Të jesh peng i gjeopolitikës

Opinione

Të jesh peng i gjeopolitikës

Nga: Fadil Lepaja Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:17
Fadil Lepaja

Ne nuk jemi vetëm “shtazë politike”. Ne jemi edhe popull politik. Jo sepse veprojmë politikisht, por se rrimë politikisht. Rrimë këmbëkryq në politikë. Unë, ti, ai... të gjithë.  Por, të e marrim pak me gramatikë, këtë çështje. Te zgjedhojmë politikisht, për shembull, foljen e cila shprehë më së miri aktivitetin tonë kolektiv, politik. Pra, unë rri, ti rri , ai ose ajo (po) rri. Ne rrimë, ju rrini, ata/ato (po) rrinë.

E çka me bë tjetër, do të pyesni ju, të cilët më mirë se gjithkush tjetër në këtë planet e kuptoni se çka do me thanë të jesh peng i gjeopolitikës. Kështu, kur gjeopolitika e mbërthen njeriun e vogël, ai çmendet, sepse nuk e përballon dot rëndësinë që e ka fituar në marrëdhëniet  globale. Peshë e madhe të jesh “sui generis”! Kurrë më nuk funksionon si popull i zakonshëm. Kurrë më nuk do të zgjedhësh përfaqësues që të shërbejnë, do të zgjedhësh vetë ata të cilëve do të u shërbesh.

 Liderët jo, nuk e kanë problem, “Sui generisin”,  përkundrazi ata e jetojnë madhështinë. Në fund të fundit, nga buxheti i paguajnë të gjitha. Qytetari, i mësuar me rëndësinë e vet globale, ndërkohë që as në lagje nuk e pyet askush, do të votoj gjithnjë një që di të mashtrojë më së mir, që u rri më krah më të mëdhenjve të globit, që ha në tryezën e tyre.

Paguajnë, nga buxheti, madje edhe mbretin për me i sha në vesh.

Tash, e shanë, e lavdëruan, apo i than diçka krejt kot, në vesh, dhe me kaq e bënë faktor politik, hyri në lojë. Çka i tha mbreti, apo presidenti (Trump, apo Putin) në vesh, është pyetja një milionëshe, të cilën duke e analizuar bosët lokal të mediave, janë bërë milioner. Të gjitha, nga buxheti. Shteti të bënë atë që je!

 Këto pyetje vërtetë kushtojnë aq shumë, nuk është vetëm çështje retorike. Çka i tha ky apo ai president, presidentit tonë? Nga kjo varet se çka ke me hangër për mëngjes, drekë dhe darkë, apo cilat këpucë ke me i mbathë, me kusht që të mos i kesh të vetmet.

 Pak ju duket? Krejt vëmendja e mediave kalon prej halleve reale, prej mundësive reale të qytetarëve , në teren spekulativ. Këtu, gjithçka kufizohet veç me imagjinatën. Faktorizimi vjen  si rezultat i adrenalinës që nxitë dhe i pafuqisë së tjerëve me ikë prej temave që u imponon.

 Ke krijuar distancën nga qytetarët? Ke gjetur formulën për të futur të gjitha shpenzimet personale, familjare dhe të lagjes tënde politike, në buxhet? Ke arritur të i bindësh të qytetarët se ndodhen aty për të  shërbyer, për shkak të meritave gjithsesi?

Nejse, nuk kam dyshime për politikën tonë. Për gramatikën, politike, po. Mund edhe të mos e kem zgjedhuar mirë foljen rri, por sido që të jetë, një popull i tërë po rrimë e po presim çka po bëhet. Dikur rrinim sepse s’kishim institucione, nuk kishim fuqinë e shtetit në duar tona. Sot e kemi shtetin, por edhe shteti po rri, bashkë me neve këmbëkryq, e po pret çka po bie prej qielli, çka po na njohin, çka po na lejojnë, çka...! J

Jemi popull i varur, i dehur nga gjeopolitika. Në kafenetë lokale , të gjithë merren me gjeopolitikë. Edhe me strategji. Kur të zë rakia, këndellesh pas një kohe. Kur të zë politika, nuk këndellesh kurrë.

Lepuri ynë politik, e ka rakinë e keqe. Kjo e ka kuptimin se, kur lepuri dehet, e bënë kiametin vet.  Madje, këto veprime mund të kualifikohen si të pabesueshme, edhe për vet, atë. E kapërcen edhe hijen e vet, në përmasat më të frikshme. Askush nuk e ndalë, lepurin e dehur, i cili e bënë kiametin në çdo llaf për kufirin.

Kështu , kur është i dehur lideri, popullit i dhemb koka . Disa për shembull nuk janë esëll kurrë. Kjo shpesh ndodhë të jetë arsyeja që të jenë  instaluar  janë pozita luftarake të politikës. Kështu popullin e kemi vazhdimisht me kokë dhimbje.

Cilado që të jetë metafora, kësaj radhe ishte dehur vërtetë keq.  Kur i doli pija, e pa se kësaj radhe e kishte  bërë namin. Dy ujq të zi,  të egër, dergjeshin pranë njëri tjetrit, të përgjakur. Nuk ishte më thjesht veç një status në rrjetet sociale, ku rridhnin lot dhe gjak virtual.

Pra dy ujq,  e kafshuan aq rëndë njëri tjetrin në përpjekje për me e hangër lepurin, sa që të dy ngordhën politikisht, pranë tij. Kur i pa, ashtu  të gjakosur politikisht të dy ujqërit që dergjeshin te këmbët e tij, i tha vetes me ton shumë serioz, ” Nuk guxon të dehesh kurrë më kështu”!  E sheh çfarë bënë kur dehesh? Nuk je i vetëdijshëm për fuqinë tënde globale? Nuk bënë të përdoret kjo fuqi në lagje!

Dehu dhe krijo probleme, është motoja legjendare e Lepurit tonë, të dehur! Krijo probleme të cilat nuk zgjidhen asnjëherë. Kështu faktorizohet një lider. Bëhet i domosdoshëm , sepse askush se di si ka filluar në fakt problemi. E një problem që nuk ka një fillim të logjikshëm, as fundi nuk i gjendet me logjik.

Një popull që fle vdes, na trishtonin dhe frikësonin rilindësit tonë dikur. Përkundrazi. Asgjë si një gjumë i mirë politik, si një dimër i mirë politik. Bëje Zot, ëndërr! Pranvera gjithnjë vjen, vet! Përse me u sforcua kot. Te ne, në vend të pranverës, vjen marsi, sërish. Të gjitha shenjat thonë se do të na gjejë sërish të dehur, nga gjeopolitika. Askush nuk do të merret as kësaj pranvere me punë të fushës, as të shpisë...!

Ani, na ushqen shteti! Po shtetin, kush do e ushqej?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat