Komandantë trima-diplomatë të ngathët - Bota Sot
Komandantë trima-diplomatë të ngathët

Opinione

Komandantë trima-diplomatë të ngathët

Nga: Prof. Dr. Agron F. Fico Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 11:28
Prof. Dr. Agron F. Fico

Më 17 shkurt 2019 ishte përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një festë mbarë-kombëtare historike. Lindja e shtetit të dytë shqiptar, shtetit të Kosovës, i hapi rrugën edhe idesë së bashkimit kombëtar.

 

Ky vit e gjen Republikën e Kosovës në zjarrin e një polemike me rëndësi të pamasë. Udhëheqësit e saj kanë kërkuar me të drejtë përfundimin e një marrëveshjeje gjithë-përfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, dhe si kryefjalë duhet të jetë njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia.

 

A duhej folur për ndryshim kufijsh?

 

Hedhja në tryezën e bisedimeve edhe e kërkesës me shprehjet për “ndryshim kufijsh”, “korrigjim kufijsh”, ose më së fundi për “definicion kufijsh” flet për për një koncept diplomatik të pamatur, të nxituar dhe jo në kohën e duhur.

 

Gjermania e Merkelit është shprehur disa herë se është kundër ndryshimit të kufijve, sepse kjo do të shpinte te hapja e kutisë së Pandorës. Po kështu edhe BE e ka kundërshtuar fort kërkesën për ndryshim ose rishikim kufijsh.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet gojës së zotit Bolton, Këshilltar i Sigurisë së Presidentit Trump, e kanë formuluar mendimin e vet diplomatikisht duke thënë se po u arrit një marrëveshje midis dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës, ne do t’i mbështesim.

 

Shqipëria, nëpërmjet Kryeministrit Rama, është shprehur se mbështet qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

                                                                                          

Taksa 100 përqind për mallrat nga Serbia – shqetësim ndërkombëtar

 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 përqind të mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja është bërë një shqetësim gati ndërkombëtar. Aktorë kryesorë të gjeo-politikës botërore kanë dhënë mendime të ndryshme dhe herë-herë kontradiktore. Madje ky vendim i Qeverisë së Kosovës e ka futur dialogun Kosovë-Serbi në një nyje pa rrugë-dalje.

 

Taksa 100 përqind për mallrat serbe ka shkaktuar një kundërshtim të ashpër nga Bashkimi Europian dhe veçanërisht nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila më 12 shkurt paralajëmroi zyrtarisht udhëheqësit kryesorë të Kosovës se vazhdimi i një qëndrimi të tillë, pra i taksës 100 përqind për mallrat serbe, do të shoqërohej me pasoja politike dhe ushtarake kundër Kosovës.

Mungesa e një diplomacie të zgjuar

Ky ballafaqim i Qeverisë së Kosovës, i Kryeministrit Haradinaj, me aleatët tanë strategjikë dhe ata europianë zbulon qartë një mangësi thelbësore të drejtuesve kryesorë të Kosovës, të cilët kanë qenë trima të paepur në kuftën e përgjakshme me agresorët serbë, por sot po sillen si diplomatë të ngathët e dogmatikë.

Dihet sae luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së bënë një luftë legjendare kundër makinës ushtarake serbe, dhanë gjithçka të shtrenjtë për çlirimin e Kosovës dhe kanë meritouar dhe meritojnë nderimin më të madh.

Qëndrimet e tyre ndaj ngjarjeve më të fundit në marrëdhënie me Serbinë dhe taksa 100 përqind për mallrat serbe tregon se janë diplomatë të dobët, dogmatikë dhe egoistë.

Pala kosovare po përdor “diplomacinë e forcës”, të llojit “ose më njih si shtet i pavarur, ose ne nuk e heqim taksën”?!

Në një vështrim tërësor duket se Kosova nuk prodhoi politikanë të shekullit 21 dhe as diplomatë të shkathët dhe të zotë. Nuk synoj t’i mësoj askujt shkollën e doplomacisë, por vetëm të vë në dukje pasojat e një diplomacie dogmatike dhe “luftarake”.

Çfarë lloj diplomacie është fakti që në bisedimet në Bruksel me palën serbe Qeveria e Kosovës dërgon një skuadër njerëzish ashtu siç u bë edhe në Rambuje, që kishte disa përfaqësi të ndryshme?!

Ky si duket është mallkim shqiptar. Shqiptarët në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) dërguan tre delegacione – ai i qeverisë shqiptare, delegacioni i Esat Pashë Toptanit, si dhe ai i “Vatrës” i drejtuar nga Fan Noli. Atje kombi shqiptar fitoi; që e përfaqësoi shtetari i shquar dhe krye-diplomati Fan Stilian Noli.

Kjo shkollë, diplomacia, është kyçi i fitoreve të kauzave serioze.

Diplomaci do të thotë urtësi, mençuri, kulturë, gjuhë të huaja, takt dhe sjellje diplomatike.

Henri Kisingeri, ati i diplomacisë amerikane, që ka vizituar 55 herë Kinën dhe ka konsultuar 8 presidentë amerikanë, në librin On Chinatregon udhët dhe metodat e arritjes së marrëveshjes së madhe mes ShBA dhe Kinës.

Presidenti i Francës Çarls de Gol (Charles de Gaulles), i cili vendosi i pari marrëdhënie diplomatike me Kinën, pati thënë se “Kush fiton tregun kinez, fiton përparësi botërore”. Koha tregoi se kinezët i zhvilluan shumë marrëdhëniet tregtare me francezët, me gjermanët po ashtu; ndërsa ShBA pas vizitës së presidentit Nikson shkuan edhe më përpara, ndoqën një politikë dinamike dhe komplekse me Kinën, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe investimeve e më gjerë.

Ne shqiptarët, të cilëve kinezët na i kishin hapur dyert, Enver Hoxha ua mbylli me kokëfortësi dhe injorancë.

Një libër kushtuar bashkimit kombëtar

Në vitin 2009 botova librin Rilindja e Shqipërisë etnike që u vlerësua me një shkrim të gjatë nga Prof. Peter Prifti. Ndërsa gazetari i njohur dhe i përkushtuar Beqir Sina botoi një intervistë të gjatë me titull “Pse Shqipëri natyrale dhe jo Shqipëri etnike”, Bota Sot, Nju Jork, 31 tetor 2010.

Një pyetje e gazetarit Beqir Sina ishte: “Ju vetë, në mos gabohem, keni shkruar për Shqipërinë etnike. Çfarë ju ka shtyrë që të shkruani për këtë ide?”

A. Fico: “Në vitin 2009 kam botuar librin Rilindja e Shqipërisë etnike. Prof. Peter Prifti, gazetari i njohur Muhamet Mjeku e shumë tjerë kanë shprehur vlerësime dhe lexuesit e kanë mirëpritur.

Ka disa arsye pse e shkrova këtë libër, por motivi kryesor ishte të jepja një koncept perëndimor dhe bashkëkohor të trajtimit të problemeve etnike të kombeve, si dhe të parashtroja konceptet themelore të shqyrtimit të kësaj teme, siç janë: kombi, populli, shteti, atdheu etj. (Agron Fico, Rilindja e Shqipërisë etnike, 2009, f. 60).

Muhamet Mjeku, publicist, gazetar, më shkruante më 23 korrik 2009: “Lexova kapitullin e parë të librit tuaj Rilindja e Shqipërisë etnikedhe mora një përshtypje shumë të lartë rreth trajtimit të konceptit komb, shtet, atdhe dhe popull. Këto nocione, ose koncepte si i ke quajtur ti, janë paraqitur me një mendim përmbledhës, gjuhë të saktë, me fjalë të tjera me një gjuhë shkencore studiuese dhe pa dyshim është një kontribut i mirëfilltë në fushën e gjuhësisë, kulturës, historisë, gjeografisë etnike, traditës dhe etnosit tonë. (Vep. cit. f. 336.)

Të mbështetemi fort tek aleati ynë strategjik - Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kosova është tokë e shenjtë shqiptare, Dardania ilire, mbretëresha e njerëzve trima dhe të ditur, si dhe e pasurive të pafundme natyrore. Askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare për Kosovën tonë.

Genocidi 100-vjeçar i Serbisë dhe holokausti që ajo zbatoi në vitet ’90 të shekullit të kaluar për të zbrazur Kosovën nga shqiptarët duhet të na rrisin sy-mprehtësinë, se Serbia asgjë nuk dëshiron të japë, pa një diplomaci të zgjuar dhe qëndrim të unifikuar.  Kryesore është të mbështetemi te miqtë dhe aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Retorika bajate se “jemi me Amerikën”, por vazhdojmë të mos i dëgjojmë këshillat dhe kërkësat e saj të sinqerta, është pa dobi dhe duhet të përjashtohet nga fjalimet dhe debatet e drejtuesve të Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Trump, u ka dërguar dy letra presidentit të Kosovës Thaçi dhe presidentit të Serbisë Vuçiç për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Madje presidenti Trump i pret në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e dokumentit historik të marrëveshjes dhe njohjes së ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë. Departamenti i Shtetit i Amerikës disa herë u ka kërkuar drejtuesve të Kosovës të heqin taksën 100 % për mallrat nga Serbia, po kështu edhe mjaft personalitete të politikës amerikane.

Shurdhësia dhe kokëfortësia e drejtuesve të Kosovës ndaj këtyre kërkesave të drejta të Amerikës është një shenjë e anti-amerikanizmit të këtyre liderëve, por jo e popullit shqiptar të Kosovës i cili e do me gjithë shpirt shpëtimtarin e vet, Amerikën.

Këtë qëndrim anti-historik të drejtuesve të Kosovës e shpreh qartë edhe një ish-diplomat, i cili thotë: “Kosova po shihet si një vend me liderë kokë-nxehtë, që i kanë sjellë marrëdhëniet me Amerikën në nivelin më të ulët që nga përfundimi i Luftës...”

Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët kanë ndrequr gabimin gjeo-politik kryesor, mungesën e miqve të vërtetë. Tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqiptarët kanë gjetur aleatin, përkrahësin e fuqishëm dhe modelin e rendit demokratik.

Udrou Uillson, presidenti amerikan, në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) mbrojti çështjen shqiptare dhe Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Kjo ishte një fitore historike, sa që Fan Noli e quan kontributin e vet më të rëndësishëm në veprimtarinë e tij patriotike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me presidentin Bill Klinton u vunë në krye të aleancës me NATO-n, që shkatërroi makinën luftarake të Serbisë dhe Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë.

Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë u forcua dhe u bë e pathyeshme kur ajo u pranua në NATO më 1 prill 2009, me ndihmën e presidentit Xhorxh Bush.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë garanci e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, njëherazi edhe e kurorëzimit të përpjekjeve të shqiptarëve për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur demokratik nga Serbia, e pranuar nga Kombet e Bashkuara dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.

Koha ka treguar se kur shqiptarët me trimëri dhe mençuri marrin në dorë fatin e tyre ata bëjnë histori.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...