Pleqtë e fshatit tim - Bota Sot
Pleqtë e fshatit tim

Opinione

Pleqtë e fshatit tim

Nga: Sinan Kastrati Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 19:21
Sinan Kastrati

E sa pleq kishte fshati Turjakë, qy nga Sylë e Bajram Ramadani, afër Vakafit e Çukës e deri te Smajl Zeneli e Rexhep në Breg të Mirushës de në përndim të Turjakës, Hamid e Shaqë Tusha. Pastaj vinte Imer Seferi e Cufë Brahimi.

Por unë, sonte do të flas veç për pleqë e mi, të familjes sime.

As edhe një fjalë nuk më kujtohej, çka të shkruaja për gazetën. E gazeta “kërkonte” shkrime nga unë. Unë duhej të shkruaja se si kullosin delet në malet e Turjakës, kur pillnin lopët e se si punojnë puntorët në minierat e Trepçës e luajnë fëmijët me lecka leshi nëpër rrugë.

Këto fjalë, se si më kërkonte gazeta shkrime, mi kujtuan vargjet e vjershës së Dritëroit, Në kryeqytet, për pleqtë dhe sikur më dhanë forcë e vrapova ta kërkoja librin me vjershën që ma kujtonte fshatin tim,Turjakëne rrethin tim, Llapushën, qytetezën time e pazarin e Rahavecit kur hëngra për herë të parë bukë furre e një lugë me marmeladë. Ajo vjershë “Në Kryeqytet” ma kujtonte fëmijërine time, që nuk kisha asnjë gajle, mi kujtonte pleqtë e mi, gjyshin e babën, nënen e gjyshen.

“Kur erdha këtu ... “, në S. ?

-Jo!

-Unë nuk i mora pleqtë e mi me vete.

As nuk u përshëndeta me ta kur u nisa për mërgim. Gjyshi, gjyshja e nëna më kishin vdekur e baba kishte mbetur i vetëm, me fëmijët e vëllait që gjithashtu kishte vdekur.

Dhe fillova të lexoja me zë:

“Pleqtë e mi, mësuar në arat mes baltës e grurit”

Eh, kur shkova në Turjakë pas më shumë se 8 vjetëve, e pash babën. Kishte qenë i ulur te hieja e dudit, afër koshit. Ishte plakur e ishte lodhur shumë. Nuk fliste. Ulte kokën e ashtu kokëulur pinte cigare të maqinës. Dhe s`vonuan e erdhën xhaxhallarë e gra të xhaxhallarëve, mbesa e rejat e tyre. E filluan të më puthnin e të më pyesnin:

- Ku je kânë, pse nuk ke ardhur të na shohësh në Malet e Turjakës se si rronim?

Dhe prapë më kujtoheshin fjalët e Dritëroit, për pleqtë:

“ ... rritet arave drithi,

Këndon lauresha ugareve,

Hyn në rrënjët e bostanëve urithi,

Hingëllin pela për mëzin livadheve”.

Dikur yeta: -Ku është dada Nep?

-Ka vdekur në Kukës, më thanë.

-Po dada Badë, qysh është?

-Edhe ajo nuk është mirë, i ka vdekur burri.

Pleqtë e mi, baba Ukë e baca Bali ishin ulur në barin e oborrit të asaj mbrëmje të Qershorit.

-Po baca Dul, ku është?

-Nuk mundet me ecur, mjekët ia kanë prerë këmbën. Nuk mund të lëviz.

Ktheva kryet mënjanë dhe më ranë disa pika loti në barin e oborrit tim.

Asllani i Rexhep Asllanit që më kishte marrë me një automobil, lypi “izen” e baca Bali, mu afrua e më tha:

-Udha marë!

-Baca Bali, pse po më thua “udha marë”? Unë dua të rri me juve, në Turjakë. Pas këtyre fjalëve, ai filloi të qaj si fëmi. Më tha, se nuk i kujtohet çka më kishte thënë. Nuk ishte baca Bali që e njihja. Ai ishte një burrë i fortë. Thuhej që s`kishte puntor më të mirë në Turjakë. Kur laheshin në Mirushë e në Dri, s`kishte kush që e shytëte. Bile Nezir Cufa, kur i afrohej baca Baca Bali, ai shytej vetë.

Nuk mu prit dhe dhe shkova deri te baca Dul, ta shoh. Kur i treguan se po vjen S. filloi të qaj me zë.

Kështu kishte bërë kur i kishte parë edhe fëmijët e mi:- O fëmijët e S.

-Eh more S. sa kemi hjekur e sa na ka marrë malli për ty. Sa dasma e deka nuk je kânë.

Ka vdekur dada Nep, Sevdija e ...  Mstafa.

E një nuse që nuk e kisha parë, na rrinte në këmbë dhe vetëm priste “urdhërat” nga vjehrra e vjehrri. 

-Sadi, preje një pulë se na ka ardhur S.!

Ishin të kota lutjet e mia se duhet të shkoj edhe te baca Hel e ti shoh hallat e kusherirat e mia që tash ishin rrit. Hatixhja Elmia e Gana e Hanumshahi ishin martua. Edhe Avnia i bacës Hal ishte martua. Kishte vdekur edhe Dan Hamidi e Arifi.

Të nesërmen, erdhën fshatarët e mi të më takojnë e më pyesnin se si kisha kalua në Saudi, kështu e thonte baba Suedisë.

Mulla Shaqa, ishte një nga mysafirët e parë që erdhi nga Maralia.

Erdhën edhe Smajl Miftari e Jup Rexhepi me Muhametin e Abazin e dajtë e babës, Ferati e Fazlia.

-Babë, nuk i kam dhënë vitrat, kujt me ia dhënë? Ishte një nga pyetjet që ia bëra babës pas disa ditëve. Duhet me ia dhënë Xh. N.!

-Kujt?

-Nipave të Xh. N. I kanë shumë ligsht punët.

Eh botë he botë. I njoh si fukarenj, pastaj si zingjin dhe prap si fukara.

U nisëm bashkë me babën deri te baca Xh. Por nuk e gjetëm aty. Reja e bacës Xh. na bëni shumë rixha por ne u kthyem.

Pastaj e pyeta babën për bacën Sefer e për ... bacën Ilaz e për Isën e Bajram Ramadanit, Reshit Tafilin e Lil Dergutin e shumë e shumë të tjerë.

E pleqtë e fshatit tim pinin duhan kaqak, duhan të fortë sikur Dritëroi, duhan Meshgarani e hanin speca të djegstë dhe i donin gratë më shumë se Dritëroi por nuk tregonin se kishin “Kanunin” mbi krye.

E Dritëroi vdiç, vdiën edhe pleqtë e fshatit tim.

Dhe desha të ik pakëz nga përditshmëria jonë politike dhe duke e mbyllur kopjuterin pash një titull nga një grua burrëreshë “Uuuu, Na Hëngshi Atë që S’thuhet!”, iu thonte politikanëve shqiptarë. Por politikanët tanë me dëshirë do të hanin ato që ”s`kanë emër, të femrave e ato s`duhet e s`thuhet emri”

Eh pleqë e fshatit tim, edhe ne u plakëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...