Kërkesa e Kosovës për kompenzimin e dëmeve gjenocidale kundër Serbisë do të ndikonte në rrjedhat proceseve ndërshtetërore

Opinione

Kërkesa e Kosovës për kompenzimin e dëmeve gjenocidale kundër Serbisë do të ndikonte në rrjedhat proceseve ndërshtetërore

Luz Tomaj Nga Luz Tomaj Më 3 shkurt 2019 Në ora: 11:06
Krimet serbe në Kosovë

Me fjalë të thjeshta

Mosparashtrimi i kërkesës kundër Serbisë, për kompenzimin e dëmeve për krimet e luftës, është  lëshim i pakuptuar i pushtetit dhe i pafalshëm. Vetëm me atë kërkesë do të gjunjëzohet Serbia. Më vonë, të tjerët, do t’iu pyesin po ku ishit gjerë tani ore.

Është gjynah more, me hargju fjalë dhe kohë për këtë temë. Kërkesa në fjalë është dashur të parashtrohet kaherë, në mënyrë që t’i mbyllet goja Serbisë dhe arena ndërkombëtare të kuptojë se Serbia nuk është ajo, e cila e dirigjon procesin e dialogut me Kosovën, që t’a bllokon atë proces sa herë të dojë, të sillet si viktimë e jo si agresore, si ekzekutore e gjenocidit dhe krimeve tjera të luftës.

Krimet e Serbisë në Kosovë, në kuptimin e përmasave nuk mund të komparohen me krimet kundër hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, por mënyra dhe format e krimeve serbe, madje i tejkalojn ato të Hitlerit kundër Hebrenjve. Nëse hebrenjtë kanë qenë të shpërndarë anë e mbanë Evropës, shqiptarët kanë qenë të koncentruar në tokën e vet historike, në trevën dardane. E tani, për një grusht serb në Kosovë, Serbia e qon, pa të drejtë, pa arsye, tërë atë pluhur. Po ai grusht serb, në asnjë mënyrë nuk është i rrezikuar nga shqiptarët, nga se shqiptarët nuk e kanë në gjak bërjen e të zezave çfarë din të bëjë Serbia. Serbia duhet me qenë e vetëdijshme, se ai grusht serb gjendet në trevën dardane, në trevën e Kosovës e nëse nuk i pëlqen mundet me i futë në xhep dhe me i marrë me veti.

Sidoqoftë, o zoti Kryeparlamentar, Kryetar, Kryeministër, a nuk iu brenë ndërgjegja, nëse keni fare, se nuk ndërmerrni asgjë për të gjitha ato viktima që ranë për Kosovë, për të gjithë ata që pësuan plagë e dhimbje, për të gjithë ata që i banin çaklat për në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi… për të gjithë që u dhunuan nga barbarët, për të gjithë ata që akoma nuk dihet se ku iu shkoi trupi i pa jetë.

Kur ishte fjala për hebrej, më duhet t’iu përkujtoi se, pas Luftës II, Izraeli e konstituoi shtetin, sa më kujtohet gjatë v. 1948/49. Menjëherë pas, më 1950 ia parashtroi Gjermanisë kërkesën për kompenzimin e dëmeve nga krimet e luftës. Nuk zgjati shumë dhe u arrit marrëveshja. Nuk e hulumtova por, mendoj se së paku, deri më 2010, në mënyrë permanente, Gjermania ka paguar dëmet e hebrejve.

Tani, pse Kosova nuk ia parashtron kërkesën Serbisë??!! Kërkesa në fjalë ka karakter tipik juridiko-civil dhe sipas të gjitha normave, pala, në cilësi të paditësit ia parashtron palës së paditur, me qëllim të arritjes së marrëveshjes. Nëse marrëveshja nuk arrihet, hapi i dytë konsiderohet padija pranë gjykatës kompetente. Sipas akteve të OKB, veçanërisht Statutit të Gjykatës ndërkombëtare, dera është e hapur edhe për padi.

Temë e veçantë është çështja e procedurës penale, ndonëse edhe në këtë çështje, nuk e kuptoj neglizhencën e Kosovës. Fakti se Kosova, akoma, nuk është anëtare e OKB-së, nuk don të thotë se të gjitha dyert janë të mbyllura. Jo jo. Bashkësia ndërkombëtare, së paku, përmes institucioneve oficiale, është e interesuar që për krimet si gjenocidi dhe krimet e luftes, secili individ, secili ekzekutor edhe të përgjigjet për veprimet e veta.

U themelua një Gjykatë e veçantë apo speciale, e cila po heton dhe sigurisht do të gjykojë eprorë të UÇK-së dhe ku me dit kënd. Në anën tjetër, Serbia e bëri tërë atë rrëmujë në Kosovë dhe nuk vërejta se, qoftë edhe një serb, udhëheqës ushtarak, policor apo paramilitar, përveç atij kasapit famëkeq, të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Ky far Daçiqi, i cili i mban pozitat më eminente në Serbi, duhet të përgjigjet për krime në Kosovë, sepse, e mbaj në mend, si zëdhënës i atij famëkeqit, ka qenë thuaja koordinator i aksioneve të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Në vend të përlarjeve apo kacafytjeve në mes veti, kishte me qenë më e udhës që pushteti i Kosovës të koncentrohet dhe të mirret me punët, me të cilat vërtet duhet të mirret. Mu kjo dobësi krijon sipërfaqe të favorshme për manovrimet apo lojërat politike të Serbisë, të cilat po i bën në disa procese të dialogut apo negociatave etj.

Zgjohuni more!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat