Festat kombëtare dhe programet muzikore 

Opinione

Festat kombëtare dhe programet muzikore 

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 12:42
Mr. sci. Sylejman Salihu

Festa e pavarësisë së Kosovës ka filluar të festohet në diasporë që nga java e kaluar, vazhdoi në këtë fundjavë dhe do të festohet edhe javën e ardhshme. Bukur shumë. Bashkohen shqiptarët nga të gjitha trevat kombëtare dhe gëzojnë bashkërisht festat. E bukura e këtyre festave është se në to marrin pjesë shkollat e diasporës ngado që janë dhe me programin e tyre muzikor, recitativ dhe vallëzimor, shpërfaqin vlera të bukura kombëtare dhe estetike.

Le të jenë si të jenë ato janë detyrimisht të kontrolluara nga mësuesit dhe doemos që dalin të bukura në mënyrën e vet origjinale, sado që mund të jenë edhe modeste, sepse fëmijët nuk janë profesionistë. Mjafton që fëmijët i bëjnë me dashuri dhe madje edhe me entuziazëm.

Por programet shkollore janë të shkurtra dhe ato nuk mund të zgjasin tërë natën. Pastaj mbrëmjen e " marrin në dorë" këngëtarët dhe grupet muzikore të matrapazëve të ndryshëm dhe publikut shqiptar ia shpërlajnë trurin me muzikë tallava, e cila është një çervish ku ka çdo gjë veç muzikës shqipe. Në fakt këngët këndohen me fjalë shqipe, por meloditë dhe muzika janë kryesisht me nota orientale, rome,turke dhe madje edhe sllave.

Për adhuruesit e kësaj muzike nuk ka ndonjë të keqe, fundja është shija e tyre, por kur kemi parasysh se në këto mbrëmje kemi një përqindje të madhe fëmijësh dhe të rinjsh shqiptarë, atëherë, kjo bëhet tepër shqetësuese. Përse?

Sepse muzika është një art shumë i fuqishëm, që ndikon në edukimin estetik dhe kombëtar të njerëzve, veçmas të gjeneratave të reja, kurse kjo lloj muzike që po servohet, mjerisht nuk është në shërbim të edukimit estetik dhe patriotik të brezave. Ndaj organizatorët dhe kontraktuesit e këtyre grupeve duhet me kohë t' ua tërheqin vërejtjen të ashtuquajturve "këngëtarë" që të kenë një përzgjedhje më të mirë muzikore dhe të mos e prishin bukurinë e festave dhe karakterin e tyre festiv , zbavitës dhe edukativ.

Për fatin tonë të keq kjo lloj muzike është në ofensivë dhe këngëtarët e "shund" dhe kiç vlerave kanë marrë primatin në mbrëmje të tilla, sa nuk po dihet janë ato mbrëmje festive shqiptare apo turko-rome- orientale.

Organizatorët duhet t' i marrin në dorë punët e jo t' ua lëmë këngëtarëve në dorë, sepse ata janë për ne e jo ne për ta. Ne duam muzikë qytetare, të mirëfilltë burimore shqiptare, ndaj ta kultivojmë aq sa dimë dhe sa mundemi, se kështu siç jemi nisur, po shkojmë drejt një shpërfytyrimi kulturor ku nuk do të dihet më se ç' është e jona e ç' është e huaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat