Kur zien “Kazani”, Qeveria perfeksionon retorikën e radhës… - Bota Sot
Kur zien “Kazani”, Qeveria perfeksionon retorikën e radhës…

Opinione

Kur zien “Kazani”, Qeveria perfeksionon retorikën e radhës…

Nga: Fran Kamshi Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 19:07
Fran Kamshi

Teksa Oborri Blu ka paralajmëruar një demonstratë “cunam” me 16 shkurt, që do ta bëjë Edi Ramën të marrë valixhet (?!)…Qeveria perfeksionon retorikën e radhës, flet për rritje ekonomike dhe standarde të reja euratlantike etj.

Shoqëria shqiptare teksa endet në një tunel pa krye, më në fund e ka kuptuar se tash tre dekada është keqpërdorur nga klasa politike, e cila në gjithçka ka qenë antipodi dhe antimodeli i gjithçkaje të denjë, finike e progresive në këtë vend. Pra, po bëhen tridhjetë vjet që vendi dhe shqiptarët gjenden në luftë me absurdin dhe të imponuar, që ky absurd të bëhet mënyra e jetesës së tyre. Por, durimi i kaloi të gjitha limitet, për të mos e pranuar këtë anarshi “demokratike”, më shumë se sa një bashkëjetesë të ardhur prej hallit. Studentët shpërthyen, naftëtarët shpërthyen, biznesmenët e vegjël shpërthyen, atsirasit shëpërthyen, çdo cep i Shqipërisë, nga qendrat urbane në zonat më të thella rurale zien llavë “kazani”, por jo “Kazani” I Kryeministrit tonë, një kazan tjetër, kazani i revoltës dhe demonstrimit gjer në fund për të drejtën e nëpërkëmbur.

Çdo ditë e çdo natë u tejngopëm me skenare skandalesh e lajme për humbje jetësh njerëzore, përdhunime, abuzime me skenarë qeveritarësh  dhe dëme të tjera të pallogaritshme, ndërsa politikanët e sajuar prej demokracisë së premtuar, të ndarë në llogoret e luftës pozitë e opozitë, kanë qëndruar ballë për ballë: Të parët, duke kërkuar me çdo kusht vijimin e qeverisjes dhe të dytët po me çdo kusht, marrjen e pushtetit, që ditën e dytë të rënies prej tij. Ky duel ka bërë që shoqëria shqiptare të jetë përsëri nën efektin e kujtesave të së kaluarës së afërt, kur ajo u traumatizua nga deliri kolektiv i dhunës, i vënë në veprim nga politika dritëshkurtër dhe pa vizion. Tani pas kaq shumë kohësh (pas tre dekadash), lindin pyetjet si shqetësim i shumë njerëzve: Si do të vazhdohet më tej? Ku po shkojmë kështu ne shqiptarët? Akoma do të vazhdojmë të endemi në tunelin e errët të instinkteve tona të egra, të dhunës dhe delirit të pafre!?... 

 Një gjë e dimë mirë, pasi e shohim, e përjetojmë, e ndiejmë çdo ditë, me një fuqi kërcënuese deri në asfiksim: ne vërtitemi në një tranzicion pa krye, në një rreth të mbyllur, vicioz, ku kjo politikë delirante e futi veten dhe vendin në batak, deri në papërgjegjshmëri, pa e ditur askush, se kur do të shohim ndonjë fjollë drite në horizont.

 Me gjithë trumbetimet e fryra të integrimeve euroatlantike në podiumet e radhës të politikës së pushtetmbajtësve shqiptarë, sipas të cilëve ne jemi vendi i rritjes ekonomike, pa kriza dhe varfëri, etj. e vërteta është se tash tridhjetë vjet ne vërtitemi thuajse në një jerm ekonomik e social, në një krizë politike, për fat të keq, ne gjendemi në një faliment të pashpallur, edhe pse kemi shitur të gjitha asetet publike e gjithçka nga pasuria jonë kombëtare, duke e kthyer në vlerë tregu, pa iu nënshtruar principeve të një strategjie kombëtare zhvillimi, siç ndodh në një vend normal.

Në të njëjtën kohë dhe vazhdimisht gjatë këtij tranzicioni primitiv, qeveritë "demokratike" na kanë ngopur me shoë, festa elektorale e lajme pafund, me sukseset e bujshme të Shqipërisë europiane, me lirinë dhe reformat pafund e pa krye, me performancën si fjalë magjike e "shanset" e mëdha për të gjithë shqiptarët. Sidomos qeveria e re “socialiste”, që po mbush vitin e gjashtë të (mos)ekzistencës tonë, e ka bërë normë dhe moral shfaqjen nëpër ekranet e televizioneve, të shoëmenë-ve të saj, të cilët përpara se të vinin në postet e larta qeveritare, studionin shkollën e djallit (Sorosit), ndërsa populli vuante krimin dhe padrejtësinë e regjimit të Berishës, dhe disa prej nesh luftonim e bëheshim qesharakë, ngaqë ishim në krahun e të vërtetave të mëdha të popullit shqiptar.

Në vend të një strategjie ku të duken qartë shinat mbi të cilat mbështetet zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e popullit, shteti shqiptar i këtyre 30 viteve ka ndjekur vetëm rrugët e taktikave "krizë - antikrizë", që kanë çuar tek strategjia manipuluese e pushtetit: për ta marrë atë kur klanet janë "opozitë", ose për të mos e lëshuar kur janë duke i shijuar privilegjet e pushtetit të tyre abuziv. Tani, pas kaq kohe zhgënjimi kolektiv, populli i vetëndërgjegjësuar duhet t'i thotë politikës, mjaft më me taktika e manovra të tilla pa krye! Mjaftë me shtetin elektoral të numrave të fëlliqur, të ndërtuar për të tërhequr popullin rreth vetes si të jetë një turmë delesh, për ta llogaritur sërish nesër në kutitë e votimit, vetëm për fuqinë tuaj politike! Së fundi, do të thosha, mjaft më me aksione goditëse e shkatërruese, reforma e rireforma shkatërruese, kur na duhet ndërtimi i Shqipërisë, puna e përditshme menaxhuese e qeverisëse, mbrojtëse dhe në interes të masave të gjëra popullore, që aktualisht vuajnë plagët e shkaktuara prej politikës (pozitë-opozitë), të tridhjetë viteve të fundit.

Në fakt, politikanët "tanë" kanë të drejtë që regresin e shoqërisë të na e shesin për sukses, sepse më shumë se sa mjeshtëri e shtetit, ky është difekti i shoqërisë tonë, që ka mbetur inaktive e spektatore, me shpresë e besim të pafundëm tek njerëzit që uzurpuan pushtetin e saj prej viteve '90, duke e vënë gjithçka në shërbim të grabitësve të huaj e vendas. Pra, më shumë se sa mjeshtëri e shtetaxhinjve është mungesë e theksuar e emancipimit të shoqërisë shqiptare, që jo vetëm pajtohet me "demokracinë" dhe absurdin e ndërtuar për 30 vjet me radhë, por akoma nuk e ka kuptuar se pa reagim të fuqishëm popullor nuk mund të ketë pushtet të popullit dhe asnjëherë nuk mund të ketë qeveri të mirë në këtë lloj sistemi. Por politika gabohet, teksa na quan dele apo mendon, që e gjunjëzoi popullin shqiptar!... Si mund të konsiderohet shoqëria shqiptare akoma turmë?!...

Përderisa akoma mungon shoqëria aktive dhe e emancipuar, që të shpreh qartë tendencën e orientimit drejt dëshirave e qëllimeve të saj, politikanët dhe "miqtë" e shumtë, në vend që të obligohen drejtë asaj tendence, bëjnë të kundërtën, imponohen dhe bëhen padronë të popullit, i cili jo rrallë herë kënaqet me sjelljet e ashpra të makinerisë shtetërore dhe me debatet që vijnë më pas, duke u mbërthyer pas opinioneve pafund e pa frut. Pas kaq shumë vitesh të ngërçit politik, ku rrethi vicioz ku është futur politika duket qartë, besoj të kemi kuptuar se u mbyll cikli i gjatë i kësaj politike perverse dhe duhet të injorohet e ndëshkohet prej popullit të mbetur jo vetëm i braktisur, por edhe i tallur e i fyer rëndë prej kësaj loje çerekshekullore. Megjithatë, zhurma dhe buja e pamoralshme vazhdon, dhe ne pyesim sërish, si të jemi naivë e të pafajshëm: Përse kaq shumë zhurmë dhe bujë, prej këtyre kompradorëve?!... Çfarë të këqijash dhe rreziqesh fshihen pas skenareve të tilla?... Përse u dashkan kaq shumë forca policie, dhe dhjetra e dhjetra mjete e automjete të blinduara për të bërë zap fshatra e qytete në revolt, hallexhinj të revoltuar, kur duart që lëvizin paligjshmërinë dhe antiligjin janë në pushtet (pozitë e opozitë)? Përse gjithë vëmendja e qeverisë, mediave, popullit dhe e botës ka me vite të tëra, që mbahet tek zallamahia ndaj krimit, tritolit, drogës e shkatërrimeve? Përse nuk punohet çdo ditë dhe nga të gjitha ministritë, dikasteret e administrata shtetërore, sipas detyrave funksionale, por fshihen pas skandalesh, krizash e mbyllje krizash, “investimesh private” e fatkeqësish natyrore? Përse prishje e shkatërrime pronash, dënime qytetarësh e burgosje, mbyllje aktivitetesh dhe asnjë gjemb në këmbë për përgjegjësit pushtetarë të këtij tranzicioni “anadollak” PS-PD-LSI?! Përse, gjithnjë humbet djersa e popullit dhe paguan shoqëria?!

Kjo sherr-zhurmënajë e pafund, bujë e skandale kudo, vjedhje e vrasje pafund, shpërthime tritoli e përdhunime, me sherre e zënka në parlament e terren, në media dhe në mendjet tona, do të na shitet si shpëtim e sukses, si mundësi e garanci, për ta çimentuar edhe më tej skllavërinë tonë përmes “zgjedhjeve” të radhës!

Prona publike dhe ajo shoqërore, pasi janë grabitur ditën për diell dhe kthyer në biznese të klaneve të lidhura me politikën, janë fshirë nga fjalori i përdorimit të përditshëm. Ende sistemi i vlerave nuk është i vetmi sistem i vlerësimit të individit në shoqërinë shqiptare. Politika, në vend që të jetë një promotore e progresit të gjithanshëm, me mefshtësinë, konfliktualitetin, botën e interesave të ngushta fisnore e klanore, i ka shërbyer dhe vijon t’i shërbejë të kundërtës, frenimit të kohës së shqiptarëve në kohën europiane dhe më gjerë.

 

Tranzicioni nisi si një hymn i “terapisë shok”, nën marshet antikomuniste dhe ende duket se nuk ka sosur vrulli i turmave të keqpërdorura për të shkatërruar gjithçka nga vlerat e socializmit, por pa mundur dot të ndërtohet thuajse asgjë. Akoma fajin e ka komunizmi, për ata që shkatërruan dhe grabitën djersën e shqiptarëve, për ata që mbetën zbuluar brenda pisllëkut të tyre.

Ky tranzicion ishte dhe mbetet një proces i gjatë në udhëkryq, pasi nuk arriti, që të projektojë një vizion të qartë të funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, në kushtet e demokracisë së pretenduar. Ai filloi si proces kompleks i shkatërrimit të së vjetrës dhe krijimit apo adoptimit të institucioneve te reja, por në emër të këtij “revolucioni” u përligjën vjedhjet, abuzimet, privatizimet e paligjshme, shkatërrimi i pronës së grupit dhe asaj publike, privatizimet pa kriter ose me kritere interesash klienteliste etj. Shkurt u përligj instalimi i shtetit kastë apo i shtetit klan, që nxjerr ligje dhe funksionon thjeshtë për të mbrojtur interesat e ngushta të Oborreve Politike. Projektimi i reformave dhe institucioneve u orientua drejt qëllimeve politike (pa bërë politikë kombëtare, por thjeshtë politikë të grupeve të interesave të ngushta afër selive të dy partive kryesore). Reforma ishte më e shpejtë në fushat ku kostoja politike ishte më e vogël. Tranzicioni ekonomik filloi me ndryshime rrënjësore të sistemit politik. Reformat ekonomike filluan në kushtet e një kolapsi total ekonomik, në kushtet e një mungese të ekzistencës dhe dobësive institucionale. Pra, ky tranzicion, me synim thellimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë provoi të ishte një dështim i plotë. E vetëquajtura politikë dhe klasë politike e këtij vendi (themi e vetëquajtura, pasi në fakt nuk kemi të bëjmë me parti politike por me grupe interesash të ngushta private) nuk arriti të na jap ne shqiptarëve një shenjë të ndërtimit të një shteti demokratik, sipas parimeve të njohura ku përparësi kanë përmbushjet e nevojave sociale të shtresave të nëpërkëmbura të shoqërisë.

Sot, ndërsa politika dhe mafia shqiptare e ndërkombëtare inkurajon largimin e shqiptarëve, që të sundojnë e mbretërojnë në qetësi, ndërgjegjja e shëndetshme e kombit bën apel të rezistojmë e kundërshtojmë politikën skllavëruese për shqiptarët. 

Shkurt, e thënë troç, në Shqipërinë tonë politika e mbaroi ciklin e vet!... Këtu, dështoi ndërtimi i një shteti me kapacitetet e duhura të qeverisjes në mënyrë efektive, pasi këto qeverisje të ricikluara në mënyrë sistematike, duket se ndeshën në ekzistencën e një rrjeti të fortë grupesh të interesit, të cilët e kanë marrë dhe e mbajnë peng jetën e këtij vendi. 

Pra, shoqëria shqiptare, nën okelion e politikave të ditës, të trumbetuara nën sloganet euroatlantike, shpesh, është ndier e braktisur në vizionin dhe ëndrrën e saj, për një Shqipëri ndryshe. Pas ngjarjeve të kobshme të vitit ’97, që e tronditën imazhin e sistemit të ri, duke krijuar alibinë e dhunës, shkatërrimit, djegieve e grabitjeve ditën për diell, shqiptarët e patën të vështirë të kuptonin raportet me shtetin dhe politikën e vendit të tyre, pasi nga të dyja këto ata u ndien dhe vijojnë të ndihen të tradhtuar. Shteti i tyre, duke u shkërmoqur brenda pak kohësh, si kështjellë me rërë, la tek ata shijen e trishtë të pamundësisë për t’i mbrojtur nga pjesa e errët e vetvetes dhe nga mekanizmat diabolikë të vënë në veprim nga të tjerët. Klasa politike humbi vizionin e çdo idealiteti të mundshëm dhe këtij errësimi i shërbeu aventura e protagonistëve të saj, aq të përfolur për korrupsion e keqpërdorim të besimit publik. Qeveritë e ndërruara me radhë prej të quajturve të majtë apo të djathtë, synuan vetëm pushtetin e tyre dhe i lanë përpjekjet për ta nxjerrë shoqërinë shqiptare nga tuneli i krizës, duke mos dhënë asnjë rezultat, të paktën si imazh i qëndrueshëm dhe progresiv tek shqiptarët. 

Pra, pretenduam dhe dëshiruam shumë, të ndërtonim një shoqëri të hapur, por kjo shoqëri mbeti duke u vërtitur brenda një rrethi të mbyllur e vicioz, pa kahje dalje nga ky qerthull. 

Koha vërtetoi tashmë, se vendi dhe qeverisja nuk drejtohen me batuta e barsoleta si në këto 30 vjet "demokraci", por duhet Program politiko-qeverisës, qartësi politike e profesionale, diskutim i gjerë, dhe kolegjialitet në vendimmarrje! Koha vërtetoi, se me gënjeshtra e mashtrime, me dhunë e terror, nuk mund të vendoset paqja dhe harmonia sociale. Pikërisht kjo kohë, më bën të besoj se tashmë populli ka ndryshuar dhe ndërgjegjësimi po rritet dita-ditës, si hapi i parë i Rezistencës kundër Padrejtësisë, që kjo "klasë politike" ka mbjellë! Demonstrimet studentore e treguan këtë. Demonstrimet kolektive që kanë nisur në mbarë vendin po e tregojnë këtë. Ka ardhur koha që kjo klasë politike, tashmë e falementuar, të shkojë me pushime të gjata, t’ia lërë vendin një klase të re politike, një brezi tjetër, një mendsie tjetër, që ti përgjigjet nevojave të ngutshme të shqiptarëve për një raport të ri të tyre me vetveten dhe politikën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...