Ku jemi nisë, ku jemi duke shkuar? - Bota Sot
Ku jemi nisë, ku jemi duke shkuar?

Opinione

Ku jemi nisë, ku jemi duke shkuar?

Nga: Sahit Shala Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 20:33
Sahit Shala

S’do mend se çdo shqiptar e di se nuk është e domosdoshme të jesh as historian dhe as analist që të thuash disa fjalë për historinë tonë të lavdishme. Ne dikur ishim komb i mbarë, komb i fjalës dhe i besës, i burrërisë, i pushkës e i penës dhe kaluam vështirësi e vuajtje nga më të vështirat në historinë e kombeve të Ballkanit, e ndoshta edhe më gjerë. Edhe pse ishim të rrethuar nga armiq nga më të tmerrshmit, gjithmonë ia dolëm me shumë fisnikëri të shkruajmë faqe të ndritshme, të lavdishme dhe të shumta në historinë tonë kombëtare për të na e pasur lakmi edhe vetë Evropa dhe më gjerë.

Që në kohën e Motit të Madh (shek. XV), pra në kohën e kryetrimit tonë-Skënderbeut, ne shqiptarët prore ishim një grusht i fortë dhe armiqve që na suleshin, gjithmonë ua dhamë goditjen meritore.

Për të mos u ndalur shumë nëpër vite e dekada, përplot vuajtje dhe andralla nga më të vështirat, një pjesë e kombit e fitoi mëvetësinë në vitin 1912, por pjesa tjetër e kombit e pati fatin e hidhur që të ngelte nën juridiksione të qarqeve zyrtare të armiqve, nga të cilët jemi të rrethuar edhe gjeografikisht. Para syve të Evropës njerkë kaluam edhe shumë vite e dekada, të shtypur nën kërbaçin e tmerrshëm të grekut e të serbosllavëve, që në histori s’njihen ndryshe, përpos ardhacakë nga Karpatet.

Edhe pse nën represalie të pandërprera, me vrasje dhe burgosje, ne ia dolëm të jemi grusht për hir të idealeve të shenjta të bijve dhe bijave më të mira të atdheut. Territore të tëra, ku jetojnë shqiptarët kishin mbetur  të  aneksuara nga  vendet fqinje, që popullatën shqiptare s’e trajtonin as si njerëz. Çamëria, Ilirida, Presheve, Medvegja dhe Bujanovci shtypeshin dhe ende edhe sot shtypen si është më keq, duke mos e harruar as Kosovën, ku mbi 95% e popullit janë shqiptarë autoktonë, e cila, po ashtu, deri më 12 qershor 1999 ishte viktimizuar nga ushtria dhe policia serbe. Vuajtjet na ndoqën nëpër vite e dekada, duke na kalitur dhe shtrënguar fort pas Flamurit Kuq e Zi, që e trashiguam të larë me gjakun më të dëlirë të bijve të kombit tonë.

Në Kosovë, më 1998 filloi lufta çlirimtare e UÇK-së, luftë që ishte shumë e pabarabartë, krahasuar me arsenalin e armikut, që ishte shumëfish më i madh se grushtet tona të vogla, që shtoheshin dita ditës në përpjekje për një ditë lirie. Në luftë dhamë prapë me mijëra bij e bija. Na masakruan e torturuan si është më keq. Gjatë kësaj periudhe relativisht të shkurtër na  i dhunuan mbi 20 mijë nëna, motra e vajza, për të na përndjekur me qëllim të një spastrimi etnik , ku pjesa më e madhe e të zhvendosurve i mësyu tokës mëmë-Shqipërisë. Vëllezërit tanë i hapën dyert dhe ndanë me ne bukën e gojës për më shumë se një vit, duke treguar atë fisnikërinë dhe bujarinë që e kemi trashëguar   ndër breza.

Me të përfunduar të luftës, kosovarët e përgjakur dhe të rraskapitur u kthyen në vatrat e tyre, duke e mahnitur jo vetëm Evropën, por edhe kontinentet tjera deri në Australinë e largët.

Me t’u kthyer, filluam të rindërtojmë vatrat tona të bëra shkrumb e hi nga armiku shekullor serb. U mblodhëm pranë lapidarëve te lirisë grushtbashkuar me fjalë krenarie dhe lavdie për fitoren që e paguam me çmim të lartë, të larë me gjak, si shumëherë gjatë historisë.

Tërë kjo nuk zgjati shumë, derisa filluan grupimet dhe përçarjet qesharake rreth partive dhe përkatësive ideore, që filluan të na ndajnë e të na përçajnë si është më keq, për të vazhduar edhe me vrasje dhe zhdukje të bijve më të mirë, që deri dje po luftonin armikun shekullor së bashku. Lakmia për pasuri na verboi të dy sytë, që akoma nuk e kishin parë si duhet blerimin e lirisë. Shqiptarët tashmë u bënë sikur harruan vuajtjet, besën e madhe, fisnikërinë e bujarinë, që na bënte të veçoheshim ndër popujt që na rrethonin me shekuj. Tashmë “trimat e burrat” e shumtë po pasuroheshin për pak orë e ditë, për ta përdhosur atë besën e madhe që dhamë dje para flamurit. Të ashtuquajturit VIPA morën gjithandej rrjetet sociale duke i pushtuar ato me pamjet gjysmëlakuriqe, apo edhe lakuriqe, dhe duke kënduar tallava në ahengje, që sajojnë “pasanikët e kombit”.  Në të gjitha trevat akoma të ndara shqiptare tash lulëzojnë godina e shtëpi, që mbijnë si kërpudhat pas shiu dhe askush nuk ua di fillin se nga vijnë dhe si u bënë.

Në vendin tonë tash kemi dy shtresa, njëra e përbërë nga pasanikët buzagaz, që nuk ua di  kush fillin dhe as fundin, për të na nxjerrë kështu shtresën tjetër, që e kalon çdo përmasë si skamnorë në skajshmëri.

A thua për ku jemi nisur e ku do të ndalemi me gjithë këto marifete?... korrupsioni tashmë e ka bërë për vete pjesën më të mirë të politikës shqiptare dhe nuk ka mbetur asnjë arsenal politik pa u sprovuar. Ata tash na lënë të zhgënjyer me politikat ditore, që nuk janë në të mirën e popullit, që edhe ashtu është i gjunjëzuar dhe nuk di nga t’ia mbajë, derisa ato pa u hamendur flasin edhe për copëtime të reja të tokave tona, që edhe ashtu i kemi të ndara në shumë copa. E unë mendoj konkretisht se Kosova është pronë e shqiptarëve, e kurrsesi feud i ndonjë individi, pa marrë parasysh se cili është ai, apo çfarë funksioni shtetëror kryen.

Përpos numrit të madh të matrapazëve që kemi gjithandej në atdhe, duhet të mos i anashkalojmë as ata jashtë vendit. Ata me sjelljet e tyre japin një pasqyrë të mbrapshtë, duke i hedhur hije të zeza gjithë kombit tonë.

Vëllezër dhe motra shqiptare ngado që ndodheni!

Ky shkrim imi nuk ka për qëllim asgjë tjetër, përpos shprehjes së opinionit tim personal, ku jam munduar në pak rreshta të pasqyroj rrugën që kemi marrë. Doemos që ne po ikim drejt rrugës më të errët në historinë tonë. Sot më shumë se kurrë po i përdhosim idealet e shenjta, që patën shumë bij e bija, disave prej të cilëve as eshtrat nuk u gjenden në atdhe, për t’u bashkuar me zërin e klithmat e varreve të shumta, që i kemi gjithandej në trojet tona.

Zoti i bekoftë shqiptarët që e duan dhe nderojnë atdheun!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...