Komunikata e rrezikshme numër 59 - Bota Sot
Komunikata e rrezikshme numër 59

Opinione

Komunikata e rrezikshme numër 59

Nga: Xhafer Shatri Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 00:18
Hashim Thaçi dhe Gani Geci

Televizioni publik është në rrugë të sigurt për t’i ngjarë si veja vesë televizionit verikorean. Pushtetarët tanë, sa herë kanë problem me atë që Jungu e quan domosdoja e kompensimit, i gjuhen RTK-së. Sepse aty kalirojnë mbarë e mbrapshtë pa dro se dikush ju shtron pyetje të pakëndshme. Në intervista të tilla shihet qartas parapërgatitja skenike dhe pyetjet e porositura. Kur ai që luan rolin e gazetarit tejkalon la mis en scène, atëherë mjafton një rrudhje syri ose një mërrolje vetullash e shefit të shefit të shefave që ai të tërhiqet me grimasën e fajësisë.

Kjo u pa edhe në intervistën e Hashim Thaçit dhënë, nga zyra e tij, RTK-së, më 12 shkurt 2019. Ishte një vjellje publike e shëmtuar e injorancës dhe hipokrizisë. Çuditem se si këshilltarët e tij e lejojnë të bëjë gafa të tillë. Por, fundja edhe ata janë banorë të të njëjtës kënetë morale.

Meqë taksa ndaj Serbisë tashmë është bërë këngë për lahutë, Thaçi e drodhi zërin deri në shterrje, duke folur 30 minuta për diçka që do të mjaftonin tri fraza me vetëm një kryefjalë. Jam krejt i sigurt se Amerikës i dhëmbin veshët nga serenatat e mujsharëve që e dijnë zezëditën që po i pret.

Por, të merremi vesh, qëllimi i intervistës nuk ishin taksat. Ishte një hall tjetër i kahershëm që lidhet me luftën dhe rolin destruktiv të Hashim Thaçit në të. Ishte halli i komunikatës famëkeqe numër 59 që mbante firmën e të ashtuquajturit Shtab i përgjithshëm i UÇK-së. Kjo komunikatë, si duket është objekt i Gjykatës speciale dhe, si shumë të tjera, edhe kjo fletërrufe e shëmtuar i atribuohet Hashim Thaçit, këtij përçarësi të paskrupull të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.

Për çka është fjala? Në një konflikt mes Gani Gecit dhe Abedin Rexhës, Sandokanit, të nxitur sipas të gjitha gjasave nga Hashim Thaçi, më 7 tetor vritet Abedin Rexha. Si Geci, si Sandokani, nga ato që dihen deri tash, kanë qenë luftëtarë të vendosur për çlirimin e Kosovës. Mirëpo Gani Geci, aktivist i LDK-së, me disa mbështetës të tij, disa vite më parë, kishin bërë një ‘gabim’: e kishin penguar Hashim Thaçin që, përmes një komploti të tejdukshëm, të bëhet kryetar i Forumit rinor të LDK-së për komunën e Skënderajit, kështu që personi i njohur me nofkën Gjarpni, nuk e kishte harruar këtë disfatë, prandaj edhe ishte përpjekur gjatë luftës dhe pas saj ta eliminonte fizikisht Gani Gecin. Ishte kjo një hakmarrje primitive që u kushtoj me jetë disa personave.

Komunikata numër 59, e botuar më 31 tetor 1998 në gazetën “Bota e Re“, të cilën, asokohe, e redaktonte i biri i njërit prej agjentëve më të rrezikshëm të KOS-it (Shërbimi sekret ushtarak serb) në komunën e Istogut, demonizonte Gani Gecin, duke e shpallur atë dhe familjen e tij si njerëz të Serbisë, ndërsa Ganiun edhe si bashkëpjesëmarrës në ekspeditat ndëshkimore të policisë serbe kundër shqiptarëve. Ishte ky një kafshim i pabesë prej gjarpni që i hapte rrugën një lufte vëllavrasëse në orët më të liga të Kosovës.

Por ajo që nuk e priste Thaçi ishte se kundër kësaj komunikate shpifëse, më 5 nëntor 1998, dolën të gjithë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit (11 veta), disa prej të cilëve, njerëz shumë të afërt të Thaçit, duke nënvizuar se Geci, një luftëtar aktiv që prej ditëve të para të kryengritjes së armatosur, e kishte vrarë Sandokanin në rrethana të vetëmbrojtjes së domosdoshme.

Familja Geci, një familje e madhe dhe e njohur gjithandej në Drenicë, e prekur padrejtësisht në nder e në sedër, nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të korrigjohej kjo shpifje denigruese me kërkim falje publike.

Iu desht të durojë e të presë mbi 20 vjet për këtë akt të thjeshtë dhe detyrues për çdo njeri me minimumin e skrupujve moral. Sepse atë që Hashim Thaçi ka mundur dhe e ka pasur për detyrë ta bëjë me mijëra herë e bëri vetëm atëherë, kur i trokiti në derë rreziku real i Gjykatës speciale.

Thaçi në RTK, me atë fjalorin dhe sidomos sintaksën e tij fukaré, përtypte dhe përsëriste me vështirësi fjalët e mësuara përmendsh:

“… Gjatë luftës kanë ndodhur abuzime të individëve të caktuar… me luftën e UÇK-s, me emrin e UÇK-së me emra të individëve të caktuar nga Ushtria Çlirimtare… janë lëshuar komunikata apo deklarata edhe nga bahnofa jashtë vendit për të përçarë UÇK-në, për të përçarë ushtarët e UÇK-së, për të krijuar konfuzion në opinionin publik por edhe për të cënuar njerëzit…, ka pasur deklarata e komunika që kanë qenë krejtësisht në kundërshtim me vullnetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…

Por për të përmendur rastin konkret, komunikatën 59 që përmendet në opinion është një komunikatë abuzuese që nuk i takon UÇK-së është nxjerrur nga individë keqbërës dhe pa dijeninë e Shtabit të përgjithshëm… është lënduar luftëtari i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuptimin moral dhe kombëtar Gani Geci dhe familja e tij, prandaj shprehi ndjesë dhe keqardhje pse kjo gjë nuk është sqaruar deri me tani se ajo deklaratë dhe disa të tjera, e ka pasur deklarata apo komunikata që janë nxjerrë me lista të tëra të njerëzve të politikës së Kosovës duke filluar nga Ibrahim Rugova duke i rrrezikuar, duke i kërcënuar që kanë qenë vërtetë deklarata abuzuese të njerëzve keqbërës… “

Disa trabantë të Thaçit këtë mea culpa u përpoqën t’ia shesin opinionit të traumatizuar si burrëri. Por ky pranim i stërvonuar dhe i nxjerrë me një kërcënim serioz penal mund të jetë çdo gjë, por burrëri kurrsesi jo. Llogaritë e Hashim Thaçit ishin të kalkuluara mirë, ai me këtë gjoja kërkimfalje shpresonte të evitojë disi që Gani Gecin, një njohës të mirë të rrethanave dhe të luftës në Drenicë të mos e ketë si dëshmitar në Gjykatën speciale.

Por t’i kthehemi komunikatës së ‘famshme’: të gjithë njohësit e rrethanave e dijnë se kjo komunikatë dhe përplot të tjera që turpërojnë çdo Lëvizje Atdhetare ose janë shkruar ose janë diktuar nga Hashim Thaçi, alias Gjarpni. Personalisht. Shpejt opinioni publik, përmes Gjykatës speciale do të mësojë edhe gjëra të tjera të ngjashme poaq të neveritshme.

Vlen të përmendet gjithashtu se, bashkëluftëtarët e Thaçit, Jakup Krasniqi e Bardhyl Mahmuti, intervistën e tij në RTK e komentuan si një përpjekje për të shfajësuar vetën. Jakup Krasniqi pohoi se: “Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë…“

Ndërkaq, Bardhyl Mahmutit, pas intervistës në fjalë, kishte pasur një bisedë me Gani Gecin. Në thelb edhe Mahmuti mohon çdo autorësi të kësaj komunakte dhe për intervistën e Thaçit thotë se : “Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.“

Për këtë çështje të mprehtë, para dy vitesh dha detaje edhe një njohës tjetër i mirë i rrethanave të luftës në Drenicë, gazetari e deputeti Milaim Zeka. Familja Geci, duke iu referuar Zekës ka pohuar publikisht se tre dëshmitarë: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj konfirmojnë se komunikatën numër 59 e ka shkruar Hashim Thaçi. Sipas Milaim Zekës, Hashim Thaçi ia ka lexuar Rexhep Selimit në telefon satelitor komunikatën nr. 59 dhe Rexhep Selimi i ka thënë Thaçit se këto shpifje unë nuk i përkrah ndërsa Hashimi ia ka kthyer „e di por po du me ja futë“.

Meqë po flasim për komunikata, nuk duhet harruar edhe një gjë. Përcjellësit e procesit të montuar politik që po mbahet tash disa muaj në Prishtinë kundër Murat Jasharit, Sadri Ramabajës etj., si pjesëtarë të të ashtuquajturit grup “Syri i popullit“ kanë vërejtur të përvijohet një tendencë diabolike e Prontomafisë që autorësia e komunikatave të pakëndshme, përfshi edhe këtë me numër 59,  t’i faturohen Sadri Ramabajës.

Para dy vitesh, Hashim Thaçi, u përpoq ta davarisë edhe një dyshim tjetër poaq të rrezikshëm në një procedurë penale. Fillimisht ai u zotua se ishte i gatshëm, sipas kanunit, të bënte be me 124 pleq për të dëshmuar pafajsinë lidhur me vrasjen mizore të Haki Imerit, të cilin, më 2 nëntor 1999, duke u kthyer nga shkolla ku punonte e arrestuan tre ‘ushtarë’ të UÇK-së. Atë e dërguan në mal e torturuan mizorisht dhe në fund e vranë dhe e dogjën. I vetmi faj i Haki Imerit ishte se ai ishte aderues dhe aktivist i LDK-së.

Familja e tij vite me radhë ka drejtuar gishtin drejt Hashim Thaçit si nxitës të këtij krimi.

Vëllai i Hakiut, Imeri, gjatë luftës është arrestuar nga Sabit Geci në Shqipëri dhe është mbajtur atje disa muaj nëpër burgje të improvizuara ku edhe është torturuar mizorisht nga Sabiti dhe banditët e tij. Imeri, një burrë i zgjuar e i guximshëm ka bërë të pamundurën për të zbardhur vrasjen e të vëllait dhe kur e pa se kjo është e pamundur, sepse drejtësia në Kosovë është kryesisht vullnet i Prontomafisë, përdori zgjuarsisht frikën e Thaçit nga ‘Specialja’, i mori një dekoratë të detyruar  “Hero i Kombit“ për vëllain e vrarë dhe, çka është më e rëndësishmja, edhe një skenë të emetuar në televizion, kur Thaçi shkoi vetë, gjoja për nderime, te varri i Haki Imerit.

Ishte një pamje e paharrueshme që të përkujtonte filmat e Hiçkokut, sidomos momentin kur vrasësi kthehet në vendin e krimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...