Edukata seksuale, nevojë jo tabu!

Opinione

Edukata seksuale, nevojë jo tabu!

Nga: Blerina Demiri Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 08:02
Blerina Demiri (e diplomuar në Komunikimin Ndërkombëtar)

Ka kohë që dua të flas zëshëm për një tabu temë dhe po marr shkas nga rasti i Drenasit apo Kavajës, ku një akt përdhunimi nxori në pah një varg problemesh që kanë lëshuar rrënjë në ndërtimin e shoqërisë shqiptare. Përdhunohet një 16 vjeçare apo 14 vjeçare, nga një mësues, polic apo shokë të klasës.

A jemi të vetëdijshëm për atë që na dëgjojnë veshët? A jemi të vetëdijshëm se autorët e rasteve janë atë që na mësojnë, mbrojnë dhe i japin ngjyra jetës tonë. Një mësues që të flet për moralin dhe etikën, një polic që të flet për sigurinë e jetës, një shok që të flet për miqësi të sinqertë, sot kanë marrë një rol diametralisht të kundërt me atë që profetizojnë në jetën e përditshme. I gjithë ky frustrim apo devijim i kodeve etike është rezultat i mungesës së edukatës seksuale në shoqërinë shqiptare që në moshë të hershme.

Fakti që përmenda policin dhe mësuesin nuk do të thotë se vetëm ky lloj profili është i involvuar në raste të tilla, sepse të gjithë e dijmë se përdhunimi si “akt mizor” ndodh edhe brenda institucionit më vital të një shoqërie siç është familja, mu aty ku ne ose piqemi si njerëz ose ngelim gjithë jetën në kërkim të vetvetes.

Shoqëria shqiptare për një arsye apo tjetër ka vuajtuar dhe vazhdon të vuajë nga konstruksione të ndryshme sociale të cilat i pranon si të mirëqena. Duke qenë shoqëri konservatore që prej kohësh, nuk ka besuar se jashtë “ zonës së komfortit”, jashtë asaj vorbulle të errësuar ka ca fije drite që domosdoshmërisht të depërtojnë për një bazë të shëndoshë të gjeneratave që po rriten.

Është jashtë çdo lloj logjike fakti që vet njerëzit, krijesat që ashtu siç janë humane, fizike apo biologjike, janë edhe seksuale, ta kundërshtojnë me forcën më të madhe të tyre, njohjen e vetvetes. Qenia njerëzore është krijuar e tillë që gjatë procesit të rritjes të socializohet, në mënyrë që të ketë një menaxhim të koordinuar të kuptimit mbi jetën. Pjesë e këtij socializimi është edhe ai seksual, i cili përfshin një ndër komponentët më kryesorë të zhvillimit mental dhe fizik të çdo individi. Dhe kur flasim për këtë lloj socializimi, duhet pranuar që konsiderohet të jetë një ndër temat më tabu në historinë tonë si shoqëri, sepse turpërohemi të flasim për edukatën seksuale, ndërkaq kurdo që na jepet mundësia në praktikë e “heqim maskën e pafajësisë”.

Dy konceptet e lartëpërmendura, edukata dhe socializmi seksual në kuptimin më të ngushtë të fjalës mund të kuptohen si (edukata) të mësuarit mbi seksualitetin dhe (socializimi) praktikimi i tij në përballje me të tjerët. Në fakt kush na e mëson neve këtë lloj edukate? Ka dëgjuar dikush nga ju krahas ligjit mbi gravitetin apo Teoremës së Pitagorës të flitet mbi ligjin e seksualitetit?

Normalisht që jo, sepse tema të tilla është turp të fliten në institucione arsimore.

Janë thjesht tabu, fjalë të pista…

Kështu që në mungesë të artikulimit të drejtë dhe të qartë të këtyre “ fjalëve të pista” sot ne gëzojmë një shoqëri që vuan nga degradimi i mentalitetit seksual.

Në momentin që një fëmijë puthjen e shkëmbyer nga prindërit e konsideron si akt të turpshëm dhe që nuk duhet bërë në publik, do përfundojë duke qenë pjesë e akteve të tilla, vetëm nga kureshtja, sepse mos harroni “shumë jetë janë shuar për mollën e ndaluar”.

Në fakt turp i vërtetë është një vajzë të kuptojë që mbart në vete një fëmijë të muajin e 5-të të shtatëzanisë sepse nuk ka njohuritë bazike mbi procesin e rrjedhës normale të periodave ose që një djalë po bëhet baba në pavetëdije sepse ka turp të flet për procesin e ngjizjes.

Unë nuk po flas për edukimin e mashkullit apo femrës në veçanti, por flas për edukim të përgjithshëm të gjithsecilit që pretendon të gëzojë një jetë fizikisht dhe mentalisht të shëndoshë. Edukata seksuale si çdo edukatë tjetër që konsiderohet element kyç në ndërtimin e personalitetit, duhet mësuar dhe mbështetur fuqishëm për një socializimi më konstruktiv.

Prandaj përpara se ti mësoni fëmijët si të bëhen intelektualë të sferave të ndryshme, edukoni ata për proceset jetësore që vënë themelet e çdo profesioni tjetër !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat