Kotësitë kosovare

Opinione

Kotësitë kosovare

Nga: Isa Zymberi Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 14:07
Isa Zymberi

Në gusht të vitit të kaluar pata bërë një shkrim me titull Metafora e Shahut dhe “Degërxhiku” ku shprehja brengosje për nismën e korrigjimit të kufijve, që atëherë ishte në fillet e saj. Prej atëherë, ka pasur me qindra shkrime me këtë temë, diskutime e debate të pafund në televizionet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Të gjitha këto shkrime, diskutime e debate rezultojnë të jenë të kota. Ato as që u bëjnë përshtypje presidentit kosovar e kryeministrit shqiptar. Me gjasë siguria e tyre qendron dikund tjetër.

Në shkrimin e theksuar, konstatoja se kishim të bënim me diçka që tashmë ishte zier në qarqe atëherë të panjohura. Atëherë, njësoj si dhe sot, paraqitjet skandaloze të presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, përkraheshin nga kryeministri i Shqipërisë, z. Rama, i cili, krahas Baton Haxhiut – një lidhje e hershme me shërbimet serbe, e mbron hapur shkëmbimin e territoreve.

Rama dukej qesharak, në një inërvistë televizive, kur valëviste një fotokopje të një artikulli të botuar më se 20 vite më parë, në të cilin Rugova e paska përmendur shkëmbimin e territoreve. Rugova, qëndrimet zyrtare, të arritura në LDK apo në koordinim me partitë e tjera politike shqiptare, i ka përsëritur pareshtur, madje në atë masë sa në vitin 1995 edhe fëmijët pesë vjeç i kanë ditur qëndrimet e tij. Përsëritjet e qëndrimeve të Rugovës ndonjëherë bëheshin edhe monotone dhe disa njerëz iritoheshin prej tyre. Unë vetë i pata thënë Rugovës gjatë një vizite të tij në Londër, ‘Ibro, konferencën për shtyp që e mban të premteve, unë mund ta publikoj këtu të enjten – po i përsërit të njëjtat gjëra’. Ai më tha, ‘E di, bre Isë, po i kemi arritur disa qëndrime dhe nuk mund të lëvizim prej tyre, kurse vetë mbajtja e konferencës për shtyp e ka efektin e vet’. I vetmi qëndrim lidhur me kufijtë, i cili në ata kohë ishte arritur nga të gjitha partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të cilin Rugova e ka shprehur shumë herë, ka qenë, nëse ndryshojnë kufijtë e brendshëm, atëherë edhe shqiparët në ish-Jugosllavi do të kërkojnë t’i bashkojnë territoret e veta. Dhe ky ka qenë njëri prej tri opsioneve për kufjtë: nëse pavarësohen republikat ish-jugosllave, Kosova kërkon pavarësinë ..., nëse ndryshojnë kufijtë e brendshëm, siç, u tha më sipër, shqiptarët në ish-Jugosllavi kërkojnë bashkimin e territoreve të tyre, dhe nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm, shqiptarët e ish-Jugosllavisë kërkojnë bashkimin me Shqipërinë.

Deklaratat e Thaçit, në fillim, ishin të pakuptimta deri në absurditet. Thoshte se Kosova do të merrte territore nga Serbia pa dhënë asgjë. Deklaratat e tij më vonë filluan të modifikoheshin pak nga pak dhe dilnin në vijë me ato të Vuçiqit, se ‘zgjidhja do të ishte e dhimbshme për Kosovën’, ashtu siç deklaronte pandani i tij për Serbinë.

Gradualisht, komplotit të Thaçit filluan t’i dilnin në dritë akterët kryesorë që, përveç emrave të Thaçit, Vuçiqit e Ramës, tani përfshijnë dhe emrin e Sorosit junior dhe të ndonjë firme amerikane lobuese me ndikim, aktivitetet e së cilës, në koordinim me ato të Thaçit dhe Ramës, kanë filluar të rezultojnë në ndërmarrje konkrete nga nivelet më të larta shtetrore amerikane, siç janë letrat e presidentit Trump drejtuar Thaçit e Vuçiqit, telefonatat e zyrtarëve të lartë amerikanë për zyrtarët e Kosovës e Shqipërisë, si dhe porositë e shpeshta të formuluara me kujdes të ambasadorëve amerikanë për udhëheqjet e Kosovës e Serbisë në Prishtinë e Beograd.

Në skenën e brendshme politike, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, situata mund të thuhet se ka hyrë në një zonë të rrezikshme.

Në Shqipëri, skandalet s’kanë të ndalur. Pa u vjetruar i pari, vjen i dyti. Në parlamentin shqiptar është devalvuar çdo akuzë, nga ato më seriozet e deri tek ato më të rëndomtat. Kultura e komunikimit aty ka rënë në nivelet më të ulta. Në kohën e fundit, doli skandali i përgjimeve i publikuar edhe nga Zëri i Amerikës që nxeu tejmase debatin parlamentar, derisa arriti në pikën kur kryeministri Rama mbushi sallën e parlamentit me ‘gruas sime ia hëngsh ...’, kurse bashkëpartiakët e tij i dhuruan duartrokitje frenetike.

Kryeministri Rama, duke u sjellë sikur të ishte ai vetë njeriu që përcakton se kujt i lejohet ta kalojë oqeanin e kujt jo, i drejtohet Berishës të provojë ta kalojë oqeanin.

Nëse vërtet ka diçka në këtë që deklaron Rama, që autoritetet amerikane do t’ia refuzonin Berishës vizën, të cilën ai thotë se as që e ka kërkuar, çdokush me dy fije mend në kokë do ta ketë të qartë se Berishës do të mund t’i refuzohej viza për SHBA vetëm për shkak të qendrimit të tij të palëkundur rreth integritetit territorial të Kosovës, të cilin Thaçi me shokë e ka futur në lojë.

Dhe, nëse vërtet Berishës i bëhet presion i këtillë në përpjekje për ta zbrapsur nga ky qëndrim i tij, atëherë ai kurrë mos e kaloftë oqeanin.

Situata në Kosovë në momentin e pikërishëm, edhe pse puna e fjalëve të ndyta në paralament ka ndodhur vetëm me ndonjë rrëshqitje goje të kryetarit të parlamentit, dhe jo me ‘ia hëngsh ...’ por me ‘ma hangsh ...’, në të gjitha aspektet e tjera është njësoj e komplikuar si në Shqipëri.

Lidhur me të ashtuquajturën ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse’ të Thaçit ‘që do t’i sjellë Kosovës njohjen nga Serbia, pranimin në OKB’ etj., etj., opinioni publik Kosovar, ashtu si dhe ai i Shqipërisë,  duket se është me shumicë dërmuese kundër prekjes së kufijve.

Shqiptarët e Kosovës nuk ia kanë përcaktuar vetës këta kufij. Këta kufij janë vendosur në një kontekst tjetër historik dhe të luash me ta sot është rrugë të cilës s’e di si do t’ia dalësh në krye. Termi korrigjim kufijsh ekziston, por është i papranueshëm përdorimi i tij për të nënkuptuar këmbim territoresh.

Në Kosovë, presidenti dhe kryeministri janë në pika krejtësisht të kundërta rreth kësaj çështjeje. Të shpresojmë se ky nuk është një mospajtim i dakorduar i tipit, ta zëmë, të dy vëllezërve që udhëheqin një biznes duke mbajtur qëndrime krejtësisht të kundërta midis tyre, e që, megjithatë, realizojnë të gjitha alleshveresht e tyre biznesore me përpikmëri.

Kryeministri Haradinaj, mbase dhe me përkrahjen e PDK-së, (kjo nuk ka fare rëndësi tani), nisi kushtëzimin tregtar ndaj Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës, fillimisht me taksë dhjetë përqind për ta rritur këtë në qindpërqind për mallrat e importuara nga këto dy vende. Këtij vendimi, që kishte për qëllim ndaljen e Serbisë nga ndërmarrjet e saj për ta penguar Kosovën në çdo hap të afirmimit të saj si shtet i pavarur, iu kundërvunë ashpër zyrtarë të Bashkimit Evropian e tani së voni edhe të SHBA-së.

Kuptohet se shantazhimi i udhëheqjes kosovare është shumë më i lehtë sesa shantazhimi i asaj serbe, por kjo është një hipokrizi politike që zyrtarëve europianë nuk u bën fare përshtypje.

Besoj se tashmë ne shqiptarët jemi mësuar të jemi viktimë e paragjykimeve të të tjerëve. Duket se nuk na merr kush shumë seriozisht. Edhe kur të tjerët paraqiten se po bëjnë përpjekje serioze për zgjidhjen e problemit të Kosovës me Serbinë, sikur BE-ja tani, ne do të duhej të jemi të vetëdishëm për atën që  quhet ‘unconscious bias’ (anim i pavetëdishëm) i cili shumë shpesh qendron pas deklaratave të zyrtarëve, sidomos europianë. Pra, ata anojnë (zakonisht nga pala serbe) pa qenë të vetëdishëm se po e bëjnë këtë.

SHBA mund të karakterizohet si një vend  pa paragjykime të këtilla, prandaj dhe qëndrimi i pafavorshëm për Kosovën i zyrtarëve amerikanë është më problematikë. Shqipëria, për ekzistencën e saj si shtet, i falenderohet SHBA-së. Kosova, për çlirimin e saj nga Serbia, duhet gjithmonë t’i falenderohet në radhë të parë SHBA-së.

Por, sot është një kohë tjetër. Qendrimet e mirëfillta politike amerikane që me dekada u kanë dhënë shpresë sidomos popujve të shtypur, duket se janë dobësuar me ardhjen e kësaj administrate në pushtet. Sa do të zgjatë kjo gjendje mbetet të shihet. E mira qendron në faktin se institucionet shtetrore amerikane kanë mjete efektive për të frenuar këdo që mund të prekë në interesa afatgjatë strategjikë amerikanë. Edhe ne duhet të jemi të vetëdishëm se interesat strategjikë i nënshtrohen një procesi të vazhdueshëm ridefinimi.

Sa i përket ndryshimit të kufijve, për habi, administrata e tanishme amerikane është më afër qëndrimit rus sesa atij europian.

Arsyet për këtë janë të shumta dhe kanë të bëjnë me gjendjen globale dhe pikat e lloj-llojshme të krizave në botë dhe me qendrimin e fuqive të mëdha ndaj tyre. Përendimi, në përgjithësi, mund të konsiderojë se tashme është marrë (me sukses) me tejkalimin e krizës shumë të rëndë me të cilën përballej Kosova në fund të shekullit të kaluar. Problemet e tanishme i duken të vogla e të parëndësishme për t’u marrë me to seriozisht. BE-ja ka probleme më të mëdha, sidomos me procesin e daljes së Mbretërisë së Bashkuar të njohur si ‘brexit’. Me gjithë kortuazinë në paraqitjet e të dyja palëve, në prapaskenë luhen dy lojëra – MB përpiqet të realizojë dalje sa më të favorshme për të, kurse BE përpiqet që sa më shumë t’ia vështirësojë daljen MB-së për t’u dhënë, kështu, një mësim të gjithë anëtareve të tjera që mund ta marrin këtë rrugë. Kuptohet se fundi i këtij procesi do të sjellë pasoja të paparashkiueshme sidomos për MB-në e po ashtu dhe për BE-në dhe këto rrethana sikur po shfrytëzohen për ta ngutur arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë të problemit Kosovë – Serbi.

Në këtë situatë ngutie do të mund ta merrnim me mend një skenar imagjinar: nëse, ta zëmë, Hasimi i drejtohet Tomit duke thënë,  ‘me Vasilin kam arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqësore, por më nevojitet përkrahja juaj në mënyrë që ta realizoj atë’, atëherë Tomi me zyrtarët e tij, edhe pa i ditur fare detajet e marrëveshjes, mund të dalin me deklarata, “Nëse ajo është një marrëveshje që e pranoni ju, do ta përkrahim edhe ne.” Dhe kjo është krejt simetrike me atë që Thaçi po na thotë se i ka thënë edhe Putini, me fjalë të tjera, se ai nuk mund të jetë më serb se vetë serbët dhe se, nëse e pranojnë ata, do ta pranojë edhe ai.

Shtetet  europiane, e sidomos Gjermania, me gjasë janë më të ndjeshme për çështjen e kufijve, dhe i dinë shumë më mirë pasojat që mund të sjellë çdo përpjekje për ndryshimin e tyre. Është e qartë se shkëmbimi i territoreve, apo korrigjimi i kufijve siç e quan Thaçi me përkrahësit e vet, do të hapte më shumë probleme sesa që do të zgjidhte.

Kjo nuk e brengos Thaçin, i cili mund të ketë ndonjë interes personal për gjithë këtë nxitim, por është i habitshëm nxitimi i disa zyrtarëve të BE-së. Arsyet se zgjedhjet e ardhshme në BE mund të sjellin një strukturë të re që mund të mos merret me problemin e Kosovës, nuk pinë ujë.

Qendrimi i zyrtarëve europianë është thjesht një mashtrim sa për të arritur një marrëveshje shkel-e-shko, të cilën do ta regjistronin si mbyllje të problemit.

Po mbushen dy dekada qëkur është çliruar Kosova nga shtypja serbe dhe një dekadë prej shpalljes së pavarësisë. Autoritet europiane dhe amerikane kanë pasur kohë të mjaftueshme ta orientojnë Kosovën drejt një shteti që do të punonte për qytetarët e saj, të një shteti atraktiv për të gjithë banorët e tij pa marrë parasysh përkatësinë etnike, në vend se t’i lejojnë që para syve të tyre ta vjedhin e shkatërrojnë në çdo mënyrë, duke krijuar institucione të kapura që përbëjnë një dëmtim afatgjatë të shtetit, kthimi i të cilit në binarë normalë kërkon shumë kohë dhe masa drastike.

Zyrtarët europianë dhe amerikanë i njohin fort mirë të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë në të dyja anët e kufirit. SHBA e di fort mirë kush sa proamerikan është.

Thaçi, bashkë me Ramën, kanë zënë të sillen në stilin e Erdoganit me Rusinë! Sikur nuk janë të vetëdishëm këta të dy se Shqipëria dhe Kosova nuk janë në pozitë ta luajnë rolin e Turqisë me lëvizje taktike sa nga Përendimi sa nga Lindja e Putinit? Një minutë takim i Thaçit me Putinin po shitet si të kishte zgjatur disa orë.

Mjaft e kanë shijuar shqiptarët bukën e lindjes. Edhe sot e kësaj dite po kanë vështirësi të lirohen nga rrënjët që kanë lënë pas komunistët e tipit të lindjes.

Tani disa përkrahës të komplotit të Thaçit e Ramës kanë filluar të paraqiten me një nervozizëm dhe agresivitet të tepruar dhe ky është një paralajmërim se këtyre u ka hyrë frika se mos u dështon komploti por edhe se janë në gjendje ta acarojnë situatën në maksimum vetëm për t’i realizuar planet e tyre.

Thaçi e Rama e kanë problem si t’ua shesin kosovarëve/shqiptarëve marrëveshjen që duket se tashmë është arritur me palën serbe.

Në këtë përpjekje, që të dy kanë filluar t’u bien daulleve patriotike të një bashkimi kombëtar.

Po t’u digjte zemra cilitdo prej tyre për bashkim kombëtar, nuk do ta përkrahnin aq me zellë marrëveshjen e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për emrin me Greqinë, gjë që e shtyen në kohë çdo mundësi të bashkimit kombëtar të kësaj pjese.

Opinioni i gjerë publik shqiptar i ka mbështetur si shqiptarët e Malit të Zi, të cilët luajtën rol vendimtarë në pavarësimin e kësaj ish republike jugosllave, ashtu dhe shqiptarët e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në përpjekjet e tyre për sendërtimin e këtij shteti me shpresë se ashtu do të mund t’i realizojnë më lehtë të drejtat e tyre. Se a do të ndodhë kështu, mbetet të shihet, por këto kanë ndodhur në mungesë të një shprese reale për bashkim kombëtar.

Bashkimi kombëtar, edhe pse një aspiratë legjitime, vështirë se mund të bëhet në këto rrethana dhe, edhe nëse do të ndodhë ndonjëherë, nuk përmbyllet me bashkimin e një Kosove të gjymtuar me Shqipërinë. Bashkimi kombëtar mund të quhet i tillë kur Shqipërisë do t’i bashkoheshin të gjitha territoret e banuara me shqiptarë, duke përfshirë Çamërinë, Maqedoninë perëndimore, Kosovën me Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, dhe territoret shqiptare në Mal të Zi, Hot e Grudë, Plavë e Gusi, Ulqin e deri në Tivar. Një gjë të tillë sot do ta synonte vetëm një Don Kishot dhjetë herë më i zoti se ai i Servantesit. I vetmi bashkim kombëtar, përkundër aspiratave legjitime të shqiptarëve, në rrethanat e tanishme mund të bëhet me futjen e të gjitha vendeve të rajonit në BE, edhe pse ky nuk do të jetë bashkim kombëtar siç është trumbetuar herë-herë nga politikanë të ndryshëm shqiptarë.

Tani është në kulminacion presioni i tipit ‘kush po don me na i prishë raportet me SHBA-në?’ Me këtë presion momentalisht po përballet Haradinaj, të cilit çdo ditë po i ngushtohet rrethi.

Taksa e vendosur në momentin e pikërishëm, edhe pse është bërë për arsye të tjera, është i vetmi faktor që po e frenon marrëveshjen e farkuar nga Thaçi me shokë. Kjo po ndodhë sepse Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.

Me gjithë të metat e kësaj qeverie, e cila ka dalë nga PDK-ja me një duzinë partish të vogla klienteliste, që kanë nuhatjen e hijenave, Haradinaj meriton mbështetje, pasi që çdo marrëveshje në këtë kohë mund të jetë e pafavorshme për Kosovën. Tani duket se nuk është koha për marrëveshje përfundimtare. Në anën tjetër, Haradinaj duhet t’u ruhet nismave të tipit të një konfernce ndërkombëtare për Kosovën.

Përpjekjeve për ta detyruar ta heqë taksën, Haradinaj duhet t’u kundërvihet me të gjitha mjetet e mundësutë që ka në disponim, ta zëmë duke e paralajmëruar Thaçin se do ta tërheqë vendimin për t’ia lënë atij udhëheqjen e negociatave me Serbinë. Haradinaj duhet të vazhdojë të insistojë që kufijtë midis Kosovës e Serbisë të trajtohen njësoj si dhe kufijtë e tjerë të brendshëm të ish-Jugosllavisë.

Tani po shihet qartë pse ka insistuar Thaçi t’i udhëheqë negociatat me Serbinë. Krijimi i ekipit negociues me përbërjen që ka tani është i kotë. Thaçi mund të luajë me të si të dojë. Nëse vjen puna që Thaçi vërtet të largohet nga negociatat, është i nevojshëm rikompozimi i ekipit negocius.

Në një atmosferë më normale, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, do të duhej të ishte opozita ajo që do të formësonte opinionin e mirëfilltë politik, i cili pastaj do të gjente mbështetje më të gjerë. Opozita, për fat të keq, çalon si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë – mungon një ristrukturim i mirëfilltë në radhët e tyre që do t’i nxirrte si alternativa të besueshme për të udhëhequr.

Partitë në pushtet, në të dyja anët e kufirit, kanë dalë nga ish stalinistët, (nga Partia e Punës me ripagëzim doli Partia Socialiste, kurse nga LPK-ka, po ashtu me ripagëzim, doli PDK-ja, e cila paraqet një mashtrim të madh optik madje duke pretenduar se është parti politike me orientim të djathtë). Këto tashmë kanë krijuar përparësi në çdo aspekt, që nuk përmbysen lehtë, dhe e kanë betonuar pushtetin me elementë krejt të papranueshëm në një sistem demokratik. Demokracia, në të vërtetë, për palët në pushtet në të dyja anët e kufirit është vetëm një fasadë.

Në kohën e sotme, pa zhvillime pozitive në Shqipëri nuk mund të ketë zhvillime pozitive në Kosovë. Protestat e studentëve do të mund të ishin një fije shprese në këtë drejtim, po të mos përballeshin me përpjekje efektive të pushtetit për t’i topitur ato.

Thaçi e Rama me shokë duket se janë të vendosur ta jetësojnë marrëveshjen për Kosovën, të cilën në detaje e dinë vetëm ata, madje duke u përpjekur të shiten si krerë të padiskutueshëm të kombit. Nëse nuk ka organizim të opozitës duke përfituar pjesën dërmuese të popullit, marrëveshja Thaçi – Rama – Vuçiq – Soros etj. është e pandalshme. Do të jenë të kota thirrjet e çakorduara të deritanishme.

Sido që të ndodhë, edhe me opinione të kota, debate të kota, kritika të kota, diskutime e përplasje të kota në parlament, të cilat marrin në thumb lëvizjet antikushtetuese të një presidenti injorant, në kuptimin e njeriut ta paditur, pa dërgjegjshmëri, të pangritur dhe të  pasofistikuar, shqiptarët e Kosovës mund të kenë një pranverë të nxehtë këtë vit. Për arsye të tjera këtë mund do ta kenë edhe shqiptarët e Shqipërisë, Situata në Kosovë dhe Shqipëri mund të jetë paralajmërim i një pranvere shqiptare me epilog të panjohur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat