Qeverisje arrogante - tallje me shtetin, kushtetutën

Opinione

Qeverisje arrogante - tallje me shtetin, kushtetutën

Nga: Sadik Elshani Më: 30 janar 2019 Në ora: 15:36
Sadik Elshani

Veprimet e kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama lidhur me emërimin e ministrit për Europën dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë ngjallen reagime të shumta në shtypin shqiptar dhe në ligjërimin publik. Dhe pikërisht për kandidatin z. Cakaj, por edhe për mënyrën sesi u krye ky proces. Siç dihet tani mirë, Presidenti i Republikës e refuzoi kandidaturën e z. Cakaj – kjo e drejtë kushtetuese e Presidentit. Por, atëherë çka ndodhi, zoti Rama e kandidoi veten e vet. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk e saktëson nëse Kryeministri mund të ushtrojë edhe ndonjë detyrë tjetër, postin e një ministri. Por neni 103, pika 2 e Kushtetutës shprehet qartë: “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organizatave të shërbimeve fitimprurese”. Pra, a mund ministri Rama të ushtrojë edhe postin e Kryeministrit? Për këtë u diskutua vetëm shkaras, ndërsa Presidenti Meta e dekretoi zotin Rama minister për Europën dhe Punëve të Jashtme. Kjo mjaft keq, por e keqja më e madhe ndodhi ditën tjetër, kur ministri - kryeministri ia dorzoi detyren zotit Cakaj. Pra, kryeministri me sjelljen e tij arrogante e anashkaloi Presidentin dhe Kuvendin e Shqipërisë, duke u tallur me shtetin, kushtetutën. Atë qe nuk mund ta arrinte zoti Cakaj gjatë një procesi kushtetues, e arriti në një mënyrë të shëmtuar tipike të politikës shqiptare – intriga e mashtrime Një ditë përpara kryeministri - minister, u betua para Presidentit se do ta kryente detyrën dhe ditën tjetër ia dorëzoi detyrën dikujt tjeter, kandidaturen e të cilit nuk e kishte miratuar Presidenti. Është kjo mendësia provinciale, fisnore, arrogante e kryeministrit të Shqipërisë: shteti jam unë, Zoti i juaj jam unë dhe mund te bëj çka të dua.Kandidaturën e tij zoti Rama e arsyetoi se, “nuk kemi kohë për të humbur”, duhet caktuar një ministër. Ky arsyetim nuk qëndron, sepse në vend të z. Cakaj, zoti Rama ka qenë dashtë ta emëronte një kandidat tjetër dhe jo veten e tij, në ndërkohë zëvendësministri do ta drejtonte ministrinë. Emërimi i zotit Rama në postin e ministrit është i diskutueshëm sa i përket kushtetutëshmerise,por dorëzimi i postit zotit Cakaj është i papranueshëm – tregti postesh, arrogancë, papërgjegjësi, keqpërdorim (abuzim) i postit. Në vendet demokratike e me traditë shtetërore kushtetuta është një dokument i shenjtë që respektohet, ndërsa në vendet bashibuzuke ajo trajtohet si një paçavure.

Shqipëria ka nevojë për udhëheqës të pjekur, të rryem

Vërejtjet lidhur me kandidaturën e z. Cakaj kishin të bënin më tepër me papërvojën e tij, shqetësim ky legjitim, sepse në këtë post duhet të jetë një njeri i pjekur, i rryem, që përveç arsimimit duhet të ketë edhe përgatitjen përkatëse diplomatike, përvojën profesionale e jetësore. Zoti Cakaj mund të jetë një mendje briliante, por mençuria, urtësia nuk merret vetëm nga librat, shkolla, por edhe nga jeta, ballafaqimet me situata e sfida të ndërlikuara. Një vend i vogël si Shqipëria, vend që është duke u ballafaquar me sfida e probleme të shumta ka nevojë për udhëheqës të pjekur, me pergatitje profesionale e përvojë jetësore, njerëz me karakter të fortë që ia mbushin syrin dikujt, njerëz vizionarë e me qëndrime të qarta kombëtare. Pastaj është edhe çështja e Kosovës dhe Shqipëria duhet të luajë një rol edhe më të madh në arenën ndërkombëtare. Në të ardhmen z. Cakaj mund të jetë një udhëheqës i dobishëm për kombin dhe vendin, por sot ai nuk është njeriu i duher në vendin e duhur. Në këtë çast ai është vetëm një servil i zotit Rama dhe kjo nuk i shërben askujt. Ky epizod, që nuk është i veçuar, është një dëshmi se qeveritarët shqiptarë nuk janë duke e marrur seriozisht shtetin dhe institucionet e tij, nuk e kanë as vetëdijen më të vogël sesi funksionon një shtet normal.

Qeverisja e mirë domosdoshmëri për të ecur përpara

Ndërsa zoti Rama si kryeministër i Shqipërisë ka mjaft për të bërë dhe nuk ka nevojë edhe për postin e një ministri që kerkon një angazhim të pandërprerë e me shumë ngarkesa. Shqipëria e robëruar, e sunduar me shekuj nga të huajt dhe Shqipëria e pavarur e keqqeverisur nga vetë shqiptarët, tani më shumë se kurrë ndonjëherë më parë, ka nevojë për një qeverisje demokratike, të përkushtuar për të ecur përpara, për ta kompenzuar kohën e humbur. Shqipëria ka nevojë për ndryshime, reforma rrënjësore dhe jo për ndërhyrje kozmetike e reforma sa për sy e faqe. Gjendja e përgjithshme ekonomike, politike, fiskale, siguria e qytetarëve nuk janë duke u permirësuar, por duke u përkeqësuar. Gjatë fushatës zgjedhore kandidati Rama premtoi 300 mijë vende të reja pune, ndërsa tani Kryeministri Rama është shumë larg përmbushjes së atij premtimi zgjedhor. Shqiptarët e zhgënjyer me gjendjen e rëndë e të paperspektivë në Shqipëri, përsëri kanë filluar t'i marrin rrugët e botës, duke kërkuar mirëqenien, shpëtimin e tyre në vendet e Europës Përendimore. Mirëqenia ekonomike, sundimi i ligjit, administrata funksionale, shkalla e ulët e korrupsionit janë ndër faktorët kryesorë që e përcaktojnë qëndrueshmërinë e një shteti, një shoqërie. Kandidati Rama premtoi edhe shërbim/sigurim shëndetësor falas, por tani Kryeministri Rama as që e zë në gojë këtë çështje. Gjatë këtyre viteve të qeverisjes së tij nuk është ndërtuar asnjë vepër madhore në shkallë kombëtare. Krimi në rrugë, krimi ekonomik, krimi i organizuar, pasiguria e qytetarëve, korrupsioni i lartë janë duke ia zënë frymën shoqërisë shqiptare. Por qeveritarët tanë nuk shqetësohen fare, ndoshta atyre këto dukuri shumë negative u duken krejt normale! Ujku do mjegull, thotë një fjalë e urt.

Me premtime të zbrazëta (boshe), me deklarata demagogjike, me arrogancë e injorancë, nuk mirëqeveriset vendi. Autori i këtij shkrimi i çmon shumë njerëzit që kanë një kulturë të gjërë, njohuri të përgjithshme, janë të gjithanshëm, por në radhë të parë ata duhet të shkëlqejnë në lëminë e tyre parësore, kryesore. Të jenë të aftë që t'i kryejnë funksionet, detyrat për të cilat janë zgjedhur, ose janë caktuar. Shpesh dëgjojmë e lexojmë nëpër shkrime të ndryshme se, filan kryeministri i Shqipërisë ka qenë kryeministri më i kulturuar i Ballkanit. Shumë mirë, por a ka qenë kryeministri më i zoti, më i afti i Ballkanit dhe si e ka kryer detyrën për ëe cilën është ngarkuar? Udhëheqja e një vendi, qeverisja e një vendi janë art, shkencë më vete. Në krye të institucioneve, organeve udhëheqëse duhet të vijnë njerëz që janë të përgatitur mirë profesionalisht, të aftë për t'u ballafaquar me sfidat e shumta e nga më të ndryshmet, njerëz që gëzojnë autoritetin, respektin, përkrahjen e popullit - njerez që i kanë ngarkuar vetes një mision fisnik e atdhetar për të bërë diçka më shumë se vetja e tyre. Po, njerëz të brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë, që e duan Shqipërinë dhe janë në gjendje të sakrifikojnë për Shqipërinë! Mirëqenia e Shqipërisë, mirëqenia e qytetarëve gjithmonë duhet të jenë në mendjen, në veprimet e çdo udhëheqësi, qeveritari, deputeti dhe jo mirëqenia e tyre vetjake (personale), klanore e partiake, që për fat të keq gati gjithmonë e ka karakterizuar qeverisjen e Shqipërisë.Që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e gjer më tani, gati asnjëherë nuk patëm një qeveri që ishte në nivelin e duhur të funksionimit të saj, "për mashalla", siç thotë populli.

Dëshiroj që çdo qeveri shqiptare të jetë e suksesshme, sepse kur dështon qeverisja e mirë, dështon Shqipëria, vuan populli. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të qenë një vend i begatë, por po i mungon një faktor shumë i rëndësishëm, vendimtar - faktori njeri, njerëzit e vendosur, të përkushtuar e të paisur me nëe etikë të lartë pune, njerëz që e duan atdheun dhe kombin e tyre. I mungon klasa politike e ndërgjegjshme, e vetëdijshme, e ndershme, që mishëron vlerat kombëtare, mbron interesat kombëtare.

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat