte në erë Republikën e pavarur të Kosovës, të cilën deri tani e kanë njohur më se 100 shtete të OKB-së me Amerikën në krye.

Prandaj, kujdes presidenti Thaçi, të mos hysh në një “thes gjithëpërfshirës” me Moskën dhe me Beogradin, (që bashkërisht po luftojnë ta “bombardojnë” Republikën e Kosovës) pa marrjen e bekimit të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës. –Pavarësohst nga fakti se ju jeni treguar dhe dëshmuar si “strategjist i suksesshëm” në eliminimin e oponentëve politikë si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje. Ndëraq, kjo “strategji” që keni zgjedhur me Beogradin dhe me Moskën, është  shumë më komplekse dhe me pasoja të mëdha për  fatin e sotëm të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ju nuk do të mund ta luani rolin e “kryeprotagonistit” e as të “heroit” global të suksesshëm të Kosovës, sepse aktorët janë të ndryshëm dhe një milion herë më strategë dhe më të fuqishëm sesa “strategjia” juaj lokaliste, provincialiste,  nepotise dhe sektariste, që pa llogaritur këtë raport të forcave të marrëdhënieve ndërkombëtare verbërazi keni pranuar hyrjen në Dialogun e Brukselit, ( produkt direkt i Rezolutës 1244 të KS) i cili mund të jetë  “varr” i pavarësisë së Kosovës, nëse Rusia do ta ketë fjalën kryesore, ashtu sikurse me veto-n e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...