Banditët punësojnë banditë!

Opinione

Banditët punësojnë banditë!

Nga: Dren Dushi Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 21:11
Dren Dushi

Njëqind (100) punësime militantësh të PANA-s u bënë për 2 javë në PTK. Përkthyer në vota, mund të jenë rreth 500 sosh, përkthyer në ekonominë e PTK-së mund të jetë shtytja e fundit drejt falimentimit të saj, shumë të dëshiruar nga banditët që kanë planifikuar ta blejnë siç bënë me KEDS-in dhe ndërrmarje tjera punblike.  Sa i përket meritokracisë së vdekur në Kosovë, nisë nga logjika “soji i keq afron sojin e keq”, këto punësime, përfshirë ato në polici, e institucione tjera, ky fenomen, krijon depresion te shoqëria e gjerë, gjë që përkthehet në rritjen e tentativës për eksod edhe ky i fundit siç duhet i dëshiruar nga banditët.

Partitë politike shantazhuese dhe të shantazhuara, po e shtyejnë për “murri” njëra-tjetrën duke shpallur; “punësoj këta persona ose e rrëzoj Q   everinë”, persona që zakonisht janë të përkatësisë së “llozhës” së feudit të një rajoni të caktuar. Parti tjera (politike) po i bien fort e pa ndonjë takt punësimeve, me frikën se do të shkojnë shpejtë në shtëpi. Mirëpo, baza e problemit nuk qëndron te punësimi klientelë, sa qëndron te ajo se kush po i ndërton këto “klientela”. Teksa përveç zyereve, në administratën publike janë mbushur edhe korridoret me militantë, të cilët nuk dijnë ç’bëjnë tërë ditën vetëm sa enden nga një zyre në tjetrën, si tentativë për t’u inkuadruar më shpejtë te kolektivi që shikon me neveri atë ç’farë ndodhë, e që nënkupton degradim i çdo vlere profesionale, kolegiale e besa edhe sociale në përgjithësi.

Janë bërë të zakonshme lajmet kur policia e shtetit neglizhon, merr pjesë në krime, shantazhon e dhunon deri të fëmijët e shkollave. Po aq të zakonshme janë bërë edhe mësimdhënës pedofilë siç qe rasti i fundit në Drenas. Fëmija teksa abuzohet në shkollë, ku edhe drejtori e shumica e stafit janë klientelë e banditëve, nuk ka ku të drejtohet, madje as në polici, ku do të hasë edhe aty ndonjë bandit të punësuar nga banditët. Banditi i fundit, me uniformë policore, dhunues pedofil, tashmë pas një hulumtimi e publikimi të mediave, është arrestuar. Kjo mbase edhe është arsyeja pse mediat që po i luftojnë këto fenomene po shpallen si tradhëtare, të Beogradit e tjera sharlatanizma nga eksponentë të banditëve.

Asnjë fëmijë nuk është i sigurtë, asnjë adoleshent. Prindërit duhet të jenë të alarmuar, madje, tashmë që sigurinë po e cënon fuqishëm edhe mekanizmat tonë të sigurisë, qytetarëve nuk i mbetet tjetër pos marrjes përgjegjësi në duar të veta për sigurinë e tyre dhe fëmijëve të vet. Kjo gjendje njihet si dështim total i shtetit, e ky dështim nuk ka si të mos jetë bërë, mjafton të shohim përfaqësimin në Kuvend, një Kuvend shanzazhi publik, kërcënimi e shit-blerjeje.

Kush punon për këtë skemë?

Po që se realizohet eksodi i qytetarëve, dhe mbeten vetëm banditët dhe të punësuarit e tyre, anipse Kosova do të jetë një vend “njeriu për njeriun ujk”, por që në rastin e degradimit total të vlerave civilizuese gjendja do të jetë më shumë “ujku, ujkun nuk e han”, një shtet kriminal që edhe mund të ç’bëhet totalisht, atëher do të realizohet edhe plani i shërbimeve sekrete serbe. Serbët, apo thënë më mirë mekanizmat e tyre politike-propaganduese e të sigurisë, do të punojnë fuqishëm që rinia e Kosovës të ikë nga Kosova, e pjesa e mbetur të radikalizohet. Banditët tanë, kanë besim që Brukseli dhe SHBA-të do t’i amnistojnë (meqë ata nuk kanë problem me sistemin qesharak gjyqsor të Kosovës) sepse ata vazhdimisht do të shesin diçka nga Kosova, dhe se eksodi do t’i bëj të ndihen rehat nga presioni elektoral, të cilin fundja edhe e shtrembërojnë me pak para (miliona gjithësesi).

Kosova rrugën e vetme drejt civilizimit e normalitetit e ka nëse në politikëbërrje e merrje, angazhohen shumica dërmuese e qytetarëve të saj. Por ka edhe një mundësi tjetër të cilën unë e shpallë fatkeqe, arratisja nga Kosova. Kjo e fundit, do duhej të zëvendësohej me një arratisje nga indiferenca, mos-aktivizmi, injorimi e mos-pjesëmarrja në politikë. Të merresh me politikë nuk do të thotë që je bërë menjëherë politikan. Gjithësesi, ata që i’a kanë mësyer perëndimit mund të më mbushin me argumente të pa-kundërshtueshme për vendimin e tyre. Çështja është se a mund ta ndryshojmë këtë gjendje, apo thjeshtë ta braktisim Kosovën e banditëve dhe amnistuesve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat