Dëshmia e rrejshme!

Opinione

Dëshmia e rrejshme!

Nga: Alpin Ollogu Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 06:06
Alpin Ollogu

Deklarim i gënjeshtërt me vetëdije, është përkufizim thelbësor i dëshmisë së rrejshme. Karakter i shpirtërave të sëmurë,  infektuar me virusin e lakmisë, egoizmit, mashtruesit të pangopur dhe paaftë të frymojë në natyrshmërinë e pastër njerëzore, kodit moral dhe ligjor të jetës. Fatkeqësisht, dëshmia e rrejshme zë vend në të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë, që aq shumë dëmtohet nga autorët e këtij akti të paskrupullt  mendor. Për më shumë, dëmi i dëshmisë së rrejshme në afagjatë i dëmton edhe vetë autorët e kësaj dëshmie, të cilët në një formë apo tjetër, në të tashmen apo të ardhmen, për ata që besojnë të fshehtën, edhe në botën e përtejme, i mbartin pasojat e kësaj dëshmie. Fillimisht, duke ju çjerrë maska e njeriut të mirë, për ta zbuluar fytyrën e vërtetë të mashtruesit dhe të përbuzurit e shoqërisë.

 Dëshmuesit e rrejshëm në veten e tyre ndiejnë, përceptojnë opinionin dhe të vërtetën që njerëzit kanë për personalitetin e tyre mjeran, sado që për një kohë mund të hutohen në shkëlqimin e përfitimit material dhe pushtetar, ata përsëri nuk i ikin dot këtij fakti. Turpërimi është hapi i parë i dënimit që ngrejnë ndaj vetes dëshmuesit e rrejshëm, është vula e fytyrës së mungesës së dinjitetit, sado që turp të mos kenë, ajo rëndon në vazhdimësinë e saj. Për të vazhduar me pasojat e tjera të mundshme, ligjore, shoqërore, e deri tek llogaria e pakapërcyeshme që Zoti sanksionon për dëshmuesit e rrejshëm në Ditën e Llogarisë, Ditë e cila nuk mund të shmanget, siç nuk mund të shmanget dhe mbulohet fytyra e çjerrë e grykësit, dhe paturpësia e tij në ‘jetën e vdekshme’. Ngase Zoti është i Drejti, dhe drejtësia e Tij i arrin të gjithë.

E kemi të njohur në përditshmërinë tonë gamën e gjerë të dëshmisë së rrejshme… kur një i zgjedhur i popullit në fushatë elektorale deklaron ndershmërinë e tij korruptive, e në fakt  është i vetëdijshëm se është i zhytur në korrupsion; Rrejshëm dëshmohet kur dikush trumbeton aktivistin e çështjes kombëtare, por që në realitet vetëdijshëm e tinëzisht është në shërbim të dashakeqësit më të madh të kombit të tij. Dëshmohet rrejshëm kur për interesa të partisë politike, shpif dhe përbalt me vetëdije oponentin politik, vetëm e vetëm të manipulohet elektorati, duke qenë i bindur brenda vetes se ajo nuk është e vërtete; Funksionari që deklaron pasuri me pak seç ka në të vërtetë, glorifikon aktet e qeverisë përkatëse në analiza e opinione publike, kur është i vetëdijshëm se ato janë akte mjerane e të dëmshme, edhe ky është dëshmues i madh i rrejshëm.

Rrejshëm dëshmon punëmarrësi që deklaron besnikëri ndaj punëdhënësit, ndërsa  e vjedh atë vazhdimisht, ose kur punëdhënësi fiktivisht përpiqet të rrisë pagat dhe përmirësojë kushtet e punëmarrësit, kur në të vërtetë është në vetëdije se gjatë gjithë kohës përpiqet të minimizojë ato; Të gjithë ata profesionistë të pavaruar, punonjës në sektorin privat dhe publik, që paranë e korrupsionit vetëdijshëm e kanë mbi detyrën dhe kodin etik të profesionit, bëjnë dëshmi të rrejshme; Rrejshëm dëshmon drejtori kur në emër të punës, ndan honorare dhe bën shtatë palë dreka e darka në një ditë të vetme, e këtë e intepreton si përpjekje në dobi të punës.

Shoqëria e keqe me të cilën qëndrohet në një pjesë të konsiderueshme të kohës, rrejshëm dëshmon dashuri respekti, kur është në vetëdije të qëllimshme të zënkave, xhelozive dhe punëve të mprapshta ndaj njëri tjetrin; Farefisi që shtiret për dashuri dhe respekt familjar, kur familjen dhe nderin saj e shet për pak interesa të kësaj bote, apo  tregon dashuri vetëm në raste interesi, dëshmon rrejshëm; Bashkëshortët që shkelin nderin e martesës, dhe që deklarojnë dashuri e besnikëri njeri tjetrin, në rrjete sociale ose gjetiu, vetëdijshëm dëshmojnë rrejshëm.

Profesori universitar i cili ka tagrin e mësuesit dhe edukuesit të gjeneratave, por që bën pazare me notat e studentëve, dëshmon rrejshëm në betimin e misionit  të shenjtë; Atëherë kur deklaron se je musliman, e në fakt je i vetëdijshëm se shumicën e punëve e kryen në kundërshtim me vlerat e islamit, dëshmon rrejshëm;  Besa e shqiptarit, vyrtyti  i  ngritur në piedestalin kombëtar, besnikëria e besatuar njëri tjetrit në çështje të ndryshme jetësore, është një dëshmi e rrejshme, nëse  pas kësaj fshihet qëllimi i errët i vetëdijshëm.

Janë të përceptueshme dëshmitë e shumta të rrejshme që ne i kuptojmë nga jeta e përditshme, në raportet tona njerezore dhe problematikat e konteksteve të caktuara, e cila e shëmton jetën, harmoninë dhe mirëqenien shoqërore, si për ata që shkaktojnë këto dëshmi, ashtu edhe atyre që mbartin pasojat. Shikuar në afagjatë, pasoja më e madhe është për vetë kryerësit e këtij akti të shëmtuar shpirtëror psikik, të cilët nuk mund të shpëtojnë nga panjerëzishmëria e vetes.

Një gamë e gjerë e dëshmive të rrejshme është në qarkullimin e përditshëm brenda shoqërive të dobëta dhe pa vlera minimale qytetëruese. Si kategori me e kobshme dhe më e zezë e saj, është pa dyshim ajo para organeve të drejtësisë, gjykatës,  hetuesisë dhe prokurorisë,  institucioneve të ndryshme rregullatore e mbarëvajtjes shoqërore, veçanërisht në lëndët penale, pasi shumë herë në vendin e krimit janë të pamjaftueshme provat e vërtetimit të gjendjes faktike, dhe për këtë nevoitet deklarata e dëshmitarëve, e cila për shumë raste penale ka rolin vendimtar të çështjes. Veçanërisht në shtete të dobëta ligjore, kur dëshmuesit e rrejshëm, të shiturit e parasë së krimit, kalojnë para hundës së institucioneve dhe mbesin të padënuar. Edhe atëherë kur gënjeshtra e tyre është si mal i madh përpara syve të prokurorëve dhe gjykatësve, të shumë prej atyre që punën e bëjnë pa dinjitet dhe profesionalizëm, sepse kërkojnë  përfitim të pandershëm, njëlloj si ai tregtari që bën hile me mallin e tij. Vetëm se njerëzit e drejtësisë e shkaktojnë pasojën shumë më të rëndë.

Në një proces gjyqësor kur dëshmia e rrejshme është vendimtare në epilogun e lëndës, në legjislacionin e vendit tone sanksionohet me deri në dhjetë vite burg. Por në të vërtetë, kur legjislacioni bie ndesh me shtetin e së drejtës, dëshmitë e rrejshme kalojnë pa “ferrë në këmbë” në gjithë procesin gjyqësorë; bashkëpunojnë me gënjeshtrën e vetes dhe të tjetrit, në pasurimin e padrejtë; fshehin krimin; akuzojnë të pafajshmit, mbrojnë gënjeshtarët. Bëjnë gjithçka të pavërtetë  vetëdijshëm, vetëm për të ushqyer makuterinë e tyre. Në këtë mënyrë frymëzojnë edhe të ngjashmit me ta, për të vazhduar metodologjinë e mashtrimit dhe hajdutërisë.

Legjislacioni jonë dëshminë e rrejshme në gjykatë e konsideron vepër penale ndaj sistemit të drejtësisë, gjithmonë kur mbi këtë dëshmi bazohet vendimi gjyqësor, dhe atë me sanksione deri në disa vite burg, ndërsa për shembull në shumë shtete të SHBA-ve, vepra penale dëshmi e rrejshme sanksionohet edhe me burg të përjetshëm apo me dënim kapital – vdekje. Kjo për të treguar rëndësinë e saj ne epilogun e një procesi gjyqësor civil apo penal.

Genjeshtër e qëllimtë në dëshminë e mbulimit  të së vërtetës, festë të pabesimtarëve, do ta konsideronte mendimtari i islamit Xhurejxhi, dëshminë e rrejshme. Ndërkaq, profeti i dashur i Zotit, më i madhi i profetëve, në kategorizimin e tre mëkateve më të mëdha që mund të bëjë njeriu, një ndër ta,  ka përfshirë dëshminë e rrejshme. E kur e ka kumtuar këtë mesazh para njerëzve, e ka përsëritur aq shumë: “edhe Dëshmia e rrejshme, edhe Dëshmia e rrejshme, edhe Dëshmia e rrejshme”, saqë ata që e dëgjuan këtë, thanë “Ah sikur të heshtte” (në kuptim të brengës dhe rëndësisë që bashkëkohasit e tij, kanë ndjerë për çështjen në fjalë).

Shoqëria jonë e ngulfatur me karaktere të tillë gënjeshtarësh, e ka një plagë të vazhdueshme pasojën e shumëfishtë  të dëshmisë se rrejshme në mbulimin e së vërtetës, shërimi i së cilës duhet të fillojë me shërimin e sistemit të drejtësisë, me gjykatës dhe prokurorë që me vendimet e tyre të drejta gjyqësore, jo vetëm që do ti shërbenin së vërtetës, por me vendimet e tyre do të edukojnë dhe drejtonin mendjen e mbrapshta të së keqes.

Shikuar në tërësinë e vetë, dëshmuesit e rrejshëm janë të humburit më të mëdhenj, ata i kanë ngritur vetes kurthin e poshtërimit. Kanë siguruar një të ardhme të keqe. Se sa është pesha e kësaj dëshmie, apo shpirti i të drejtave, siç e quajnë disa, na paralajmëron Zoti i madhërishëm në një citat në Kuranin Fisnik, i cili citat është vendosur në edhenë Universitetin e Hardvardit, Fakultetin e drejtësisë, tek hyrja e bibliotekës. Ёshtë pikërisht kjo bibloteka më e madhe e drejtësisë në botë, që citatin e ka radhitur tek shprehjet më të mëdha të drejtësisë në historinë njerëzore, atë që thotë Allahu në Kuran, në surën EN-Nisa, ajeti 35: “O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut, edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse Allahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocinonin e t`i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrembëroni ose tërhiqeni, Allahu hollësisht di ç`ka punoni”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat